Aktualitet

Sali Berisha do të dëshmojë javën tjetër në gjykatë për çështjen Shullazi, kishte dijeni për kërcënimin e Mynir Konit

Ish-kryeministri Sali Berisha është thirrur të dëshmojë në gjyqin ndaj Emilian Shullazit. Gjykata e Krimeve të Rënda ka marrë në konsideratë kërkesën e avokatit të Shullazit dhe ka vendosur sot që të thërasë në rolin e personit që ka dijeni për kërcënimin e rektorit të Universitetit të Tiranës Mynir Koni.

Krahas tij është thirrur për të dëshmuar edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në policinë e Shtetit Ardian Çipa, si dhe shtetasja Marsida Musai, bashkëshortja e dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja.

Emri i Berishës në këtë çështje ka dalë nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili teksa dëshmonte para Gjykatës së Krimeve të Rënda tha se personi nga i cili ai ka mësuar për kërcënimin e Mynir Konit ka qenë Sali Berisha. Sipas Tahirit ky person ende pa filluar hetimet nga policia kishte shkruar një status publik në profilin e tij në “FB”, duke denoncuar disa prej anëtarëve të këtij grupi se kishin kërcënuar dy profesorët e nderuar.

Ndaj Sali Berisha do pyetet mbi rrethanat se si ishte vënë në dijeni të këtyre kërcënimeve dhe çfarë dinte mbi këto kërcënime të profesorëve. Gjykata ka pranuar këtë kërkesë të avokatëve dhe ka ftuar në seancën e të martës së ardhshme ish-kryeministrin Sali Berisha të paraqitet në gjyqin e Shullazit. Nuk dihet nëse Berisha do të pranojë të shkojë të dëshmojë në gjykatë për këtë çështje, pasi ai ka refuzuar gjithmonë që të dëshmojë para trupës gjykuese. I vetmi rast ku ai ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë ka qenë ai për çështjen “Doshi” ku ai u paraqitë në prokurori.