Lajme nga Bota

SHBA nuk ka interes për luftë me Iranin

SHBA nuk ka interes për luftë me Iranin

Pas bisedimeve të kryediplomatit amerikan Mike Pompeo me shefin e Kremlinit Vladimir Putin dhe me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, Moska dhe Uashingtoni shpresojnë për një përmirësim në marrëdhëniet e tyre të dëmtuara.

Putini, i cili e priti Pompeon në qytetin e Detit të Zi Soç, e përshkroi afrimin që ka nisur si të besueshëm. "Së fundit pata kënaqësinë të flas me Presidentin e SHBA. M'u krijua përshtypja se është në interesin tonë të përbashkët t'i rivendosim plotësisht marrëdhëniet ruso-amerikane", tha Presidenti rus. Ai shpreson se për këtë janë krijuar kushtet. Presidenti i SHBA Donald Trump tha të hënën se po planifikonte një takim me Putinin në samitin e G-20-ës në fund të qershorit në Japoni.

Ministri i Jashtëm Lavrov u tregua gjithashtu i hapur për një bisedë të tillë të nivelit të lartë. Mosbesimi ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së e pengon sigurinë e të dy vendeve, tha ai. "Ne kemi nevojë ta rindërtojmë besimin në të gjitha nivelet e dialogut tonë," tha Lavrovi. Pompeo theksoi se megjithë pozicionet e ndryshme ata do të vazhdojnë të flasin me njëri-tjetrin.

Dakordim për Korenë e Veriut

Marrëdhëniet midis SHBA dhe Rusisë janë prej vitesh të tendosura, për shkak të një numri të madh konfliktesh ndërkombëtare. Megjithatë, në bisedimet bërthamore me Korenë e Veriut, të dyja vendet kanë ndjekur të njëjtat qëllime, tha Pompeo pas bisedës së tij me Putinin. Në të njëjtën kohë ai theksoi rolin udhëheqës të qeverisë së SHBA në negociatat me shtetin e izoluar.

Në lidhje me luftën në Siri, Moska dhe Uashingtoni dërguan sinjale pajtuese. Të dyja palët, sipas Pompeos, ranë dakord për të ndjekur një rrugë, për ta shtyrë përpara kërkimin e një zgjidhjeje politike, që ka ngecur, në Sirinë e përfshirë nga lufta civile.

U bë e ditur se ata mbështesin krijimin e një komiteti, i cili do të ndjekë hartimin e një projekti për një kushtetutë siriane të pasluftës. Për këtë, deri tani kanë ekzistuar konflikte, lidhur me përbërjen e organizmit. Tani, Pompeo tha se shpreson të paktën të ndërmerret hapi i parë për formimin e një komiteti.

Mosmarrëveshje për Venezuelën dhe Iranin

Për luftën e pushtetit në Venezuelë, ministri tha: "Ne shpresojmë që të marrë fund mbështetja ruse për Maduron". Sipas tij, ka ardhur koha që lideri i diskutueshëm venezuelian, Nicolás Maduro, të lirojë postin e tij dhe të hapë rrugën për zgjedhje të ndershme pa ndërhyrje të jashtme. Ndërsa Lavrovi theksoi nga ana e tij se rrugëdalja nga kriza mund të jetë vetëm dialogu në politikën e brendshme. Një ndërhyrje nga SHBA nuk ka të bëjë aspak me të drejtën demokratike. Një ndryshim nuk mund të arrihet me forcë.

Marrëveshja bërthamore e Perëndimit me Iranin, e cila është në prag të prishjes, ishte gjithashtu pjesë e bisedimeve. SHBA nuk ka interes për luftë me Republikën Islamike, tha Pompeo. Uashingtoni dëshiron që "Irani të sillet si një vend normal". Por po do të sulmohen interesat amerikane, atëherë SHBA do të mbroheshin.

Rusia kritikon faktin se SHBA kanë braktisur marrëveshjen bërthamore me Iranin. Lavrovi përsëriti se Moska dëshiron ta ruajë Marrëveshjen,me mbështetjen e BE dhe të Kinës. Në këtë kuadër ka sipas Lavrovir rëndësi edhe shmangia e presionit me sanksione ndaj Iranit. /DW/ Tiranapost.al/