Tech

Shqipëria mund Britaninë në rrjetin 4G të celularëve

Shqipëria mund Britaninë në rrjetin 4G të celularëve

Britanikët janë “xhelozë” për rrjetin “mobile” të celularëve në Shqipëri. Në një studim të fundit nga Komisioni Kombëtar i Infrastrukturës (NIC) i botuar nga “Sky News”, teknologjitë e reja, paçka se shpiken në vende si Britania nuk janë rezultative dhe implementohen më shpejt në vende të vogla. Sipas “Sky-News”, Shqipëria dhe Peruja kanë rrjet më të mirë të telefonisë së lëvizshme dhe sistem 4G se vetë Britania e Madhe dhe kjo nuk është “përtypur” nga kombi i madh ishullor. Sipas raportit, në Britani ka shumë “vende të errëta digjitale” apo pjesë të territorit pa sinjal të mirë të telefonisë së lëvizshme.

Britania është e 54-ta në botë për sinjalin “4G” dhe kompanitë mbulojnë vetëm 53% të territorit dhe njerëzve me këtë shërbim. Në këto kushte, NIC ka i ka propozuar qeverisë britanike që të ndërhyjë që situata të normalizohet, duke ofruar infrastrukturën e nevojshme për sistemin 5G që të jetë gati sa më shpejt, sepse edhe Shqipëria është shumë përpara në këtë drejtim.

Sistemi 5G, është pasardhësi i sistemit 4G dhe pritet të jetë një revolucion i vërtetë i teknologjisë dhe shumë futuristik. Teknologjia 5G do të përdoret për çdo lloj komunikimi, duke filluar që nga ai telefonik, makinat, trenat, dritat e rrugëve e semaforëve dhe mban emrin “interneti i mendimeve”. Për shembull, te makinat, ky lloj interneti do të përdoret për të transmetuar të dhënat në rrjet në mënyrën më të shpejt dhe të mirë të mundshme.