• Shqip
  • English
  • E enjte, 12 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Blogu i një vajze single, ose aty rrotull Kontribues Të gjitha

    Shpirti binjak… ose diçka e ngjashme


    Nga Iva Tiço/Dikush e quan “shpirt binjak”. Dikush “princ të kaltër”. Dikush  “të duhur”. Të tjera akoma “të domosdoshëm”. Ose “të nevojshëm”. Ose “epo-tani-s’ke-c’i-bën-do-marrësh-një-se-s’rrihet-vetëm”…

    Nejse, dikur thuhej se “s’ka mbetur laraskë pa bisht”. Ndaj të gjitha ato që s’e kanë gjetur as Princin e Kaltër e as Të Duhurin, janë pra në kërkim të atij. Të duhurit apo të paduhurit, pak rëndësi ka: thuhet që nuk rrihet vetëm, nuk duhet të rrihet vetëm, ndaj le të nisë kërkimi.

    Ndoshta nuk ia vlen të merresh gjithë ditën me këtë punë, nuk mund të rrish përpara kompjuterit e të kërkosh në facebook, twitter, instagram apo agjenci martesore… Një kushërira ime ndërkohë ka dëgjuar për një të tillë diku jashtë, tmerrësisht serioze, ku vetëm për t’u antarësuar nevojiten disa mijëra euro, e prej të cilës në fund fare del me një burrë europian me një rrogë qindra mijëra euroshe në vit… Ajo thotë që ky është investim, por për momentin asnjëra nga ato që e kanë dëgjuar s’po mendon të marrë ndonjë kredi konsumatore apo overdraft e të  regjistrohet në këtë agjensi.

    Nuk ia vlen as t’i qepesh çdo shoqeje apo kushërire të martuar dhe sistemuar dhe t’i bësh për të njëmijtën herë atë bisedën që të bëjë edhe njëherë apelin e shokëve dhe kushërinjve të burrit të vet për të parë mos ka ndonjë njohje të re, ndonjë që i ka shpëtuar apelit të mëparshëm apo ndonjë që ka ndërruar gjendje civile që nga apeli i fundit.

    Nuk ia vlen as të dalësh e të marrësh me radhë klubet në  fundjave, sepse dihet: Princat e kaltër nuk takohen në të tilla vende. Dhe se “i duhuri” të klasifikon menjëherë “të gabuar”, nëse qëllon që të takojë pas orës 12 të natës dhe pas gotës së dytë të gin-it.

    Gjithsesi, sytë duhen mbajtur hapur. Sepse mirë është të jesh në formë kur takon dikë interesant. Dikë inteligjent. Ndoshta dikë që ka kulturë dhe që ngjan simpatik. Dhe që ta bëjmë tamam, pse jo, të jetë alamet kingu (dhe që të vijë erë e mirë, që nga Fahrenheit i vjetër e deri tek Cartier-i më i ri). Dhe që të ketë një ekonomi të mirë, ndoshta fare pak më mirë se të tënden…

    A ka të tillë? Të mirët e tillë i kanë marrë me kohë. Ose kanë dalë nga prodhimi. Kurse ata që kanë mbetur, kërkojnë tjetër gjë nga ajo që kërkon ti: kërkojnë “jo të duhurat”, në mënyrë që ta kenë të lehtë që të mos impenjohen serizosht. Sepse, nëse vërtet janë kaq të mirë dhe të lirë në këtë pikë, normal që u kanë qëndruar larg të duhurave si ti, sepse duan të rrinë vetëm. Dhe kësaj kategorie bën mirë t’i rrish larg, se edhe po pate strategjinë që të paraqitesh si jo e duhura, pra e parrezikshme në sytë e tij, për t’u shndërruar pak e nga pak dhe pa e kuptuar ai në të duhurën, do kalojë aq shumë kohë, sa ti nuk do dish më çfarë do… Ose ai do kërkojë një jo-të duhur tjetër që t’ia bëjë jetën pak më interesante.

    Duket pak e vështirë ëëë???? Duket mision i pamundur, ëëë??

    Epo durim tani. Ia vlen të lodhesh njëçik për të gjetur këtë shpirtin binjak. Se po të ishte e lehtë, e gjenin të gjithë. Dhe nuk vijonin ta kërkonin edhe pas martese…! Sepse vetëm po të jesh më naivja mbi këtë tokë, beson se vërtet të gjitha martohen dhe jetojnë të lumtura me shpirtrat binjakë. Laraskat që nuk mbeten pa bisht janë më të shumta. Edhe pse shpeshherë as që e dinë se janë laraska dhe ai që kanë në krah është bishti…

    P.S. Mund të ndodhë që në një pikë të kuptosh që shpirtin binjak e ke takuar dikur. Dhe se vetëm tani e kupton që ka qenë i duhuri… Ia vlen të kthehesh. Në fund të fundit historitë pa mbarim janë thelb i mazokizmit femëror. Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post