AktualitetTe gjitha

Së shpejti me Agjenci Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së mbetjeve. Ja ç’do të thotë vendimi i ministrave


Do krijohet një Agjenci Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, njohur ndryshe si AKUM Ky është vendimi i marrë nga Këshilli  i Ministrave të qeverisë Rama, ndërkohë që propozimi ishte i ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri Sipas vendimit, AKUM-i është përson juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për infrastrukturën. Ai është organ shtetëror i specializuar në fushën e ujësjellës-kanalizimeve, të trajtimit të ujërave të ndotura dhe mbetjeve.

Në vendimin e publikuar në faqen e Kryeministrisë thuhet se AKUM, ka si mision zbatimin e politikës specifike shtetërore në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, trajtimin e ujërave të ndotura dhe planifikimin territorial dhe infrastrukturën e mbetjeve, derisa ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve dhe ndërmarrjet e menaxhimit të infrastrukturës së mbetjeve të jenë të afta për të kryer këto funksione.

Veprimtarinë e vet AKUM-i e ushtron në shërbimin e furnizimit me ujë dhe ujësjellës kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura urbane; ne fushën e mbetjeve urbane, në lidhje me planifikimin territorial, infrastrukturën e mbetjeve dhe implementimin e tyre,

Kjo Agjenci kombëtare koordinon dhe monitoron të gjitha aktivitetet, në bashkëpunim me të gjitha institucionet e vendit, në nivel qendror e vendor.

Gjithashtu përcaktohet se AKUM menaxhon dhe monitoron zbatimin e masterplanit kombëtar të ujësjellës-kanalizimeve dhe krijon e menaxhon platformën kombëtare të aseteve të ujësjellës-kanalizimeve, bazuar në sistemin GIS (Geographical Information System). Ai është institucioni përgjegjës për zbatimin e masterplanit kombëtar të mbetjeve për sa i përket planifikimit territorial dhe infrastrukturës së mbetjeve urbane

AKUM shërben si koordinues dhe asistues i qeverisë, kur kërkohet, dhe i njësive të qeverisjes vendore për nismat për investime në fushën e ujësjellës-kanalizimeve, të trajtimit të ujërave të ndotura dhe në planifikimin territorial dhe infrastrukturën e mbetjeve, si dhe ofron këshillime gjatë procesit të hartimit të projekteve në këto fusha. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, përballohen nga buxheti i shtetit, nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.