25 rreshtat e Mirës Te gjitha

Shqiptarët e Eurovizionit nuk janë si shqiptarët e parlamentit


Mira Kazhani/ Parlamenti shqiptar të ngjan me ato rastet kur për arsye rikonstruksioni shkolla është mbyllur dhe prandaj në të njëjtën shkollë janë mbledhur ata të fillores, 9-vjeçares dhe gjimnazit. Kjo, në pamje të parë, për nga përmbajtja dhe aftësitë cerebrale, për nga imazhi dhe sjellja, si e një adoleshenti që s’e ka kaluar maturën dhe sidomos nga protestat me fjalor të pistë ‘dick’ etj., që të ngjajnë me shkrimet e kuriozëve të pubertetit. Njëlloj si mistrecët e shkollës, që shkruajnë nëpër mure fjalë turpi, që i kanë ambicie krenarie, por edhe sepse me fjalë shpesh mbulohet vepra e pakryer, e rëndomtë në pubertet.

Parlamenti shqiptar është bërë fyes, tallës, dhe një shfaqje tragji-komike. Në asnjë rast nuk është dëgjuar një fjalim frymëzues, një replikë me argumente për një çështje që na takon e u takon. Sherr ka në çdo dhomë kur qepen e shqepen ligje, për më shumë të drejta e më pak padrejtësi për qytetarët. Po sherri parlamentar shqiptar nuk ka të bëjë kurrë me këto interesa. Asnjë nuk kacafytet aty për të mbrojtur një kauzë, kjo, jo se të gjithë kanë hall koke. Disa thjesht nuk munden, se liderët janë kujdesur që në listat e të zgjedhurve të ketë objekte dhe jo subjekte.

Parlamenti shqiptar është, pa më të voglin dyshim, audienca më e mirë nga të gjithë programet që pretendojnë show maksimal dhe rekorde audience në grafikë matës. Është si një telenovelë me disa linja: Një dashuri e shkuar keq, i pasuri, vrasësi, shërbëtorët dhe ai që dikur i kishte të gjitha dhe i humbi për një çast. Dhe të mendosh se tre shqiptarë ndodhen në Eurovizion. Ermali përfaqëson Italinë, Eleni Qipron dhe Eugenti Shqipërinë. Shenjë, se në Europë shqiptari ka mbërritur si i parë, ndërsa politika shqiptare mbeti e pamoralshme, si kudo edhe tek ne, por me një ndryshim që e tregon atë të rëndomtë: pa mend e pa nivel. Dhe kjo e bën vrasëse për imazhin tonë, duke na e kthyer të sotmen në piletën e së ardhmes.

*25 rreshtat e Mirës/ Copyright Tiranapost.al