Aktualitet

Sepse dikur PD e kish një talent...(çfarë më kujtoi kjo foto e Kavajës sot, e shtunë 3 qershor 2017)

Në fakt edhe kur nuk fitonin, mitingjet e Partisë Demokratike ishin gjithmonë madhështorë. Të majtët ngahera i kanë parë me një ndjenjë zilie edhe pse përherë më në shumicë në Shqipëri, prapëseprapë militantët e PS nuk i kanë pushtuar sheshet me agresivitetin e militantëve të PD-së.

Militanti i PD është, ose më mirë ishte, një karakter impulsiv, emocional, fanatik dhe i pakursyer. Të majtët jo rrallë kanë zgjedhur t’i shohin mitingjet nga shtëpia. Kanë zgjedhur të mos jenë aq impulsivë e me adrenalinë. Le të themi që shtëpia ju ka pëlqyer gjithmonë më shumë se sa sheshet, dhe dashurinë për partinë e tyre e kanë shprehur vetëm me votë.

Fotoja e Kavajës na frymëzon këtë reminishencë për hir të së vërtetës. Sa nuk duket më PD-ja... Nuk ka më muzikë, bori makinash, fanatikë dhe ‘frymë’. Pyetja është çfarë mendon Militanti kur i sheh nëpër portale këto foto nga sheshet bosh?

Sepse tek e fundit fushata është një emocion i bukur dhe për mitingje na ishte një herë PD-ja, ishte nëna e shesheve. Fotot që vijnë çdo ditë nga turi i fushatës së Republikës së Re, nuk ngjajnë as me zi-në, sepse edhe aty ne shkojmë me shumicë se vdesim të qajmë të tjerët, t’i gjendemi afër tjetrit në fatkeqësi dhe sikundër t'i rrimë larg e me inat në sukses. Nuk ngjajnë as si show i dikurshëm. Nuk ngjajnë më si PD, kjo është e sigurt!/Mira Kazhani/ Copyright Tiranapost.al

basha1