Art dhe Kulturë

Shefi i NETFLIX premton vazhdimin e House of Cards pa Kevin Spacey

Shefi i Netflix Ted Sarandos është shprehur se sezoni 6 dhe i fundit i serialit “House of Cards” që ishte programuar që prej një viti më parë do të filmohet dhe do të shfaqet për publikun, por pa pasur në të protagonistin Kevin Spacey i cili është akuzuar për një numër të madh ngacmimesh seksuale, disa prej të cilave me djem të mitur.

“Jemi shumë të emocionuar që lajmërojmë arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e serialit”- është shprehur Sarandos.

Prodhimi i sezonit final të serialit kishte filluar në muajin Tetor dhe pritej publikimi në vitin që vjen, por pas skandalit seksual që përfshiu aktorin e famshëm Kevin Spacey u vendos që të pezulloheshe prodhimi më së paku përkohësisht, por ekzistonte frika se skandali do të nënkuptonte dhe fundin e parakohshëm të një prej serialeve më të ndjekur të Netflix.

Protagonistja e filmit tashmë do të jetë aktorja Robin Wright, e cila ka pasur rolin e bashkëshortes së Frank Underwood, politikanit që interpretohej nga Spacey. Heqja e Spacey-t plotësisht nga seriali përshtatet dhe me rrjedhën e ngjarjeve pasi në momentet e fundit të sezonit 5 pikërisht, Clair Underwood bashkëshortja e Frank bëhet presidente dhe refuzon të kontaktojë me personazhin epiqendër të serialit për 5 sezone plot emocione dhe intriga.

Sezoni final ndryshe nga të tjerat do të ketë vetëm 8 episode dhe prodhimi i saj do të nisë në fillim të vitit pasardhës. K.H/ tiranapost.al