Politikë

Shkarkimi i Presidentit, Kumbaro: Nuk ka tërheqje, do zbatohet procedura

Shkarkimi i Presidentit, Kumbaro: Nuk ka tërheqje, do zbatohet procedura

Deputetja e Partisë Socialiste, Mirela Kumbaro, thotë se në seancën e së enjtes në Kuvend nuk do të shkarkohet Presidenti i Republikës, por do të prezantohet një draft rezolutë për të cilën do të bëhet debat intensiv.

Në një studio televizive, Kumbaro theksoi se shkarkimi i postit të Presidentit nuk ndodh në një ditë, por janë procedura të parashikuara nga rregulloret e Kuvendit dhe Kushtetuta.

“Nesër nuk ndodh shkarkimi i askujt, nesër propozohet një draft rezolutë, e cila në fakt përmban tema dhe pika të rëndësishme që do të ngjallin edhe për çka do të bëhet debati. Do të jetë një debat intensiv dhe pastaj gjithë proceset e tjera do të ndjekin logjikën e tyre. Ajo që është e rëndësishme nesër është që në foltoren e Kuvendit të diskutohet gjerë e gjatë dhe përballë publikut të gjitha kontestimet që PS ka lidhur me veprimet e fundit të Presidentit”, tha Kumbaro.

Lidhur me mbledhjen e firmave për kërkesën për shkarkimin e Presidentit, Kumbaro tha se nuk ka tërheqje nga kjo procedurë, ka një proces. Ajo theksoi se janë procedura të parashikuara nga rregulloret e Kuvendit dhe Kushtetuta, dhe do të ndiqen ato hapa.