SPORT

Sarri: Lazio e rrezikshme, parakalimi i Interit na motivon

Sarri: Lazio e rrezikshme, parakalimi i Interit na motivon

Sfida ndaj Lazios është e rëndësishme por jo vendimtare për Juventusin. I këtij mendimi është trajneri i bardhezinjve Maurizio Sarri. Numri 1 i stolit të Juves vlerësoi maksimalisht skuadrën e Simone Inzaghit ndërsa foli edhe parakalimin e Interit duke u shprehur se pozicionimi në vendin e dytë për momentin do t’i shërbejë si motivim skuadrës së tij për të marrë maksimumin ndaj Lazios.

“Lazio është një ekip i fortë, sidomos në 25 metrat e fundit. Unë pres që ata të luajnë fort, dhe duhet t’i mbajmë larg zonës sonë të rreptësisë. Me formën që po kalon deri tani, Lacio të lë përshtypjen se do të jenë ata forca e tretë e kampionatit. Ata kanë grumbulluar 18 pikë në 6 ndeshjet e fundit, duke treguar një formë të shkëlqyer.Në ndeshjet pas Ligës së Kampionëve kemi pasur më shumë vështirësi. Ndoshta kemi pasur një rënie të motivimit, ose një rënie mendore. Pikët janë të rëndësishme dhe të gjitha ndeshjet kanë të njëjtin nivel të rëndësisë. Disa ndeshje tani duken më të rëndësishme, megjithatë në këtë pikë të sezonit asgjë nuk mund të jetë vendimtare”.

Parakalimi nga Interi? “Unë shpresoj që të jetë një stimul i rëndësishëm që të kemi një ekip përpara, duhet të na japë një motivim më të madh. Ndërhyrje në merkato? Klubi do të vendosë nëse do të ndërhyjë, unë do të kem më shumë zgjidhje kur të kthehet Douglas Costa dhe Ramsey”. /XH.K