Aktualitet

“Sarah”, nga e cila nuk po zë vend

Nga Enkel Demi/ Më krijohet shpesh përshtypja që Shqipëria si një vend kaq i vogël, ka një dendësi të madhe artistësh, shkrimtarësh, sportistësh që dallojnë, anipse më të përkushtuar kemi qenë ndër shekuj për luftëtarë mercenarë, nizamë, komitë, banditë, cuba, rrugaçë, hajna, trafikantë, zemërlepuj që rrahim gratë. Për këta të sërës së dytë, gazetarëve u duhet më së shumti të raportojnë. Më rrallë për ata të sërës së parë, sepse lajmi i mirë nuk para shet.

Alfred Pezën e kam njohur duke “grisur” këpucët për të raportuar për ndodhitë e këtij vendi, teksa niseshim rrugëve për të kap’ ndonjë lajm kronike apo për të bërë ndonjë intervistë me bllok e laps në dorë, sepse rregjistruesi ishte i rrallë në ato kohë, ose i shtrenjtë për pagat tona modeste. Natyrisht, kur një njeri e njeh në kësi kushtesh e bën shok, mik, por edhe mund të mos të puqet biseda dhe ta lësh diku në një qosh të arkivës së njohjeve personale, të cilat falë këtij zanati është bërë e madhe sa Biblioteka e Babilonisë. Ndryshon Fred Peza në këtë marrëdhënie, sepse është njeri i së papriturës. Kështu ka qenë i gatuar qysh në fillim, pëlqente aksionin. Më kujtohet si ndoqi një herë nga Tirana të intervistonte Zani Çaushin i sapo lënë i lirë nga gjykata. Legjenda urbane thoshte se qe Zani që të ndiqte, në këtë rast qe Fredi që të gjëmonte nga pas.

I papritur ishte për mua, kur la profesionin, për të cilin ishte shkrirë dhe u bë politikan. “Po e provoj”, më tha me një buzëqeshje djaloshi naiv, thua se nuk i kishte kaluar plumbi te veshi në 1997. E papritur ishte kur “bleu” bankën dhe e vunë në syrin e ciklonit. Befasues, kur tha: “…kam shkruar një libër”. Më vinte edhe për të qeshur, sepse përherë flisnim për librat. E lexoja me ëndje, kur bënte dossier në gazetë a revistë, por si nuk e kisha kuptuar që i vinte dorësh për të shkruar romane?

Tani, kam lexuar “Sarah”-n e tij dhe kuptoj që ai murgu që kishte durim derri për të lexuar komunikata policie, vendime gjyqësori, dosje hetuesie, kishte mbledhur mendjen dhe në dekikën ndoshta më të vështirë të jetës ta lexonte përsëprapthi gjyqin që po i thurrnin në sokak. Sarah Blloshmi, një zonjë elegante e Turqinisë së Tiranës të viteve ‘30 i është fanepsur në ndonjë kronikë të kohës dhe ka mbetur diku në kujtesën e shkrimtarit që kujtojnë se kanë vënë në qoshe dhe po e godasin. Në fakt, ai është kruspull që të mbrojë kokën nga grushtet, por i vëzhgon më së miri. Nuk harxhohet shumë të bëjë replikën e ditës, meqë “bleu” bankën, por ndërton një histori që vjen me guximin e qëmtimit dhe kuptimit personal të historisë së atyre moteve. Sarah Blloshmi është Alfred Peza, po aq sa edhe Selahudin Blloshmi është Alfred Peza. Ne të tjerët mund të jemi Ahmet Zogu, Faik Konica, larokratët apo hetuesit e sëmurë të fatit njerëzor që e përcjellim përditë në kronikat e reja që shkruajmë për njerëz të njohur dhe të panjohur.

Për mua si lexues nuk ka pikën e rëndësisë, nëse Ahmet Zogu pati një idil dashurie me Sarah Blloshmin apo Enver Hoxha donte të joshte Mbretëreshën Geraldinë (si rrjedhojë e vazhdimësisë së kronikës rozë që mund të shkaktoj një libër i këtillë). Trillimi është arma më e fortë që ka shkrimtari, prandaj kush mundohet ta mëkojë trillimin me të vërtetën historike me gjasë ngjan si një i rritur i veshur me petka fëmijësh.

Unë nuk jam kritik i letërsisë, por jam kaq i zoti sa të dalloj letërsinë e mirë dhe atë keqe. Ky roman është shumë larg mediokritetit, pavarësisht se fushatat shiti kaq apo aq mund të krijojnë ide të gabuar, të sipërfaqshme për brendinë e vërtetë. Alfred Peza nuk ka qenë ndonjëherë mediokërr, ndaj nuk të zhgënjen as në këtë rast.

E vetmja vështirësi që kam me këtë libër është që e njoh autorin dhe kam hall se nuk e marr dot distancën e duhur, në mënyrë që kthjelltësia të jetë si ujët e Jonit. Por, gjithsesi mund të vërej bukur fort që ky është një libër revolucionar, ku simboli i bukurisë, brishtësisë ia del të thyejë mentalitete e mbi të gjitha të mbijë në një gjiriz politik, shoqëror, ekonomik që quhet Shqipëri. Pothuaj jemi po ata që kemi qenë në qebabtoret e dikurshme të Tironës, që kemi zakonin e poshtër të etërve tanë; të rrëfejmë me gisht të bukurën, jo ta përqafojmë atë dhe ta dashurojmë me zemër të qëruar. Tek e lexon këtë roman, unë, por ma merr mendja dhe të tjerët kanë vetëm një hall: nuk duan të jenë as në vend të Sarës, as si Fuad Beu. Fredi e ka gjetur vendin e tij në libër, unë jam ende në qëmtim./Shkrimi është marrë nga 27.al dhe mund ta gjeni duke klikuar këtu