Aktualitet

Seri takimesh

E mërkura po vijon me takime intensive, edhe pse dje nuk u gjet një zgjidhje për ngërçin politik pavarësisht ndërhyrjes së eurodeputetëve McAllister dhe Fleckenstein.

Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë zhvilluan pak më herët një takim mes tyre.

Menjëherë pas këtij takimi ambasadori amerikan Donald Lu ka shkuar në zyrën e Ramës për një takim, i cili ka zgjatur për rreth 45 minuta. Në përfundim të këtyre dy takimeve, ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt dhe ambasadori amerikan Donald Lu kanë takuar edhe kryeparlamentarin Meta. Të tre zyrtarët kanë qëndruar në një takim me dyer të mbyllura në zyrën e Kryeparlamentarit prej më shumë se 1 orë.

Askush nuk e di se ç'po ndodh. Mediat raportojnë se takimi i ambasadorëve Vlahutin, Lu dhe Borchardt, është rutinë e përmuajshme e tyre, ndërkohë që edhe Rama me Metën të mërkurave zhvillojnë takimin e tyre të përjavshëm.

Por e gjithë kjo valë takimesh vjen një ditë pas dështimit të negociatave të McAllister dhe Fleckenstein me Bashën, Ramën dhe Metën. Ndërkohë që pas këtyre takimeve askush nuk është prononcuar për mediat për të kuptuar diçka më shumë/ Copyright Tiranapost.al