Aktualitet

Shtatë mijë euro për të kaluar kufirin, arrestohet polici në Kapshticë

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka arrestuar një punonjës të Policisë Kufitare dhe dy shtetas të tjerë për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.

SHÇBA kishte regjistruar një procedim penal mbi bazën e informacioneve që kishte siguruar për kalimin e shtetasve shqiptare dhe të huaj, përmes kufirit të gjelbër drejt Greqisë e Maqedonisë në mënyrë ilegale me destinacion final Francën. Si pasojë, ditën e sotme u arrestuan Artan Ceno, 44 vjeç, punonjës policie në pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë si edhe Majlinda Seiti dhe Adriano Kocoli, të dy nga Korça.

Kundrejt pagesave që varionin nga 6 në 7 mijë euro për person, grupi i dyshuar, krijonte kushtet për të kaluar drejt vendit fqinj, qytetarë të ndryshëm nga Shqipëria dhe Kosova me destinacion Francën për të kërkuar azil.

SHÇBA njofton se në disa raste këta shtetas, në bashkëpunim me punonjësin e policisë, tashmë të arrestuar, kanë kaluar nga kufiri i gjelbër fëmijë të mitur, të cilët më pas kërkonin azil si të pashoqëruar, në vende të ndryshme të Europës./Tiranapost.al