• Shqip
  • English
  • E diel, 19 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    Shqipëria dënon sulmin terrorist në Zelandën e Re: Akt barbar, terrori nuk ka fe


    Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka dënuar sulmin terrorist në Zelandën e Re ku humben jetën 49 besimtarë myslimanë gjatë kohës që po faleshin në xhami. Në deklaratën e përbashkët thuhet se ky akt barbar tregon se terrori nuk ka fe. Mëngjesin e sotëm, një shtetas australian shkaktoi masakrën më të madhe të viteve të fundit duke ekzekutuar 49 besimtarë.

    Deklarata e plotë

    Dënojmë ashpër çdo formë terrori që godet humanizmin. Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dënon me indinjatën më të thellë sulmin e fundit terrorist të ndodhur në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, ku humbën jetën 49 besimtarë myslimanë, që po kryenin faljen në xhami dhe kumbi 50 të tjerë mbeten të lënduar.
    Ky akt barbar ndaj njerëzve të pafajshëm, tregon edhe një herë se terrori nuk ka fe, komb, ngjyrë e atdhe, por me mizorinë e tij godet këdo, kudo qoftë, jo vetëm në zona lufte e konflikti, por edhe aty ku mbizotëron paqja dhe mirëqenia, sepse terrori ka vetëm një qëllim, mbjelljen e urrejtjes dhe frikës ndaj tjetrit.
    Ne dënojmë edhe një herë me forcë akte të tilla kriminale, që kanë lënduar çdo zemër humane kudo qoftë.
    Lusim Zotin gjithashtu që paqja, harmonia, bashkëjetesa e mirëkuptimi të mbizotërojë kudo në botë. Zoti mos i dhëntë mundësi askujt të dalë mbi humanizmin, jetën që e jep veç Zoti dhe vlerat universale, aq të nevojshme në botën e sotme.
    Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, shpreh gjithashtu solidaritet të plotë me të gjithë ata që vuajnë sot në luftëra dhe konflikte në vende të ndryshme të botës, duke iu ofruar atyre lutjet dhe afërsinë shpirtërore.
    KNFSHi dërgon ngushëllimet më të sinqerta Zelandës së Re, familjarëve të viktimave dhe komunitetit të tyre, si dhe i uron shërim sa më të shpejtë të plagosurve gjatë këtij sulmi në Zelandën e Re.
    Zoti e ndihmoftë dhe e udhëzoftë njerëzimin kah e mira! Amin!/Tiranapost/A.C