Qyteti

Shihni në foto si ka ndryshuar sheshi tek zona e njohur 'Selvia'

Shihni në foto si ka ndryshuar sheshi tek zona e njohur 'Selvia'

Sheshi në zonën e njohur si “Selvia” ka marrë një pamje tjetër, ndërsa busti i heroit kombëtar “Vojo Kushi”, dikur i rrethuar nga ndërtimet pa leje, ka dalë në pah. Erion Veliaj  foli për projektin dhe tha se si shumë të tjerë në kryeqytet, nisi fillimisht me debate politike, por përfundoi me sukses dhe u përqafua nga të gjithë.

“Nga zemra buron vetëm mirënjohje për të gjithë ata që e kanë rrethuar me shumë dashuri këtë projekt. Një projekt që filloi me sherr, si shumica e gjërave të bukura në Shqipëri, me shamatë, me përplasje me politikanë që kishin bingo, baste, dyqane, që ia kishin hipur sipër Vojo Kushit, si Vojo Kushi tankut. Tani të gjitha duken të kaluara, strese që i përkasin të shkuarës, sidomos kur një punë del mirë dhe ka duk”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se e drejta dhe e mira fitoi, pavarësisht lidhjeve me politikën të atyre që kishin ndërtuar pa leje në hapësirat publike.

Paralelisht me punimet në Njësinë 8, kantieret e punës vijojnë edhe në zona të tjera. “Kjo është një punë që ka duk, është pjesë e planit të Bashkisë për të rregulluar disa hapësira të vogla. Po punojmë edhe te Medreseja, te Kafe Flora. Kush lëviz nëpër Tiranë ka parë që gjithë këto hapësira po transformohen dhe gjenerojnë energji pozitive në komunitet”, theksoi Veliaj.

Veç rehabilitimit të lulishtes tek “Selvia” dhe çlirimit të bustit të heroit kombëtar, Vojo Kushi, në prag të 75-vjetorit të çlirimit të vendit, ka nisur edhe fushata e mbjelljeve.

Deputeti i PS, Ervin Bushati vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës për t’ia kthyer komunitetit hapësirat e zaptuara./ Tiranapost.al.