Aktualitet

S'do e hedh kurrë firmën në pakte ku shqiptarët fitojnë gjithçka e Serbia asgjë!

S'do e hedh kurrë firmën në pakte ku shqiptarët

Kjo ishte deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiç në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.  Vuçiç mbështet qëndrimin amerikan për njihje të ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë dhe dy vendet të arrijnë një kompromis, por jo siç thotë Vuçiç, ku shqiptarët fitojnë gjithçka dhe Serbia asgjë!

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur ai u takua ditën e martë me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe dje me Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, të cilëve u ka shprehur gatishmërinë e tij për rifillimin e bisedimeve me Prishtinën pas heqjes së tarifave ndaj mallrave serbe.

Vuçiç shprehet se shpreson që Shtetet e Bashkuara të shtojnë trysninë mbi Kosovën për këtë çështje, ndonëse nuk pret rifillim bisedimesh para dhjetorit, meqë Kosova pritet të mbaj zgjedhjet e parakohshme.

Vuçiç tha:

Amerika në vitin 2008 e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Të gjitha vendet e fuqishme perëndimore e kanë njohur pavarësinë e Kosovës më 2008 dhe 2009. A mendoni që vërtetë, ndonëse Serbia sot është në gjendje më të mirë ekonomike, në pikëpamje ushtarake e politike është më e fuqishme dhe ka më shumë respekt në botë sesa që kishte, vërtetë mendoni se jemi në gjendje të ndryshojmë vendimin e Shteteve të Bashkuara. Mund të bisedojmë për çdo gjë nëse bëhet fjalë për kompromis. Por, për atë që shqiptarët të fitojnë gjithçka e Serbia asgjë – nuk mund ta keni nënshkrimin tim kurrë”, tha presidenti serb, duke theksuar se amerikanët sërish i kanë thënë hapur se duan “njohje të ndërsjellë”.

Ai tha se për këtë arsye ka propozuar zgjidhje kompromisi dhe për këtë ka diskutuar sërish me zyrtarët amerikanë duke përfshirë shumë “modalitete”.

“Por, duhet të kuptojmë që ëndrrat tona boshe nuk kanë lidhje me realitetin, çdo luftë, çdo konflikt, çdo përulje do të ishte katastrofë për Serbinë”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat për t’u hapur rrugën bisedimeve. Por qeveria e Kosovës i ka rezistuar trysnisë ndërkombëtare./ Referuar VOA/ Tiranapost.al. E.B