• Shqip
  • English
  • E martë, 17 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet My Albania Ngjarje Politikë Të gjitha

    Shkarkohet dhe dorëhiqet! Koço ironizon Kodhelin


    Edhe pse u largua nga postet drejtuese të Partisë Socialiste, ai e mbylli me një sulm personal ndaj një zonje. Kokëdhima: “Shoqja Mimi u tha socialistëve, unë jam Edi Rama me flokë”

    Nuk ka asamble të Partisë Socialiste pa polemika, “shaka pa kripë”, apo sulme individuale ndaj të tjerëve. Edhe pse Koço Kokëdhima u largua nga postet drejtuese të partisë, ai e mbylli me një sulm personal ndaj një zonje. Mimi Kodhelit, Ministres së Mbrojtjes. Duke folur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Kokëdhima u shpreh se shkarkimi i tij nga posti i sekretarit për Reformën Strukturore dhe migracionin në PS ishte përgatitur kohë më parë dhe ishte “i cekët e vetëdiskreditues”.

    “Kjo është një dëshmi tjetër se shkarkimi im kishte nisur shumë kohë më parë, pikërisht kur Gjykata Kushtetuese hoqi mandatin tim në datën 9 maj 2016. Vetëm një ditë më pas, u mblodh kryesia e partisë. Mua, qëllimisht, nuk më njoftuan që të marr pjesë. Në këtë mbledhje u zëvendësova nga funksionet e mia në Vlorë, pa asnjë diskutim paraprak, pa asnjë njoftim, pa asnjë këshillim”.

    Dy fjalë për zëvendësuesen e tij zonjën Mimi Kodheli, fjalë jo etike ndaj një zonje. “Shoqja Mimi Kodheli që u caktua në vendin tim në Vlorë, në vizitën e parë që bëri në Këshillin Koordinativ të Qarkut dhe në asamblenë e partisë, deklaroi: “Unë jam Edi Rama me flokë” dhe “tani e mbrapa këtu drejtoj vetëm unë”! Pasi drejtuesit e partisë e kuptuan se sa i cekët e vetëdiskreditues ishte argumenti i mungesave të mia në mbledhje, dje dhe pardje bënë këtë mocion, duke u marrë firmat 150 anëtarëve të asamblesë”, u shpreh Kokëdhima. Ai shtoi se kjo nuk ishte një histori personale.

    “Jam duke ju shpjeguar një situatë politike shumë të mprehtë për ju dhe për gjithë veprimtarët anë e kënd Shqipërisë, që kanë ambicie që të bëjnë karrierë politike në Partinë Socialiste”, iu drejtua Kokëdhima anëtarëve të Asamblesë. Kokëdhima thotë se dha dorëheqjen nga postet drejtuese, por në fakt ai u shkarkua. Mësohet se 158 anëtarët e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste votuan sot për shkarkimin e Kokëdhimës, ku 155 prej tyre votuan pro, ndërsa vetëm 3 kundër.

    Nga punimet e Asamblesë Kombëtare të PS është vendosur që Luljet Dollani dhe Taulant Balla të zgjidhjen nënkryetarë të Asamblesë. Deputeti tjetër, Ulsi Manja është zgjedhur sekretar i PS-së, ndërsa Ervin Bushati Kryetar i Këshillit të Financave. Po ashtu janë zgjedhur edhe anëtarët e Asamblesë të cilët do të jenë Ethem Ruka, Ilir Zela, Bukurosh Stafa dhe Luan Hajdaraga. Asambleja e Partisë Socialiste ka zëvendësuar Koço Kokëdhimën si sekretar për Emigracionin dhe Reformën Strukturore, duke vendosur në vend të tij Stefan Çipën.

    FJALA E PLOTE E KOÇO KOKËDHIMËS
    Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare! Propozimi i Kryesisë së Partisë Socialiste për shkarkimin tim nga Sekretar u justifikua publikisht me mungesat e mia në mbledhje. Në të vërtetë unë kam munguar në mbledhjet e qershorit dhe të korrikut, ndërsa nga gushti e këtej, nuk jam njoftuar në mënyrë të qëllimtë për të mos marrë pjesë në asnjë mbledhje. Në 18 tetor i shkruajta kryetarit të partisë këtë mesazh:

    “Dje ishte mbledhja e radhës e kryesisë së PS-së për të cilën nuk më keni njoftuar dhe nuk më keni mundësuar pjesëmarrjen, njësoj siç bëtë edhe në shtator. Kjo ndodh me siguri me urdhrin tuaj. Edhe sh.p.k.-në tuaj ta kishit atë parti, do ishit më formal e më institucional, edhe kur eliminoni ata që i shpallni kundërshtarët tuaj”!

    E njëjta situatë ndodhi edhe në mbledhjen e dy javëve më parë, kur, megjithëse u diskutua për shkarkimin tim, drejtuesit e partisë nuk më thirrën që të më dëgjonit, të më jepnit mundësi për t’u shpjeguar e për t’u mbrojtur. Kjo është një dëshmi tjetër se shkarkimi im kishte nisur shumë kohë më parë, pikërisht kur Gjykata Kushtetuese hoqi mandatin tim në datën 9 maj 2016. Vetëm një ditë më pas, u mblodh kryesia e partisë.

    Mua, qëllimisht, nuk më njoftuan që të marr pjesë. Në këtë mbledhje u zëvendësova nga funksionet e mia në Vlorë, pa asnjë diskutim paraprak, pa asnjë njoftim, pa asnjë këshillim. Shoqja Mimi Kodheli që u caktua në vendin tim në Vlorë, në vizitën e parë që bëri në Këshillin Koordinativ të Qarkut dhe në asamblenë e partisë, deklaroi: “Unë jam Edi Rama me flokë” dhe “tani e mbrapa këtu drejtoj vetëm unë”! Pasi drejtuesit e partisë e kuptuan se sa i cekët e vetëdiskreditues ishte argumenti i mungesave të mia në mbledhje, dje dhe parëdje bënë këtë mocion duke u marrë firmat 150 anëtarëve të asamblesë.

    Nuk jam duke ju treguar një histori personale, jam duke ju shpjeguar një situatë politike shumë të mprehtë për ju dhe për gjithë veprimtarët anë e kënd Shqipërisë, që kanë ambicie që të bëjnë karrierë politike në Partinë Socialiste. Të gjithë e dinë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një vendim i urdhëruar politikisht. Unë nuk kam kryer asnjë veprim të gabuar dhe asnjë shkelje ligjore. Megjithatë, u gjenda pothuajse krejtësisht i vetëm përballë sulmeve të Saliut dhe të opozitës. Gjatë gjithë vitit të fundit të mandatit isha vazhdimisht mes dy zjarresh, nga brenda Partisë Socialiste dhe nga opozita.

    Gjyqi në Kushtetuese nuk ishte një betejë ligjore, nuk ishte as betejë politike mes meje dhe Saliut. Gjyqi im në Kushtetuese ishte vazhdim i luftës së brendshme politike në Partinë Socialiste, me duar e me mjete të tjera nga jashtë partisë. Drejtuesit më të lartë të partisë sonë komplotuan kundër mandatit tim me qëllim që të eleminonin rolin, ndikimin dhe funksionet e mia si deputet dhe si drejtues partie. Qeveria jonë ishte në dijeni përpara se të shqyrtohej çështja në Kushtetuese, për vendimin që do të merrej nga kjo gjykatë.

    Thelbësore është të kuptohet se në partinë tonë ka kaq shumë intriga, keqdashje dhe pabesi. Në bazë kemi militantë të devotshëm e njerëz të shkëlqyer, por kulturë të keqe e të mbrapshtë në drejtim. Në vend të saj duhet të mbretërojë solidariteti parimor dhe puna e përgjegjshme për të zgjidhë problemet e mëdha të vendit. Nuk mund të vazhdojnë këto luftëra të paprincipta kundër njëri-tjetrit. Vetëm puna, rezultatet, sjelljet dhe kontributet duhet të përcaktojnë ecurinë në karrierë.

    Nëse sot goditet mandati i një deputeti dhe ndërpritet aktiviteti i tij politik, mendoni sa shumë të tjerëve në parti e në popull, ju shkelen brutalisht liritë e të drejtat, ju shkatërrohet jeta e karriera. Ja pse këtu nuk diskutohet fati i karrierës së një njeriu, por diskutohet fati, liria dhe siguria e karrierës së seicilit nga ju dhe të secilit prej atyre që nuk janë në këtë sallë, diskutohen fatet dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.

    Unë nuk ligështohem nga këto veprime. E kam jetën plot dhe e shijoj punën çdo ditë. Jam i majtë në rrënjë, në gjak, në bindje e në qëndrime. Nuk shkoj në parti tjetër, nuk krijoj parti tjetër. Partia ime është Partia Socialiste.
    Në këto tre vjet si deputet, jetova pothuajse gjithë kohën me socialistët e bazës dhe qytetarët e thjeshtë, fshat më fshat e qytet më qytet. Takuam e dëgjuam me mijëra njerëz, ju përgjigja çdo letre, telefonate e sms-je. Trajtuam me vëmendje e drejtësi çdo kërkesë, ankesë e sugjerim, e mbajtëm derën hapur për çdo nevojtar. Bëmë pa u lodhur avokatinë e njerëzve të thjeshtë dhe qëndruam me vendosmëri në anën e tyre. Iniciuam dhe zhvilluam qindra programe dhe projekte zhvillimi dhe vumë në lëvizje shumë punë me të gjitha institucionet shtetërore, për të zgjidhur problemet e pazgjidhura në vite në bregdetin e jugut.

    Jam shumë krenar për qindra e mijëra socilistë e qytetarë me të cilët kemi bashkëpunuar gjatë këtyre viteve. Krah për krah me ta, fituam të gjitha betejat elektorale e politike në 5 bashkitë e jugut dhe në qarkun e Vlorës.
    Në gjithë këtë komunikim të madh hartuam projektin për ta reformuar dhe demokratizuar Partinë Socialiste. Struktura politike ishte e mbuluar nga fiktiviteti, e marrë peng nga një grusht njerëzish, me organizata socialiste pa antarë dhe me kryetarë të përjetshëm, që nuk zgjidheshin, por e kishin OS-në si pronë private. Asnjë profesionist dhe zyrtar nuk kishte partia, asnjë raport nuk prodhohej, nuk kishte regjistra e rekorde të antarësisë dhe as baza të dhënash të tjera. Një strukturë politike e shpartalluar, që nuk garantonte asnjë standard e të drejtë statutore në zbatim.

    Unë udhëhoqa një punë shumë të madhe, të bërë së bashku me kolegët e mi, ku u angazhuan me mijëra vetë. E hapëm dhe tre-katër fishuam partinë. Të rinjtë vërshuan si kurrë më parë. Anëtarësuam 16 mijë djem e vajza. U ngrit struktura rajonale dhe u trainuan shumë njerëz që prodhonin raporte çdo ditë. Përpunuam e trajtuam 20 deri në 30 mijë komunikime në muaj me qytetarët. Njerëzit e pëlqenin këtë. Kudo flitej për Partinë Socialiste.

    Qëllimi ynë ishte që çdo qytetar të mos ndihej vetëm, asnjë njeri të mos abuzohej nga zyrtarët, të krijonim një mjedis demokratik në parti dhe të zhdukeshin sekserët e emërimeve, kullotave, hipotekave, ALUIZNI-t, shërbimeve etj. Ja dolëm që të eleminonim përgjithësisht emërimet me pagesë, nepotike, me diploma false dhe pa meritë. Nga një proces emërimesh personale të funksionarëve të partisë, seicili në “çiflikun” e vet, ai u kthye në një proces lobimi kolegjial, që përgatitej nga profesionistë, me kritere dhe metoda shumë trasparente dhe me feedback të gjerë nga publiku dhe partia.

    Ne punuam në kushte shumë të vështira dhe në afate shumë të ngushta kohe. Ndërsa unë punoja ditë-natë, disa këtu në udhëheqjen e partisë e shkonin kohën duke thurur intriga dhe shpifje. Reforma që zhvilluam kishte kundërshtarë të egër, ata funksionarë e zyrtarë të partisë që e kanë shaluar sistematikisht pushtetin dhe Partinë Socialiste për interesat e tyre personale.

    Mbas largimit tim, në qarkun e Vlorës u shpërbënë institucionet e reformës, u mbyll struktura rajonale, po hiqen drejtues me arsim të vërtetë e integritet dhe po vendosen drejtorë pa arsim e me diploma të blera; është rikthyer arroganca në institucione, paraja në emërime dhe në shërbimet shtetërore.Fatkeqësisht PS-ja në këto vite i ka përkeqësuar standardet dhe kapacitetet si parti politike moderne. Ajo, paradoksalisht, po shkon gjithnjë e më shumë drejt një bashkësie parapolitike.

    Kongresi i marsit të sivjetshëm, i vetmi në këto 3,5 vite, ishte një shans i humbur, ishte një dështim. Në kongres nuk miratuam dot asnjë dokument, asnjë program, asnjë vizion, asnjë plan. Edhe statuti i partisë u votua në parim. Draftin do e miratonte Asambleja Kombëtare në mbledhjen e parë pas kongresit. Sot kaloi dhe mbledhja e dytë. Tani kemi tre draftet e përgatitur nga Xhafa, Gjiknuri dhe Alket Hyseni, por asnjë statut. PS-ja ka një anëtarësi të shkëlqyer, njerëz besnikë e atdhetarë, qytetarë shembullorë dhe familjarë të dhimbsur.

    Ajo vuan nga mungesa e demokracisë së brendshme, nuk ka debat të shëndoshë, është një parti autokratike dhe drejtimi i saj është arbitrar. Është e mbyllur për debatin, për mendimin ndryshe, nuk është në gjendje që të përfshijë qytetarët në politikëbërje e në mirëqeverisje. Nuk funksionon me rregulla, nuk garanton të drejtat e anëtarësisë për t’u zgjedhur e për të zgjedhur, nuk ka ekspertizë. Përfaqësuesit emërohen nga lart, nuk zgjidhen nga poshtë, drejtuesit nuk japin llogari dhe nuk kontrollohen në asnjë formë, drejtuesit e partisë janë të shkëputur nga baza, e shfrytëzojnë bazën e partisë dhe elektoratin, por nuk e përfaqësojnë dhe nuk e shërbejnë atë.

    Aseti më i rëndësishme në një parti nuk është “udhëheqësi karizmatik”, as “mesazhi i goditur” dhe as “shumë para”. Një parti që ka vetëm këto tri asete nuk ka shanse suksesi për një kohë të gjatë. Sukses afatgjatë e të qëndrueshëm ka një parti me demokraci të lartë dhe me një anëtarësi të madhe e në rritje. Kjo parti nuk e lejon udhëheqjen të shkëputet nga populli, nga elektorati, nga qytetarët. Anëtarësia e kësaj lloj partie e pengon udhëheqjen që të katapultojë njerëz nga hiçi, nga askushi, që s’kanë bërë asgjë të rëndësishme në jetë, njerëz të paaftë, të paformuar e të paedukuar dhe t’i bëjë ministra, funksionarë të lartë dhe përgjegjës për punët e shtetit.

    Partia Socialiste nuk mund të reformohet nga lart, sepse nuk kanë vullnet drejtuesit e saj. Ajo mund të reformohet vetëm me ligj dhe nga poshtë, me vullnetin, energjinë dhe presionin e socialistëve të bazës dhe qytetarëve të vendit. Lëvizja jonë do të bëjë këtë reformim nga poshtë. Pa demokratizimin e Partisë Socialiste, s’ka demokratizim të qeverisjes. Pa demokratizim të qeverisjes, s’ka përparim ekonomik.

    E kemi nisur këtë lëvizje pak kohë më parë. Drejtuesit e partisë sonë kanë reaguar në mënyrën më të keqe. Me urdhërin e Kryeministrit Rama janë flakur nga puna dhe ju është hequr buka e gojës shumë njerëzve, vetëm sepse ata besojnë, se Partia Socialiste duhet të demokratizohet. Tedi Nasto është shkarkuar nga detyrat në parti dhe është pushuar nga puna. Është anëtar i Asamblesë Kombëtare. Nertila Selimi, u pushua nga puna dhe u shkarkua nga funksioni në parti. Është anëtare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ardit Xhafaj u pushua nga puna. Është anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

    Pse i keni pushuar nga puna këta tre anëtarë të Asamblesë Kombëtare, zoti Kryeministër? E quani pjesë të lojës politike këtë? Thoma Kordha u shkarkua si nënkryetar i bashkisë Finiq nën presionin e qeverisë. Silvana Islami u pushua nga puna dhe u shkarkua nga funksioni që mbante në parti. Gjergji Robo u pushua nga puna, nga ju personalisht. Elton Luto nuk u lejua që të konkurojë për kryetar FRESSH-i në Vlorë, ndërsa Marinela Zotaj u përjashtua nga gara në Finiq. Alban Alikaj në Sarandë është shantazhuar me përjashtim nga partia. Janë me qindra ata socialistë që kërcënohen për t’i larguar nga puna.

    Kjo është kultura e Saliut, nuk është kultura e së majtës. Vetëm Saliu i ka pushuar socialistët pa mëshirë nga puna, për arsye politike. Dua t’a pyes kryetarin e Partisë Socialiste: Çfarë jeni duke bërë? Ku jeni duke e çuar Partinë Socialiste? Nuk mund të burgosen dhe shantazhohen idetë. Lërini të lirë njerëzit se jeni bërë gazi i botës. Në Kinoteatrin e Vlorës, kryetarët e OS-ve sollën gratë, nënat e familjarët e tyre që t’u shpëtonin ndëshkimeve tuaja. Merru me qeverisjen e vendit se ajo është detyra jote.Mos i përndiq socialistët e thjeshtë.

    Mua nuk më izolon dot. Jemi vetëm 6 muaj përpara zgjedhjeve dhe këto veprime e sjellje e përçajnë Partinë Socialiste. Ju kërkoj t’i ktheni në punë dhe në detyrat që kishin në parti, këta socialistë të nderuar. Çfarë do të mendojnë këta, familjarët dhe fiset e tyre, miqtë, krushqit, bashkëfshatarët për ju si kryetari i Partisë Socialiste, kur i pushoni nga puna me dorën tuaj dhe i flakni dhe i poshtëroni si armiq të partisë, si shkelës të vijës së saj?
    Ju ndëshkoni njerëzit tanë për shkak të ideve të tyre politike. Këtë kulturë, Shqipëria e ka kapërcyer që me përmbysjen e diktaturës komuniste. Ata janë shumë të rinj dhe do të jetojnë gjatë. Sa të jetojnë ata, do të mbahen mend e do të tregohen këto historitë tuaja.

    Vija e partisë nuk janë urdhërat tuaja në telefon për të pushuar socialistët nga puna. Vija e partisë është Kushtetuta e Shqipërisë, janë ligjet e vendit, është e drejta e popullit shqiptar që të jetojë i lumtur e në mirëqenie në Shqipërinë e lirë, të pavarur dhe sovrane, janë normat e statutit të munguar të partisë.

    Populli ynë është në një gjendje shumë të vështirë. Ai vuan nga varfëria, papunësia, sjelljet e këqia, arroganca dhe paaftësia e zyrtarëve për t’i shërbyer dhe zgjidhur punët. Të vjetrit janë të lodhur e të dekurajuar. Të rinjtë nuk kanë asnjë shpresë. Të gjithë duan të ikin sapo t’u krijohet një mundësi. Çdo vit e lënë Shqipërinë jo më pak se 60 mijë forca të afta për punë, kryesisht të rinj. Pavarësisht kësaj, niveli i papunësisë qëndron njësoj i lartë. Populli është i mërzitur masivisht, perceptimi negativ për ekonominë, gjithashtu. Të lumtur janë vetëm një grusht njerëzish të elitës politike dhe të bizneseve të lidhura me ta.

    Pas 25 vitesh demokracie, akoma vidhen, trafikohen, shiten e blihen vota. Nëse nuk garantohen zgjedhje të lira e të ndershme, vendi do të vazhdojë që të vuajë nga skamja dhe varfëria ekstreme. Pastrimi i zgjedhjeve kërkon votimin dhe numërimin elektronik në qendrat e votimit dhe një paketë masash ligjore. Partia Socialiste ka mundësinë dhe përgjegjësinë ta zgjidhë këtë problem jetik për vendin.

    Sot populli shqiptar nuk zgjedh drejtpërdrejt asnjë përfaqësues, as presidentin, as kryeministrin, as deputetin, as kryetarin e bashkisë, as këshilltarin, as gjyqtarë, as prokurorë, asnjë për be.
    Në se populli nuk e do një deputet, nuk ndodh asgjë, ai do jetë prapë deputet, sepse e do kryetari i partisë. Në se deputeti diskreditohet, nuk ndodh asgjë. Kryetari e riciklon duke e transferuar në një qark tjetër në zgjedhjet e radhës. Nëse populli të do, nuk ndodh asgjë, deputet bëhesh vetëm kur të do kryetari. Po s’të do kryetari, nuk ke vend në parti. Populli voton, kryetari i partisë zgjedh. Kryetari është bërë si pronar i partisë. Ky është sistemi i partitokracisë, një sistem i kalbur e i dështuar.

    Drejtuesit e partisë janë pranë popullit vetëm në fushata elektorale. Pastaj nuk e njohin më, nuk e dëgjojnë, nuk i hapin telefonin, nuk e respektojnë, nuk e kuptojnë, nuk e konsiderojnë. Qytetarët duan një Shqipëri ku të kenë shpresë dhe të ndihen mirë edhe më të varfërit, edhe elitat, edhe të rinjtë edhe të moshuarit, edhe punonjësit edhe sipërmarrësit që nuk kanë miqësi me qeveritarët.

    Lëvizja jonë kërkon që në parti të mos denigrohet askush, por të debatohet për idetë, projektet dhe platformat. Që në këtë parti të mos dëgjohet vetëm kryetari, por të dëgjohen edhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë dhe anëtarësia e partisë, të dëgjohen dhe pyeten edhe forumet e saj, edhe kjo Asamble Kombëtare që nuk pyetet për asgjë; që në këtë parti të mos i mbyllet goja njeriut, të mos jenë të lumtur vetëm ata që marrin pushtet, por të luftohet për lumturinë e të gjithëve, të mos manipulohet e intimidohet anëtarësia, por të lejohet kjo e fundit t’i zgjedhë vetë përfaqësuesit, t’i zgjedhë vetë kandidatët për deputetë, këshilltarë e kryetarë bashkish përmes zgjedhjeve paraprake etj.

    Çdo individ që kënaq kriteret e supozuara, duhet të ketë mundësi të hyjë në zgjedhjet paraprake, pavarësisht në se kryetari e pëlqen ose jo. Partia Socialiste nuk është prona personale e Edi Ramës. Ai emëron deputetët, edhe këshilltarët, edhe kandidatët për kryetarë bashkie, edhe drejtorët, edhe çdo pozicion në parti. Me demokratizimin e PS-së ajo do të bëhet parti e të gjithëve dhe nuk do bëjë premtime sa për t’u hedhur hi syve votuesve, por do ju qëndrojë këtyre premtimeve deri në fund.

    Nëse kandidatët për deputetë do t’i zgjedhë baza e partisë, deputetët do të përfaqësojnë dhe mbrojnë qytetarët dhe nuk do lejonin kurrë që të mbushej Shqipëria me inceneratorë e të kthehej në parajsën e plehrave të dynjasë. Edhe inceneratorin e Bechetit, Rama po e vë në jetë. Inceneratorët janë e vetmja gjë e re në rrethanat e pas vitit 2013. U kthye ligji i importit të mbetjeve vetëm për të ushqyer këto monstra me plehra të valorizuara të Italisë. Rama i preu në besë qytetarët dhe ambientalistët dhe i ka lënë që të gdhihen jashtë në gjithë këto netë dimri. Ky është një turp i madh.

    Nëse duam që në Shqipëri të luftohet varfëria dhe papunësia, duhet të pastrojmë zgjedhjet; nëse duam që të marrë fund ekonomia kriminale e hashashit, duhet që kandidatët për deputetë t’i zgjedhë baza, nëse duam që të pastrohen të inkriminuarit e tutkunët e paaftë nga punët e shtetit, nuk duhet që të lejohet më tej që kandidatët për deputetë t’i zgjedhë kryetari; nëse duam që të ndalim emigrimin e frikshëm dhe t’u japim një shans për të jetuar në Shqipëri emigrantëve që kthehen, duhet të pranojmë një sistem primaresh për kandidatët për deputetë.

    Lëvizja jonë do të fillojë këto ditë nënshkrimin e peticionit: Unë e zgjedh deputetin që dua! Kjo lëvizje është edhe shkaku që sot po kërkohet shkarkimi formal nga funksioni i sekretarit. Kjo po kërkohet sepse drejtuesit e partisë i shqetëson komunikimi im me qytetarët dhe socialistët e bazës. I keni parë si mbushen sallat plot e përplot edhe pse qeveria paguan gjithë ata njerëz që të sabotojnë këto takime. Njerëzit janë entuziaztë dhe i pëlqejnë idetë e kësaj lëvizjeje. Në pak javë do kemi në dorë programin e plotë të saj.

    Është shumë interesante kjo që po ndodh. Qeveritë nuk e luftojnë korrupsionin, ato e prodhojnë korrupsionin. Të gjitha plagët që ka në trup e në shpirt ky popull i janë shkaktuar nga qeveritë e këqia të tranzicionit. Qytetari i thjeshtë është i vetmi Zot që mund ta ndryshojë rrjedhën e historisë dhe t’i shërojë këto plagë. Kjo ide është themeli i lëvizjes tonë. Kryetari ynë shqetësohet se kjo po zë vend në popull. Prandaj, ditën që ne bëmë bashkëbisedimin me qytetarët e Vlorës, vendosi të ma hiqte edhe formalisht funksionin e sekretarit. Është duke më dënuar siç dënuan grekët Sokratin 2400 vjet më parë, vetëm se ky i fundit besonte se populli qe i vetmi Zot. Ai e kishte humbur besimin te perënditë e Olimpit. Rama është shumë i keqkuptuar kur e mendon veten si zot në këtë vend.

    E gjithë kjo që po ndodh është vazhdimi i një plani gjakftohtë për të më likuiduar politikisht. Kjo nuk ka lidhje me ju si anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Ka lidhje vetëm me drejtuesit më të lartë të PS-së, Edi Ramën e Gramoz Ruçin. Prandaj nuk do ju vendos në pozitë dhe do ju liroj nga presioni i tyre. Këta dy shokë udhëheqës kanë përgjegjësinë politike dhe njerëzore dhe duhet të mbajnë autorësinë e plotë të kësaj historie. Unë bëj dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i sekretarit të Reformës Strukturore dhe Emigracionin.

    Nuk e kërkova këtë post në Asamblenë e 23 prillit. Propozimi i Ramës për t’u zgjedhur unë në këtë funksion nuk ishte i sinqertë, por u bë thjesht dhe vetëm si mbulesë për atë që po përgatitej me Gjykatën Kushtetuese. Mua nuk më shton gjë në komunikimin publik dhe politik asnjë titull e funksion. Do të vazhdoj luftën time si anëtar i Kongresit dhe i Asamblesë Kombëtare të PS-së.

    Në këtë punë mbi tre vjeçare u njoha me njerëz shumë të mirë në Grupin Parlamentar të PS-së, në kryesinë e partisë, në asamble dhe kongres. I falënderoj nga zemra dhe u jam shumë mirënjohës për mbështetjen.
    Me përunjësinë më të madhe dua të falënderoj socialistët dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, këtu dhe në emigracion, që besojnë tek unë dhe më kanë dhënë gjithë atë mbështetje të madhe dhe emocionuese, gjatë gjithë kohës, por sidomos këto 6 muajt e fundit.Ju uroj të gjithë socialistëve dhe qytetarëve të Shqipërisë, Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Faleminderit”.

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690