Aktualitet

Shifra shqetësuese, sa shqiptarë janë të varur nga heroina

Esencë editori/ Përfaqësuesi i një qendre rehabilitimi thotë se po punohet me Bashkinë e Tiranës, apo edhe bashki të tjera, për të gjetur mundësi punësimi për personat që kanë krijuar varësi nga droga, në mënyrë që të kenë një jetesë normale.
Shifra shqetësuese, sa shqiptarë janë të varur nga heroina

Rreth 7 mijë persona mendohet se janë përdorues të rregullt droge në vendin tonë. Këto janë konstatuar gjatë një investigimi të realizuar nga “Topchannel” në terren. Ndonëse shifrat janë shqetësuese, kësaj kategorie nuk i ofrohen shumë shërbime. Sipas Genci Muçollarit, nga shoqata “Aksion Plus”, “ka shumë raste të rikthimit të personave në terapi pas trajtimit në qendra rehabilitimi, sikurse ka pasur edhe raste që këta persona kanë shfaqur probleme të shëndetit mendor, e që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta”.

Organizatat që punojnë kundër përdorimit të lëndëve narkotike kërkojnë që shteti të ndërhyjë në forma të tjera për rehabilitimin e kësaj kategorie.

“Mirë mbaron terapia, por pastaj çfarë do të bëhet më tej me persona të tillë? Duke mos pasur mundësi punësimi apo riintegrimi, bëhet më e vështirë për rehabilitimin e tyre. Po punojmë me Bashkinë e Tiranës, apo edhe bashki të tjera, për të gjetur mundësi punësimi për ta, që të kenë një jetesë normale”, thotë më tej Muçollari.

Teksa rrëfen historinë e jetës së saj, një grua tregon sesi ka vendosur t’i largohet drogës, dhe po trajtohet me metadon.

“U martova me një përdorues heroine, nuk e dija që ai konsumonte. Pasi u bëmë me dy fëmijë, atëherë e mora vesh që ai pinte heroinë. Zihesha dhe më dhunonte pasi nuk sillte parà në shtëpi, rrihte fëmijët edhe mua. Me dhunë ma mësoi edhe mua, duke më detyruar ta pija herë pas here, derisa mu krijua varësia. Mos ta provojnë asnjëherë, sepse është një valle që po i hyre, është shumë e vështirë të dalësh. Edhe nëse ata do të duan ta lenë, nuk të lë ajo, sikurse të vret edhe opinioni”, thotë ajo, ndërkohë që vijon rehabilitimin.

Edhe një tjetër ish-përdorues heroine është braktisur nga familja, e për këtë bën përgjegjës rrugën e drogës.

“Jetoj vetëm, kam kohë që nuk rri me familjen si të gjithë të tjerët. Ata s’kanë faj, se i mërzisim përditë duke iu kërkuar parà. Edhe ata s’kanë ku t’i gjejnë lekët”, thotë ish-përdoruesi./Marrë nga TCH/ Tiranapost.al/