• Shqip
  • English
  • E premte, 23 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Lifestyle Shëndet Të gjitha

    S’do të shiten më paketa me 10 cigare! Ministria e Shëndetësisë, masa të reja edhe për lokalet


    Ministria e Shëndetësisë po ashpërson masat lidhur me duhanpirjen, në mënyrë që të ulet numri i atyre që e konsumojnë.

    “Do të ndalohet duhanpirja në ambientet e mbyllura edhe për duhanin me ngrohje, cigaren elektronike dhe shisha/nargjile. Gjithashtu do të largohen nga tregu paketat me 10 cigare si dhe cigaret me shije karakteristike. Me anë të këtyre masave synojmë të mbrojmë të rinjtë dhe adoleshentët nga këto produkte që kanë shkallë të lartë varësie”, tha ministrja Ogerta Manastirliu.

    Ajo deklaroi se së shpejti do të miratohen në Kuvend ndryshimet e propozuara nga Ministria e Shëndetësisë në ligjin ‘Për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit’, për forcimin e masave kundër duhanpirjes në ambientet e mbyllura.

    31 maji është Dita Botërore kundër Duhanpirjes dhe slogani i këtij viti është  “Duhani dhe shëndeti i mushkërive”, nisur dhe nga fakti se 2/3 e rasteve me kancer mushkërie shkaktohen nga duhanpirja. Gjatë vitit të fundit, vetëm gjatë 5 muajve të parë 2019, janë gjobitur 265 subjekte, nga 136 që u ndëshkuan për thyerje të ligjit gjatë vitit 2018.

    “Me anë të këtyre ndryshimeve ligjore forcojmë më tej masat kundër duhanpirjes, për të mos lejuar askënd të abuzojë me ligjin, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme”, u shpreh Manastirliu.

    Më konkretisht, nëse një subjekt shkel dy herë rresht brenda dy muajve ligjin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1-vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës dhe i pezullohet aktiviteti.

    Pirja e cigareve është ulur nga 43% në 35% te meshkujt e moshës 15-49 vjeç në 10-vjeçarin e fundit, ndërkohë që vijon të ngelet e ulët te femrat. Megjithatë, vendi ynë vijon të ketë konsum të lartë të duhanit, pasi 2 në 5 meshkuj të moshës mbi 15 vjeç dhe 1 ne 17 gra mbi 15 vjeç janë duhanpirës./ Tiranapost.al