• Shqip
  • English
  • E shtunë, 20 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • Blogu i një vajze single, ose aty rrotull Kontribues

    Sepse ato tradhtojnë ndryshe


    Ata janë të martuar prej pak vitesh dhe kanë dy fëmijë të vegjël. Ai, ish-playboy, që ka thyer zemrat e shumë vajzave, dhe ajo njëra prej atyre vajzave. Ajo me më shumë durim. Ajo që ishte aty gjithmonë dhe nuk shihte se ç‘bëhej vërdallë, duke shpresuar vetëm që ai do t’i bënte pak vend në jetën e tij. Në fillim thjesht duke e takuar pak më shpesh dhe pastaj duke e takuar dhe më shpesh akoma. Pastaj me atë shpresën e fshehtë se do bëhej e dashura e tij zyrtare, pa guxuar të mendonte se mund të bëhej dhe e vetmja. Domethënë, duke guxuar ta mendonte, por pa guxuar ta thoshte… Dhe kot nuk thonë që bota është e guximtareve: pas shumë viteve ajo ia doli. Jo vetëm që është e vetmja femër në jetën e tij, por është vetë drita e syve të tij. Ai që është mashkulli i ëndrrave: I thotë “zemër” e “shpirt” gjithë ditën, i hap derën e makinës dhe i afron karrigen për t’u ulur edhe kur hanë drekë në shtëpi, e pyet për çdo gjë dhe thotë që mendimi i saj ka rëndësi të veçantë… “Tani ajo do e tradhtojë, është e sigurt”, – më thotë një miku im, që ka teorinë e vet: kur një femër është e pasigurt në lidhjen e saj bën çmos ta mbajë dhe nuk i shkon mendja për të tjerë, por sapo i arrin ato që do, do kërkojë diçka tjetër.

    Eshtë i bindur në këtë teorinë e vet, më jep edhe shembullin sesi në këtë mënyrë ka ca vite që mban pas vetes një vajzë, që është i bindur se nëse ai do ia japë në dorë paketën e plotë të një lidhjeje fikse, ajo do të ikte brenda muajit. Dhe sipas tij, funksion. Dhe s’ka gjë që ia kthen mendjen, për çdo histori e ka gati përgjigjen.

    I tregoj rastin e një mikeshës sime, e cila ia ka dalë të tradhtojë të dashurin e parë, sepse ai nuk e kishte mbrojtur kur e kishte ngacmuar dikush tjetër (pastaj ajo kishte vijuar një lidhje paralele me atë që e kishte mbrojtur, sepse mendonte që ai ishte më burrë) dhe që prej asaj kohe kishte tradhtuar gjithmonë me shumë lehtësi, sepse e kishte kuptuar që kjo është shumë e thjeshtë, fiks siç e bëjnë burrat… “kjo nuk quhet”, më ndërpret miku im, “është karakter i lindur kuçke dhe pikë”.

    Epo mirë, është ajo shoqja tjetër, që duket sikur i ka punët mirë e bukur, por që ka ca si shumë kohë që nuk ka më kimi me të shoqin. Ajo duhet të jetë e pasigurt mos i shkatërrohet familja, sipas logjikës së mikut tim, ndaj duhet të fokusohet të rifitojë burrin dhe s’duhet t’i shkojë mendja për dikë tjetër… Por jo vetëm që i shkon, por dhe e bën. “As kjo nuk quhet”, thotë ai. “Sepse ajo e di që ka mbaruar dhe nuk e vret më mendjen. Të kapë ç‘të kapë”.

    Po  ja, di dhe një histori tjetër, një e njohura ime, që, pasi thoshte që e donte dikë për nja katër vjet me radhë, të pasnesërmen e një sherri me të dashurin e saj, shkoi me dikë tjetër. E bëri se ishte shumë keq, sepse  mendonte se vetëm në atë mënyrë do mund të ndahej përfundimisht nga ai që donte dhe vetëm kështu nuk kishte asnjë shans që ca ditë pas sherrit  të kthehej tek ai dhe t’i thoshte “nuk rri dot pa ty”. Por as ky nuk është argument për mikun tim: “Ju ka gënjyer, nuk mund të ndodhë ta duash dikë katër vjet dhe të ikësh brenda ditës”.

    Pra, për mikun tim nuk ekziston as ajo që mes gocash quhet “tradhtia e hakmarrjes”. Për të dhe shokët e tij gjërat janë të thjeshta: Do, rri. Nuk do, ikën.

    Më mbetet  për  të argument i fundit, ai i kushërirës sime që ka shumë vjet në një lidhje tërhiq-e-mos-e-këput. Një nga ato lidhjet ku sipas teorisë së këtij mikut, ajo nuk ikën sepse qenka e pasigurt dhe bën çmos të fitojë territor. Dhe kështu hap pas hapi, ia ka dalë të korrë ca fitore të vockla, në fillim me indiferencën e tij ndaj telefonit, pastaj me kohën e kaluar së bashku, pastaj ka fituar sigurinë që çfarëdo që të ndodhë dhe sado që të ndahën e të mos flasin fare me gojë, ai do kthehet gjithmonë tek ajo… Dhe pikërisht në një moment kur në ajër nuk ka asnjë lloj krize, pra ajo i bie të mos ndihet e pasigurt dhe në ankth, në qytet shfaqet ish-i dashuri I saj, pikërisht ai që ajo ka njohur gjatë një ndarjeje të gjatë me këtë tipin tërhiq-e-mos-e-këput, e me të cilin ka kaluar kohë shumë të bukura. E ndërsa prisnim që ajo t’ia mbathte me të ndonjë fundjavë a të bënte ndonjë çmenduri vere, ajo tregon thjesht fare se vetëm kishin pirë një kafe poshtë pallatit të asaj dhe aq. Sepse asaj nuk i shkonte mendja kurrsesi të tradhtonte kur ishte mirë e bukur.

    Hë i mjafton ky argument mikut tim?

    “Uaaaaa, po si i tha atij tjetrit!? Kushedi sa keq do ketë mbetur ai?! Mua po të isha në vendin e saj do më kishte ardhur keq ose turp t’i thoja ‘jo’, do rrija me të”, thotë ai.

    Turp?! Keq?!

    Epo kjo pikë e zezë! Ky është gati të pranojë që ne femrat tradhtokemi edhe sepse mund të na vika turp të themi “jo” vetëm e që mos të heqë dorë nga e vetja. Ndaj është e kotë të rri e t’i shpjegoj se ajo kushërira ime thjesht ka ndjekur kiminë e saj. Me siguri do thoshte që ne s’marrim vesh nga kjo punë.