Aktualitet

Shqipëria vendi me korrupsionin më të lartë në rajon

Shqipëria vendi me korrupsionin më të lartë në rajon

Vendi ynë është konsideruar si vendi me korrupsionin më të lartë në rajon. Në një Anketë për Jetën në Tranzicion të bërë nga Banka Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim thuhet se korrupsioni vazhdon të mbetet sfidë në Europën Juglindore. Por, nga të gjithë vendet e Europës Juglindore, Shqipëria ka përqindjen më të lartë të të anketuarve që janë përgjigjur se kanë bërë personalisht apo nga një pjesëtar i familjes së tyre pagesa nën dorë ose dhurata në 12 muajt e fundit në pothuajse të gjitha shërbimet publike të cilat mbuloheshin nga pyetjet e anketës së BERZH.

Tek pyetja në lidhje me mënyrat për luftimin e korrupsionit, 25% e shqiptarëve të pyetur kanë dhënë si zgjidhje raportimin në momentin që hasin me të, 21% e tyre kanë thënë se njerëzit e thjeshtë nuk mund ta zgjidhin korrupsionin dhe 40% japin si alternativë refuzimin për të paguar ryshfet si mënyrën më të mirë për të luftuar korrupsionin.

Për sa i përket korrupsionit në shëndetësi, 32% e shqiptarëve të pyetur kanë pohuar se kanë përjetuar korrupsion për shërbimet shëndetësorë dhe shprehen të pakënaqur nga shërbimet e marra.

Rezultatet e anketës tregojnë se të anketuarit të cilët janë të shqetësuar për korrupsionin kanë më pak gjasa që të krijojnë besim tek të tjerët dhe të jenë optimistë për të ardhmen. Rreth një e katërta e pagesave nëndorës në arsim duket se janë të motivuara nga dëshira për të shprehur mirënjohjen. Pagesat 'fshehtas' ndaj policëve të trafikut, gjykatave administrative apo shërbimive të sigurisë socialë janë më së shumti të bërë prej kërkesave të shprehura apo të nënkuptuara.