• Shqip
  • English
  • E martë, 15 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Shëndeti Ynë i Mendjes Të gjitha

    Shoqëria, bashkëfajtore në krim  


    Esencë editori/ Janë një zinxhir vrasjesh javët e fundit, si rasti i Qemal Selës që vrau prindërit, apo djalit (Xhafer Mata) që vrau të dashurën, Xhuljetën dhe më pas veten, që kanë shkaktuar një alarm në opinionin publik. Për këtë sot në Tiranapost.al kemi një shënim nga Ermira Hila, specialiste në këtë fushë dhe një nga bashkëpunëtoret e blogut, Shendeti ynë i mendjes.

    Ermira Hila, Këshilli Drejtues i AGSH (Analiza e Grupit në Shqipëri)/ Shoqëria jonë jo vetëm që nuk i ka dhënë një emër të veçantë kësaj që po ndodh mes nesh por duket sikur as nuk do që ta shohë e ta trajtojë atë. Jeta e femrës po shndërrohet gjithnjë e më shumë në ushqim për instiktet më primitive të mashkullit, pikërisht të atij që është i deputuar që ta mbrojë dhe të përkujdeset për të. Statistikat ulërasin me shifra si të ishin buletin lufte. Ku i ka rrënjët kjo mendësi perverse e trajtimit të femrës si një pronë? Femra vazhdon të jetë një kosh ku mashkulli mund të hedhë të gjitha ‘mbeturinat e tij njerëzore’ duke mos harruar të hedhë edhe veten brenda tij. Gruaja vazhdon të jetë si ai ‘gomari i huazuar i cili mbart shumë dhe ha pak’. Nga njëra anë jemi të aftë të bashkëjetojmë edhe me fenë e huaj të shokut/mikut/komshiut dhe i japim mend edhe botës për këtë, por nga ana tjetër qenka kaq e vështirë të bashkëjetohet me gjysmën e shoqërisë, feminilitetin, me të cilin ndahet deri edhe shtrati. Nga vjen ky sadizëm për të asgjësuar femrën? Sot atë e ka mbërthyer dualizmi i ligjit të xhunglës; të mbijetojë në vetminë e saj nga ku mund të dalë e asgjësuar ose vrasëse e agresorit të saj (dhe nuk janë të pakta rastet).

    Xhuljeta e kishte paralajmëruar vrasjen e saj por ligji nuk e mbronte dot as të paktën me një urdhër mbrojtjeje, sepse ajo nuk kishte as status për t’u vrarë. Nëse në absurditet do të kishte një sens kjo situatë, atëherë ligji do t’i thoshte asaj ‘ti nuk je e denjë as për t’u vrarë’.  Sarkazma përshkon tragjeditë brenda tragjedive si në një lojë matrioskash që nuk di se kur dhe ku do përfundojë. Ndihem e impresionuar se si po trajtohet ky fenomen nga opinioni i përgjithshëm. Një pjesë e grave dhe vajzave tona po përçudnohet çdo ditë e më shumë dhe ne pikë së pari dhe më së shumti fajin e gjejmë tek varfëria dhe varësia. Le të imagjinojmë pak se çfarë ka ndodhur me ato gra në ato marrëdhënie destruktive në të cilat janë gjetur. Duket sikur momenti përfundimtar tragjik i vrasjes ka qenë po aq edhe epik. Duhet të ketë qenë ‘përmbyllja e një ferri mbi tokë’ për ato gra, nëna, vajza. Në rastin kur kishte mbetur tek vajza akoma një fije shprese te shoqëria njerëzore, ajo ka shkuar dhe ka denoncuar në polici, përveç faktit që e gjitha ka mbetur një veprim i pavlerë, sepse rregullat e shoqërisë tonë nuk ia njohin asaj të drejtën të ‘ngre krye’ mbi një ish-të dashur. Duket sikur duan t’i thonë ‘ti je vetë fajtore, duhet vetëm të kesh turp e jo më të rebelohesh. Ligji nuk pranon zona gri për marrëdhënie të padefinuara. Përcaktimi i tyre ka prioritet edhe para vetë jetës. Je vetë ti që vure jetën në rrezik, përndryshe ligji do të të kishte mbrojtur’. Gjithë ky sadizëm përzier me obsesion, si një deja vu, sjell në mendje edhe nënën Parti të sistemit totalitar, që për ironi të fatit në këndvështrimin gjuhësor edhe emrin e kishte femëror. Ajo ia arriti të denatyralizonte shumëçka të natyrës njerëzore në përpjekjen e bjerrë për ta dominuar atë. Kjo shoqëri vazhdon të dojë ta denatyralizojë esencën njerëzore. Po ashtu edhe omnipotenca mashkullore mendon se mund të bëjë ç’të dojë me femrën sepse ndihet ‘e mandatuar’ që në hershmërinë e kohërave nga gjyshërit e stërgjyshërit e saj me në krye ‘ kanunin e Lek Dukagjinit’ e deri te ligji i sotëm që e përkëdhel me ndëshkueshmëri edhe qesharake në proporcion me dëmin që bën, përfshij këtu edhe ‘z. Maliq’ (siç do të thoshte Çajupi), që bën një sy qorr dhe një vesh shurdh në vend që të dimensionojë ashtu siç duhet veprën penale.

    Absurd është fakti që as kanuni nuk do ta linte pré të agresorit vajzën që jep alarmin duke kërkuar ndihmë. Ndërsa ‘kanuni’ aktual thotë që vajza e pazyrtarizuar në marrëdhënie në çift, nuk ka nevojë për mbrojtje sepse ajo nuk ka pse të dalë nga kjo korniza e bjerrë e këtij kategorizimi. Ajo në këto terma, thjeshtë nuk mund as të ekzistojë. Nuk di se çfarë u ka kaluar nëpër mend legjislatorëve tanë, çuditërisht kaq obsesivisht puritanë do guxoja të thoja, kur kanë përpiluar dhe miratuar këtë ligj. Arkaizmi, regresioni i situatës dëshmojnë kundër evoluimit të pretenduar të shoqërisë tonë që mbart akoma në vetëdijen e saj shumë trauma sociale.

    E pra unë ndihem e turpëruar, e zemëruar, fajtore, ndërsa mbaj zi për ato jetë të shkuara dëm nga çmenduria mashkullore. Ndihem edhe më keq akoma kur po i shfajësojmë ata meshkuj nëpërmjet petkut të varfërisë apo të varësisë. Në terma juridike kjo i bie të jetë bashkëfajtorësi në krim. Nga ana tjetër rezilienca që dëshmojnë të gjithë ata burra që strapacohen çdo ditë për bukën e gojës së familjes por që në darkë prehen dhe ripërtërihen pranë familjes edhe pse brenda vetes mbajnë një mal me brenga e me halle.

    Ndjesia e shmangjes më bën të iki nga e kaluara dhe e tashmja me një fije shprese për të gjetur shpëtim tek e ardhmja. Aty janë duke pritur fëmijët që asistuan pafajshmërisht këto tragjedi. Ku duhet te identifikohen ata? Vuajtjet e tyre do të projektohen te bashkëmoshatarët, te bashkëshortët, te fëmijët e tyre. Kështu zinxhiri ndërbrezor fatkeqësisht do të garantojë transmetimin e traumave brez pas brezi. Ato shenjojnë në mënyrë të pashlyeshme jo vetëm epiqendrën e ngjarjes. Ndikimi i këtyre traumave kapërcen kufinjtë kohorë dhe hapësinorë si një bombë atomike sociale, ku sa më afër të kesh qenë në momentin e shpërthimit aq më shumë do ta ndjesh mbi lëkurë e aq më shumë do të duhet të vuash prej saj. Si në një vizion rrathësh koncentrikë, trauma do të jetë aty ku më shumë e ku më pak duke dëshmuar përjetësinë e saj. Ajo tenton të bëhet tabù por ndërkohë shoqëron përditshmërinë e viktimës si një hije e heshtur duke i thithur vitalitetin. Mundësia përpunimit të atyre vuajtjeve bëhet jetike që viktimat të mund integrojë brenda vetes traumën.

    Këtu të gjithë jemi fajtorë. Këto janë tragjedi të paralajmëruara, kanë një prolog të gjatë në një skenë me shumë sy e veshë por pa asnjë gojë e asnjë dëshirë për të vepruar e ndihmuar. Që nga komshia që do të thoshte ‘ç’më duhet mua të ngatërrohem?!’. Apo edhe më keq ‘hë mos se ajo e la për një tjetër’. Apo prindërit e saj që thonë ‘ti ke dalë njëherë nga kjo derë’, ‘unë nuk rrit fëmijët e atij’, ‘është turp të ndahesh nga burri! Ç’do të thotë bota?!’

    Të gjitha ato femra kanë jetuar mes të tjerëve ku të gjithë e dinin dhe askush nuk bënte asgjë për t’i ndihmuar. E gjithë shoqëria është bashkëfajtore në krim dhe unë nuk dua të jem pjesë e këtij turpi social./ Blogu – Shëndeti ynë i mendjes/ Copyright Tiranapost.al

     

     

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690