Aktualitet

Shkarkohet Kryeredaktori i BalkanWeb. Tedi Blushi tregon si ndodhi ngjarja

Në komunikimin e fundit verbal dhe jo ligjor nga ana e administratorit të kompanisë, në prani të drejtorit te informacionit mora dje urdhërin e prerë: "Je i shkarkuar! Pikë! Ik tani urgjent ose do të nxjerr jashtë zyrës së kryeredaktorit me policë!!!!!". Pra u paralajmërova të tërhiqem zvarrë me policë sepse po kërkoja zbatimin e ligjit brenda një kompanie mediatike që kryefjalë ka patur denoncimin e shkelësve të ligjit!

Që nga dita e djeshme, gazetari i njohur Tedi Blushi nuk është më kryeredaktor i Balkanweb. Edhe pse 11 vite  në fushën e gazetarisë shqiptare dhe së fundmi në poste drejtuese të njërit prej portaleve më të lexuar në Shqipëri, duket se shkarkimi i tij jo vetëm që nuk ka pasur motivacion, por është bërë edhe në shkelje me të gjitha parimet.

Në një status të gjatë në rrjetet sociale, gazetari Blushi ka sqaruar se çfarë ka ndodhur një ditë më parë, mes tij dhe në zyrën e administratorit të kompanisë Mustafa Muci.

Sipas tij, pasi administratori i kompanisë e ka fyer dhe e ka kërcënuar deri edhe në “tërheqje zvarrë nga zyra me policë”

Statusi i plotë:

Nga sot "de facto" nuk jam më në drejtimin e portalit BalkanWeb.com. Me pak fjalë më kanë komunikuar se është vendosur të mos jem më kryeredaktor.

E vërteta është se për këtë largim (ende jo de jure) unë nuk kam asnjë komunikim zyrtar nga drejtuesit e medias ku punoj prej gati 11 vitesh, nga të cilat 6 vite me pronarin e ri. Kam pasur vetëm dy komunikime verbale me drejtorin e informacionit, administratorin dhe një takim informal me pronarin e kompanisë ku punoj, të cilët më kanë njoftuar se për arsye të njëanshme, pa më dhënë asnjë motivacion konkret, kanë vendosur pa dijeninë time, që unë të mos jem më në drejtimin e portalit.

Në respekt të Kodit të Punës dhe investimit tim prej më shumë se një dekade në këtë "grup mediatik" kam kërkuar në të gjitha këto takime informale e zyrtare, që të njihesha qoftë edhe verbalisht me motivacionin e shkarkimit nga detyra. Por në mënyrë të përsëritur më është refuzuar e drejta për t'u njohur me arsyet edhe pse qartësisht i kuptoja.

Kam kërkuar një motivacion zyrtar të vendimit për largimin nga puna sepse nuk gjeja asnjë arsye tek vetja për të ikur kokëulur nga një media ku kam investuar dhe jam rritur profesionalisht.

E vërteta është që unë gjithmonë kam refuzuar cënimin e produktit profesional. Edhe pse kam operuar në kushte tensioni dhe refuzim të hapur bashkëpunimi nga drejtori i ri i informacionit jam munduar gjithmonë që brenda etikës profesionale të refuzoj censurën dhe çdo lloj forme që tentonte të përziente parimet profesionale me axhendat personale financiare e politike.

E vërtetë është gjithashtu, që në median ku kam punuar edhe pse nuk ka një linjë editoriale "të komunikuar" unë kisha marrë vendimin të respektoja parimin e moscënimit të interesave të kompanisë ku punoj. Dhe jam i bindur qe kam bërë mire sepse ky është një parim që respektohet kudo.

Duke mos pranuar ta identifikoj veten me censurën dhe të mos i bindem verbërisht cënimit të produktit profesional aq më tepër dinjitetit profesional, kërkova pra, siç e kërkon ligji që akti i shkarkimit (pra i ndërprerjes së kontratës) të më jepet me shkrim.

Në komunikimin e fundit verbal dhe jo ligjor nga ana e administratorit të kompanisë, në prani të drejtorit te informacionit mora dje urdhërin e prerë: "Je i shkarkuar! Pikë! Ik tani urgjent ose do të nxjerr jashtë zyrës së kryeredaktorit me policë!!!!!".

Pra u paralajmërova të tërhiqem zvarrë me policë sepse po kërkoja zbatimin e ligjit brenda një kompanie mediatike që kryefjalë ka patur denoncimin e shkelësve të ligjit!

E vërteta është që unë kam punuar me përkushtim, ndershmëri e dashuri në këtë media sepse e adhuroj këtë profesion dhe e çmoj së tepërmi fjalën e lirë. Siç besoj e ka çmuar e gjithë ajo armatë gazetarësh që në kushte presioni për të dhënë dorëheqje ose të gjendur përballë një vendimi për shkarkim faktik janë larguar (në heshtje ose jo) këtë vitin e fundit nga grupi mediatik.

Ndaj kur jam paralajmeruar se nëse hy në zyrë do tërhiqem zvarrë prej aty me policë, po pres të sqarohet ligjërisht pozicioni im në raport me kompaninë ku kam punuar prej 11 vitesh, për të mbajtur edhe unë qëndrimet e mia të mëtejshme.

Në fund, por jo për nga rëndësia, një falenderim i veçantë i shkon papërjashtim të gjithë gazetarëve të stafit të BalkanWeb, të gjithë kolegëve dhe miqve të "Gazeta Shqiptare" dhe "News 24" me të cilët kam bashkëpunuar ngushtësisht dhe kam ndarë ditët më të bukura në jetën profesionale! E.C/ Copyright TiranaPost.al