• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 13 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Sa nje kafe nga Iva Të gjitha

    Shqiptarët prodhojnë lajme më të këqija se vetë divorci


    Nga Iva Tiço/ Një divorc nuk është kurrë një lajm i mirë. Thuhet se është një përvojë e dhimbshme, edhe kur e dëshiron me gjithë zemër. Sidomos kur në portretin familjar të çiftit që ndahet ka dhe fëmijë të vegjël. Sidomos kur ata që ndahen janë të dy të njohur, që i takojnë botës së showbizit dhe çështjet e familjes së tyre ndahen me gjithë publikun. Kur atyre që po ndahen u thyhet zemra përpara të gjithëve. Por ja që në këtë rast keq e përjetojnë edhe fansat, ndjehen sikur idhujt e tyre i kanë braktisur, sikur dashuria e ëndrrave nuk ekziston, sikur “fundi i lumtur” që ëndërrojnë të gjithë përmes martesës së të famshmëve, vjen një ditë dhe merrka fund… Në njëfarë mënyre fansat ndjehen sikur të jenë fëmijët e çiftit të ndarë dhe tani duhet t’i shijojnë veç e veç, asnjëherë më të dy bashkë. Ende nëpër botë shpresojnë që Brad Pit dhe Angeline Jolie të bashkohen, të rimartohen dhe të shfaqen kudo me familjen e tyre të madhe.

    Kurse në Shqipëri shoqata “Al Bano dhe Romina” nuk u shpërbë, edhe pse çifti u nda dhe sot e kësaj dite akoma shqiptarë e italianë bashkë drithërohen sa herë i shohin të bashkuar në koncerte dhe presin lajmin e ribashkimit në martesë, megjithëse kjo do të kushtonte prishjen përfare të martesës tjetër të Al Banos, nga e cila ka edhe dy fëmijë të tjerë…

    Thënë kjo, ishte e pritshme dhe normale që dhe ndarja e Nora Istrefit dhe Robert Berishës të sillte zhgënjim e trishtim tek fansat e tyre. Por ja që mes gjithë këtij mallëngjimi normal, ka një lajm edhe më të trishtë akoma: fansat shqiptarë, ata që komentojnë në portale dhe në rrjetet sociale, ende janë me komplekse. Divorci nuk pranohet akoma në këto anë dhe kur vjen puna tek ai, sulmohet kushdo që e sheh si zgjidhjen më të shëndetshme për jetën e vet. Sulmohen si ata që kanë zgjedhur të mos jetojnë më bashkë, ashtu edhe ata të tjerët që shohin një gjest emancipimi tek fjalët shpjeguese për partneren e që Roberti i ka ndarë me të gjithë, duke dhënë një shenjë qytetarie se si dy persona mund të ndahen me respekt e dashuri për atë që kanë ndarë bashkë, e sidomos me shumë kujdes për fëmijën e tyre.

    Në një tekst të pazakontë për mentalitetin e ndarjeve shqiptare ku partnerët kthehen në armiq të betuar, ai ka falënderuar ish -bashkëshorten për fëmijën që i ka sjellë në jetë dhe për momentet e lumtura që kanë kaluar bashkë dhe ka theksuar se ndonëse nuk janë më bashkë do jenë gjithë jetën mami dhe babi i vajzës së tyre Renee dhe shokë të mirë deri në vdekje, pa ia kthyer kurrë shpinën njëri-tjetrit. Një tekst që kur e diskutuam në redaksinë e “Tirana Post” për të shkruar lajmin në rubrikën e showbizit, arritëm në përfundimin se me burra si Roberti është fat i madh jo vetëm të dashurohesh e të martohesh, por në fund edhe të ndahesh.

    Por mesa duket burra si Roberti dhe gra si Nora janë ende të rrallë në ambientin tonë. Dy njerëz që kanë kurajon të shihen në sy e të pranojnë faqe botës se nuk duhen më, ndaj dhe nuk ia vlen ta mbajnë të gjallë martesën, kur ajo nuk funksionon më, më e pakta që meritojnë është të respektohen dhe të lihen në punën e tyre, t’i ndreqin gjërat si t’u vijë më për mbarë. Dhe mbi të gjitha meritojnë të mos marrin gjithë energjinë e keqe dhe sharjet e rrjetit për një gjë kaq intime sa ç‘është një lidhje.

    Nuk është detyra e tyre të emancipojnë shoqërinë nga vijnë. Dhe kaq dhe kanë bërë shumë. Në fund të fundit njerëzit atë punë kanë dhe nuk kanë se si ta kuptojë që ndarja dhe lidhja, mes të famshmëve në Shqipëri, Itali a Hollivud nuk është çështje mode, parash, tapetesh të kuqe apo shthurjeje. Eshtë çështje ndjenjash, çështje mishi e gjaku, që dhemb a shërohet si tek të gjithë të vdekshmit e tjerë. Thjesht ka fatin e keq të malcohet edhe më shumë, sepse ndodh në sytë e të gjithëve. Dhe duhet respektuar dyfish pikërisht për këtë. /Tiranapost.al/

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post