Aktualitet

Shqiptarët tmerrojnë Spanjën me grabitje, shufrat e arit i nisnin me anije

Policia spanjolle ka shkatërruar një bandë shqiptarësh, të akuzuar për një seri vjedhjesh. Në pranga kanë përfunduar Emanuel Basha, 28 vjeç dhe Ergys Salui, 24 vjeç. Ata janë kapur së bashku me dy spanjollë ndërsa po tentonin të vidhnin një banesë në Carballino.

Sipas policisë ata dyshohet se kanë kryer të paktën 30 vjedhje në këtë zonë. Tani policia po analizon materialet që iu janë kapur dy shqiptarëve: kodet numerike, një kompjuter dhe 4 kelefona celularë.

Nga hetimet e deritanishme shqiptarët kanë dërguar shuma të mëdha parash në Shqipëri. Synimi i tyre ishte të gjenin sa më shumë bizhuteri të cilat më pas i shkrinin dhe arin e dërgonin më Shqipëri në mënyra të ndryshme.

Hetime po kryehen edhe në Shqipëri, për të zbuluar pjesën tjetër të grupit. Ka dyshime se koka fshihet në Shqipëri dhe pjesë e grupit kriminal janë dhe persona të tjerë. Një armë që kanë në dorë autoritetet spanjolle janë dhe përgjimet që kanë kryer.