Sociale Te gjitha

‘Të qenit grua është dyfish mundësi’


“Kini besim te vetja! Të qenurit vajza nënash, gra burrash, nëna vajzash nuk është minus, nuk është pamundësi, është plus, është dyfish mundësi”. Me këtë mesazh, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i është drejtuar grave dhe vajzave, në Samitin e Parë të Vajzave, të zhvilluar sot në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, në kuadër të fushatës globale për nxitjen e pjesëmarrjes së vajzave në politikë.

“Një grua në politikë, por edhe në fusha të tjera ku drejton, ka më shumë mundësi të shkëlqejë nëse di të mos pyesë veten: A mundem unë? por ti thotë vetes ja pse mundem, duhet vetëm që ju të besoni tek vetja”, tha në mesazhin e saj ministrja Manastirliu.

Ajo pohoi se modeli i saj, jo përmes fjalëve por përmes forcës së shembullit, është nëna e saj.

“Nuk ka mësuese më të mirë dhembshurie, dashurie dhe vrasëse më të madhe të frikës, se nëna. Unë jam në politikë për të dhe për gjithë nënat dhe vajzat. Është portreti i saj që më del përpara sa herë që më mungon koha ti jap përgjigje mesazhit mbi ankesat dhe kerkesat, siç janë po ashtu edhe vajzat e mia”, tha Manastirliu./Tiranapost.al