Aktualitet

Kosova drejt zgjedhjeve/ Veseli: Mos pafsha Parlament më dembel se ky, në Tiranë Bushati thirrje politikës së Prishtinës

Kosova drejt zgjedhjeve/ Veseli: Mos pafsha Parlament më dembel se ky,

Me 89 vota pro dhe dy kundër Kuvendi i Kosovës u shpërnda. Deputetët e Listës Serbe nuk morën pjesë në seancë, e ndërsa kryetari i Kuvendit Kadri Veseli kërkoi që kamerat të fokusojnë votimin e shpërndarjes. Pak para seancës së fundit parlamentare, Veseli tha: "Mos dhashtë zoti të ketë më Kuvend më dembel sesa ky”.

Image result for kadri veseli

Për vendimin e ligjvënësve, ish-ministri Ditmir Bushati shkroi një status në Twitter:

"Asambleja e Kosovës u shpërnda, duke i hapur rrugën kështu zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Qytetarët e Kosovës meritojnë të kenë zgjedhje të qartë midis vizioneve konkurruese dhe programeve se si të përfundojnë procesin e shtetndërtimit dhe të ndërtojnë të ardhmen e #Kosovës mbi themele të sigurta", shkruan Bushati në postimin në "Twitter".

Tashmë i hapet rruga zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Kujtojmë se kjo ngjarje ndodh për shkak të dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj pasi u thirr nga Gjykata Speciale e Hagës. Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, e cila karakterizohet për mungesa të shpeshta kuorumi, u konstituua me datë 3 gusht 2017. Tashmë pritet dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti Hashim Thaçi.

“Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes”, thuhet në Ligjin për Zgjedhje. Gjithashtu: “Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe me vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes”./ Tiranapost.al. E.B/