• Shqip
  • English
  • E hënë, 9 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Ide Të gjitha

    Shkolla që vret imagjinatën


    A mund të përballohen sfidat e shekullit XXI me të njëjtat metoda si ato të shekullit XIX? A mund të jemi të sigurt se ofrojmë dijen e nevojshme thjesht duke përmirësuar butësinë e karrigeve, qartësinë e shkrimit mbi tabelën e bardhë, ngjyrat e projektorit dhe zërin e mikrofonit?

    Erjon Uka

    Nga Erjon Uka/ Aula Carducci është një dhomëz e vogël me katërmbëdhjetë banka, të ndara shtatë në një anë e shtatë në tjetrën, me tryezën e profesorit në krye të saj e një dërrasë të zezë ku sigurisht përdorej shkumësi i bardhë. U krijua në Universitetin e Bolonjës më 1860 dhe profesorit që iu besua, të riut Giosuè Carducci që katër dekada më vonë do të fitonte Nobelin në letërsi, i doli përpara një mision i vështirë: t’ia rikthente shkëlqimin e humbur fakultetit të letërsisë në këtë universitet, gjë që e bëri në 43 vitet e tij të mësimdhënies ku thonë se, pavarësisht brezave që vinin e iknin, kurrë nuk e përsëriti një leksion dy herë.

    Aula Carducci në Bolonja, via Zamboni 33. Foto nga Erjon Uka
    Aula Carducci në Bolonja, via Zamboni 33. Foto nga Erjon Uka

    Por duke parë këtë klasë, përveç cilësisë së drurit, rehatisë së karrigeve dhe ngjyrës së dërrasës së zezë, pra përveç esecës, shumë pak ka ndryshuar në ditët e sotme. E normal që të vjen të pyesësh: A mund të përballohen sfidat e shekullit XXI me të njëjtat metoda si ato të shekullit XIX? A mund të jemi të sigurt se ofrojmë dijen e nevojshme thjesht duke përmirësuar butësinë e karrigeve, qartësinë e shkrimit mbi tabelën e bardhë, ngjyrat e projektorit dhe zërin e mikrofonit? Me siguri që jo. Në një botë që ka ndryshuar thuajse rrënjësisht çdo sektor, një ndër më pak të prekurit në thelb mbetet shkolla.

    Rastësisht, tani që jemi në prag të fillimit të shkollës, dëgjova një fjalim të mrekullueshëm të një profesori dhe shkrimtari anglez, një prej ekspertëve më të mëdhenj të arsimit sot në botë që kërkonte pikërisht ndryshimin e shkollës: Ken Robinson.

    Për shkak të automatizimit të tejskajshëm, çelësi i suksesit është imagjinata, siç thoshte në një intervistë të pak ditëve më parë Edgar Morin, por ndërkohë shkolla po ruan të njëjtin stil prej qindra vitesh. Rritemi me frikën se mund të gabojmë dhe këtë ndjesi e kemi më pas gjatë gjithë jetës, si në punë ashtu edhe në jetët tona. “Sistemi ynë edukativ ia heq njerëzve kapacitetin e tyre kreativ. Ka ardhur ora të krijojmë diçka inovative. Fëmijët kanë shumë talente që ne i shpërdorojmë”, thotë Ken Robinson. E në të vërtetë, pse qenka e thënë se dikush që mëson përmendësh tre ligje fizike duhet të ketë përparësi ndaj atij që ka aftësi të tjera të cilat i burojnë prej imagjinatës, por që askush nuk i mat?

    Sistemi i sotëm i vlerësimit ka në bazë prakticitetin. Arsimi, duke qenë një e mirë masive publike, duhet të gjejë një sistem unik vlerësimi, ndaj sistemi i notave duket si zgjidhja e vetme e mundshme për këtë gjë. Po kur nuk ekzistonin notat? E pra, kjo do të thotë se njerëzit mund të gjejnë pafundësisht mënyrë të reja dhe efektive, mjaft të binden se diçka duhet ndryshuar.

    Dhe që ç’ke me të. Sepse sistemi ynë arsimor bazohet tërësisht mbi aftësitë akademike, një sistem në të cilin disiplinat më të nevojshme për punë qëndrojnë në majë. Sa njerëz nuk kanë bërë atë që kanë dashur, për shkak të presionit familjar e shoqëror? Të sigurt të jemi se nuk është vetëm një problem shqiptar. “Mos u merr me muzikë, se s’do bëhesh këngëtar; ç’të duhet aktrimi, se s’do bëhesh aktor; boll shkarravite, dashke të bëhesh piktor ti!; mjaft luajte me top, se s’do të të japë bukë sporti”, e të tjera tjera fraza si këto që i kemi dëgjuar dhe vazhdojmë t’i dëgjojmë shpesh e rëndom. “Pasoja është se shumë njerëz me talent, njerëz brilantë, kreativë, mendojnë se nuk vlejnë një dyshkë për shkak të këshillave të tilla”, thotë Ken Robinson.

    Njerëzit janë aq të ndryshëm, saqë tashmë është vërtetuar se secili prej nesh ka një numër të caktuar komponentësh që formojnë personalitetin. E keni parasysh kur thoni “Ky nuk është për shkollë”? Të gjithë e themi shpesh për ndonjë të njohur, por në gjuhën shkencore “ai tipi” që nuk qenka për shkollë, ka një kombinim të tillë të komponentëve të personalitetit që nuk është efektiv në sistemin tonë shkollor. Për shembull nuk mund të mësojë në mënyrë sistematike çdo ditë, nuk mëson dot prej zorit, mund të jetë i zoti në lëndë të tjera që as nuk janë përfshirë në kurrikulën shkollore.

    Një prej historive që ilustron më së miri tezën e Ken Robinson është kjo: “Një vajzë 6 vjeç gjatë orës së vizatimit ishte ulur në fund të klasës dhe vizatonte. Mësuesja thoshte se vajza nuk ishte kurrë e vëmendshme, por këtë herë kishte rënë me kokë duke vizatuar. I afrohet dhe e pyet: “Çfarë po vizaton?” Dhe vajza iu përgjigj “Po vizatoj Zotin.” Mësuesja i hedh një vështrim të çuditur e i thotë: “Por askush nuk e di çfarë pamje ka Zoti”, dhe vajza ia kthen menjëherë: “Epo tani do ta dinë!””

    Prandaj shkolla duhet ta konsiderojë seriozisht alternativën e ndryshimit, me një objektiv kryesor: Ta ruajë dhe të përfitojë prej imagjinatës njerëzore./Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post