Aktualitet

Shkarkimi i presidentit, Ulsi Manja tregon hapat që do marrë tani Komisioni Hetimor Parlamentar

“Votimi në parlament është votim politik, ndërsa Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm kushtetues që do të japë një vlerësim në aspektin kushtetues dhe ligjor për këtë procedurë shkarkimi”, thotë Ulsi Manja, kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, të ngritur për presidentin Meta.
Shkarkimi i presidentit, Ulsi Manja tregon hapat që do marrë tani

Para datës 8 dhjetor pritet të mbyllet e gjithë puna e Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e presidentit Meta. Në një intervistë mbrëmë në ABC News, kryetari i këtij komisioni Ulsi Manja tha se koha deri në 8 dhjetor do të shfrytëzohet për ta zbatuar planin e hetimit që është miratuar në Komision.

Por çfarë ka ngelur pa bërë?

Ulsi Manja thotë se do të administrohen provat shkresore, duke përfshirë opinionin e Venecias, atë paraprak dhe final, gjithashtu shkresa e presidentit Meta me arsyet e anulimit të 30 qershorit dhe informacionet që janë të klasifikuara pasi konsiderohen sekret shtetëror.

Për ABC News ai tha: “Komisioni është i detyruar të mbyllë punën që i ka ngarkuar Kuvendi me vendimin nr. 84 të vitit 2019. Është një komision që i kërkohet një vlerësim në aspektin ligjor nëse Presidenti e ka shkelur ose jo Kushtetutën, dhe raporti i këtij komisioni hetimor i tillë do të jetë. Më pas seanca plenare vendos politikisht për shkarkimin e Presidentit të Republikës”.

Lidhur me votimin e tij, Ulsi Manja shprehet:

“Nuk kam asnjë arsye të paragjykoj votën time e as qëndrimin tim. Unë qëndrimin tim do ta shpreh në komisionin hetimor që unë drejtoj dhe votën time do ta shpreh në seancë plenare së bashku me gjithë kolegët e mi të mazhorancës”.

Nga PS do të vazhdojnë dhe do të votojnë në parlament shkarkimin e presidentit, por ky i fundit do të qëndrojë në detyrë deri kur ti rikthehet funksionit Gjykata Kushtetuese, institucioni që do të vulosë për presidentin.

“Votimi në parlament është votim politik, ndërsa Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm kushtetues që do të japë një vlerësim në aspektin kushtetues dhe ligjor për këtë procedurë shkarkimi”, thotë në fund kreu i Komisionit, Ulsi Manja./ Tiranapost.al E.B