Aktualitet

Sebastian Kurz, fytyra e re e Austrisë që sfidon Macron dhe Trudeua

31-vjeçari Sebastian Kurz, drejtuesi i partisë së qendrës së djathtë projektohet të jetë kancelari më i ri në historinë politike të Austrisë të dielën e ardhshme. Mediat e përshkruajnë atë si “dhëndrin që ëndërron çdo vjehërr e klasës së mesme në Austri”.

Nga simpatizantët e tij ai është pagëzuar me nofkën “Wunderwuzzi” që do të thotë njeriu që mund të ecë mbi ujë. Natyrisht kjo është një metaforë që nënkupton se ai mund të bëjë mrekulli në sytë e simpatizantëve të tij.

Nga shumë analistë ai shihet si versioni austriak i Emmanuel Macron dhe Justin Trudeua, pra një lider karizamtik, i ri në moshë dhe që bie në sy në arenën ndërkombëtare.

Kurz ka marrë vetëm rishtazi drejtimin e Partisë së Popullit në Austri dhe në këto pak muaj ka arritur të transformojë subjektin konservator në një lëvizje masive që e ndiqet me interes nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Madje, ai i ka dhënë dhe një emërtim të ri për konvencion të parimeve që ka duke e quajtur Partia “e Re” e Popullit, duke i dhënë kështu grupimit të tij politik një ngjyrë anti-establishment.

Kurz e ka lëvizur partinë e tij më djathtas dhe po mban një qëndrim të fortë në çështjen më të debatuar të këtyre zgjedhjeve elektorale, emigrimin. Që prej krizës së refugjatëve të vitit 2015, skena politike austriake është zhvendosur shumë djathtas për shkak se vendi pranoi 100.000 refugjatë të ardhur nga Lindja e Mesme, vendim ky i cili nuk u prit aspak mirë nga opinioni publik austriak.

Të shumtë janë ata që e akuzojnë Kurz se ka kopjuar tezat e partisë populiste të ekstremit të djathtë “Partia e Lirisë” e cila 1 vit më parë shkaktoi tërmet politik në Austri kur për vetëm 31.000 vota do të arrinte të fitonte presidencën e vendit.

Lideri i partisë së ekstremit të djathtë "Partia e Lirisë" Hans Christian Strache 

Ndonëse e majta që u bashkua tërësisht arriti të fitojë zgjedhjet me një diferencë shumë të paktë retorika dhe axhenda e diskutimeve publike kushtëzohet nga zërat e së djathtës.

Megjithatë, Kurz mund të shihet si një takticien brilant politik që di të përshtatet me kërkesat e tregut politik dhe di si të heqë vëmendjen nga populistët për ta fokusuar tek vetvetja. Partia e Lirisë votohet për shkak se partia tjetër e djathtë nuk rezononte aq sa duhet me votuesit konservatorë dhe Kurz duket se ka ardhur për të ndryshuar këtë realitet dhe për të hyrë kështu në histori si kancelari më i ri në historinë politike moderne të shtetit austriak. K.H/ tiranapost.al