SportTe gjitha

Salah: Liverpool mund të fitojë Champions-in


Liverpool mund të fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon, sipas autorit të 39 golave në këtë sezon, Mohamed Salah. “Reds” eliminuan liderët e Premier League, Manchester City, në çerekfinale, për t’u përballur tashmë me klubin e vjetër të Salah, Roma, e cila likujdoi Barcelonën në po të njëjtin raund.

Salah pranon se ka ende një mënyrë për të shkuar përpara dhe se Liverpool po mendon për një titull të gjashtë europian. “Ne mund ta fitojmë Champions-in tashmë, pasi jemi në gjysmëfinale, – tha egjiptiani për CNN.

– Unë gjithmonë them që i marrim gjërat hap pas hapi, por ne jemi në gjysmëfinale dhe çdo gjë mund të ndodhë. Gjithkush shkoi në çerekfinale me këtë emocion, që ne duhet të fitojmë, të kualifikohemi. Tani, me gjysmëfinalen, janë vetëm dy ndeshje deri në hapin e fundit”.

Salah është në një betejë me Harry Kane të Tottenhamit për “Këpucën e Artë” të Premier League dhe pretendon se rivalët e tij e kanë më të lehtë, pavarësisht avantazhit të tij momental me katër gola. “Harry Kane dhe Sergio Aguero janë sulmues të spikatur, – shtoi Salah.

– Ata luajnë si numër 9, ndërsa unë pozicionohem më shumë në krah. Është më e lehtë për ta, sepse janë gjithmonë përpara portës kundërshtare, ndërsa unë luaj në krah. Është pak më e vështirë, sepse duhet të jap asiste, duhet të jap topin, të krijoj shanse”. /XH.K