• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 16 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Anti-Politika Opinion Të gjitha

    Secilit liderin e vet!


    Nga Alfred Peza*

    ANTIpolitika

    Ka një pyetje të lashtë sa edhe vetë organizimi shoqëror i njerëzimit, që bëhet pak a shumë në formën: Lider, lind apo bëhesh? Ka që mendojnë akoma se lider lind. Sikundër ka përgjigje që shkojnë më së shumti në favor të tezës se lider bëhesh. Me argumentin se si gjithçka tjetër në jetë, edhe kjo realizohet duke paguar një çmim për arritjen e qëllimit, nëpërmjet një pune të rëndë. Përgjatë shumë viteve, sfidave, garave, fitoreve, humbjeve, gëzimeve dhe zhgënjimeve pafund. Ndaj nuk është rastësi që tre njerëzit më punëtorë të politikës në këto 27 vjet, Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta e kanë dominuar skenën. E me sa duket, do të vijojnë edhe për disa vite të tjera, pavarësisht ulje ngritjeve dhe limiteve të tyre biologjike. Kjo nuk ka të bëjë me faktin nëse janë në krye të partive politike, jashtë apo brenda Parlamentit, aktivë ose pasivë për disa kohë në politikën institucionale.

    Lidershipi është si vera e kuqe dhe jo si uthulla. Kur e ke fituar këtë status, edhe pasi tërhiqesh, zotëron ende pushtet. Sepse pushteti real nuk lidhet me zyrën, por ka si njësi matëse njerëzit, ndjesitë e tyre politike dhe ndikimin mbi ta. Sa më shumë i ndikon, aq më shumë lojtarët kryesorë të lojës aktive, ta kanë nevojën. Sidomos në momente krizash politike, përplasjesh të mëdha për reformat kyçe, në periudhat e tensioneve të forta shoqërore apo në fushata elektorale. Më shumë kjo vihet re, në procese zgjedhore ku gjakrat nxehen si në të fundit lojë. E ku për disa, fitorja ose humbja, qenia brenda apo dalja nga skena e madhe politike, duket si një garë për jetë a vdekje. Një situatë ku lidershipi gjithnjë ka rëndësi. Por, sidomos në një kohë të vrullshme, ndryshimesh radikale si kjo që po jetojmë. Sepse siç thotë Bernd Brecher “ekzistojnë shumë elementë tek një fushatë. Lidershipi është numri një. Gjithë të tjerat janë numri dy”. Pasi është lideri ai që i jep zërin dhe figurën një sfide si kjo. I jep formën dhe përmbajtjen. I jep thelbin dhe dukjen. I jep lëndën dhe trajtën. Ai identifikohet me fitoren ose humbjen. Me suksesin ose dështimin.

    Atje ku udhëheqësi nuk e luan këtë rol dhe nuk e përcjell këtë ndjesi, ai nuk arrin që të ngrihet në lartësinë e të qenit një lider. Sepse nuk e kryen dot këtë funksion dhe mision. E atëherë forca politike që ai drejton, e ka të parashkruar dështimin. Ose grupimi politik kërkon mundësi alternative, sipas filozofisë së ligjit të kompensimit. I tillë është rasti i Petrit Vasilit tek LSI këtë radhës, jo për faj të tij, por për shkak se nuk pati kohën dhe mundësinë për ta formësuar lidershipin. Ndaj, në skenë më shumë sesa e kishim menduar të gjithë, e ndryshe nga sa ai vetë kishte deklaruar, ka dalë në plan të parë Presidenti i zgjedhur Ilir Meta. I cili ka marrë “de facto” në duar, frenat e gjithë fushatës së partisë që ai e themeloi dhe që ajo e çoi në zyrën e qytetarit Nr. 1 të Republikës. Ndërkohë që Monika Kryemadhi dhe Luan Rama e kanë shtuar intensitetin e pranisë publike, me një frekuencë të panjohur më parë për to. Duke krijuar idenë e një grupi udhëheqës dhe jo të një lideri të vetëm.

    Marrëveshja Rama- Basha e 18 majit, ka provokuar përveç të tjerash, një situatë interesante në lëmin e lidershipit. Sepse përveçse ka turbulluar e me pas kthjelluar ujërat në terren tek elektorati i thjeshtë, ajo ka detyruar krijimin apo bërjen publike, të disa aleancave të reja mes liderëve politikë. Duke ridimensionuar aleancat e vjetra dhe ekuilibrat tradicionalë. Edi Rama jo vetëm është takuar, por edhe ka cituar publikisht si rrallëherë që pas 2005, ish Kryetarin e PS Fatos Nano, i cili ka folur për destinacionin dhe jo për timonin. E më pas, në përvjetorin e 26 të themelimit, Nano është shprehur “i bindur se fitorja e PSSH në zgjedhjet e 25 qershorit do garantojë Rilindjen e pakthyeshme të Shqipërisë Europiane, pa deformimet e pseudo-aleancave të deridjeshme!” Kjo shpjegon edhe më qartë se përse Ilir Meta kërkon të forcojë aleancën me Sali Berishën. Sikundër vrapoi për qëllime post-zgjedhore, të ketë që tani, aleancën e Shpëtim Idrizit të PDIU. Nga ana tjetër, Kryetari i PD Lulzim Basha që po tenton të ngrihet në lartësinë e të bërit një lider real, pas aleancës së re me Edi Ramën, ka bërë gjithashtu shumë kujdes që të mos plasarisë apo ciflosë kryealeancën e tij të vjetër dhe jetike, atë me Sali Berishën.

    Çdo lëvizje e lidershipit lart, përcillet me besnikëri, gati në kohë reale e në formë kapilare tek elektorati poshtë në terren. Shqiptarët janë shumë të përfshirë dhe gati-gati e kanë mënyrë jetese, të marurit me politikë gjatë gjithë kohës. Është padyshim sporti ynë më i madh e kryesor, popullor. Ndaj nuk është i gjithi faji i udhëheqësve tanë, që njerëzit gati- gati ndihen sikur janë pjesë aktive e zhvillimeve që ndodhin, bashkautorë në vendimmarrje dhe jo në periferi të tyre. Duke i’a lehtësuar sëtepërmi punën me strukturat dhe anëtarësinë e partive të tyre, për ti shpjeguar vendimmarrjet e rëndësishme dhe përcjellë mesazhin që dëshirojnë.

    Në këtë mënyrë, votuesit e kanë më të lehtë të orientohen për të zgjedhur që të ndjekin liderin e tyre. Ndërsa anëtarët e partive, e kanë më të lehtë për të kuptuar në çdo kohë liderin që i udhëheq. Ndërsa ata vetë, e kanë më të lehtë jo vetëm që ti bëjnë, por edhe ti justifikojnë aleancat me liderët e tjerë. Duke na e demokratizuar sëtepërmi lojën tonë pluraliste, me lehtësinë e pamatë të të zgjedhurit të asaj dhe atij që duam apo na intereson më shumë. Sepse në këtë mënyrë, secilit i kemi dhënë, liderin e vet. E për rrjedhojë, secili ka marrë mbi shpinë, edhe kryqin e vet.

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]