• Shqip
  • English
  • E enjte, 5 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Diaspora Kudo Shqiptarë Të gjitha TIP top

    Të dielave Brukseli flet shqip


    Në Bruksel, kryeqytetin e Belgjikës dhe qendrën e Europës, kanë ndryshuar e ndryshojnë gjëra çdo ditë: erërat politike, qyteti, vendasit, të ardhurit, moti, shijet, moda, muzika, periferia… Por në ka një gjë që nuk ndryshon kurrë, është e diela kur Radio Jehona Shqipes, në orën 15:00 i flet botës shqip. Kështu ka qenë që në vitin 1986, kështu ndodh edhe sot pas 32 vitesh, e me siguri kështu do vazhdojë të ndodhë. Sepse themeluesi i saj, Sakip Skepi, as që ka ndër mend të heqë dorë nga radioja, le të fryjnë sa të duan erëra moderne, le të vijë interneti e kush të dojë tjetër. Ai është i bindur se radioja e tij shqiptare do vazhdojë të ketë jetë e frymë.

    Ndaj, çdo të diel, siç ka bërë që kur ka qenë djalë i ri e derisa u thinj, i veshur me kostum e kravatë, merr rrugën Saint  Josse dhe ngjit shkallët për tek radio, të cilën vetë e krijoi, vetë e pagëzoi, vetë e mbajti në jetë, edhe pse fare bukur, në vitet ’80 si një student i sapodiplomuar për financë, pasi kishte pasur fatin t’i largohej Shqipërisë komuniste në një arratisje spektakolare, mund të shijonte jetën e tij të lirë në një vend të lirë. Jo! As që kishte ndër mend! “Ne jemi rritur me idenë e partiotizmit në shtëpi. E ku ka kaluar një mbrëmje e vetme që mos të flisnim për Shqipërinë, po mos dëgjonim Radio Tiranën? Isha i brumosur me dashurinë për atë vend. Prandaj kur mbusha 27, mua më dhimbte shpirti tek shihja që komuniteti shqiptar këtu në Belgjkë ishte aq i përçarë, po aq sa më vinte inat që të tjerë komunitete si ai italian, grek, arab, ishin aq të unifikuar, e mbanin fort kulturën e tyre. Ne ishim pa identitet, nuk kishim mbështetje”, fillon rrëfimin e tij Sakipi, teksa u rikthehet viteve ’80, kur i vetmi organizim mes shqiptarëve të këtyre anëve ishte festa e 28 Nëntorit, edhe ajo me nota partiake. Do duhej të ndodhnin ngjarjet e Kosovës, që fryma të gjallonte disi. “Ishte momenti kur unë e ndjeja se duhet të bëja patjetër diçka. Prandaj trokita në Ministrinë e Kulturës dhe u kërkova hapësirë radiofonike. A ma dhanë? Me zor, veç pas këmbënguljes time shumë të madhe më këshilluan që të drejtohesha tek Radio Panik, ku në datën 20 shkurt të vitit 1986 nga Brukseli u fol për herë të parë shqip. Në fillim ishim 7 vetë, por ngela veç unë».

    Që nga ajo ditë Radio Jehona Shqipes u kthye në zërin e shqiptarëve, muzikën e shqiptarëve, gjuhën e shqiptarëve. Dëgjohej kudo. E diela në 105.4 FM lëshonte nga Belgjika valë që më në fund bashkonin. Por edhe interferonin. Sepse iu shkoi zëri deri në Shqipërinë ende të izoluar. “Në vitin 1988 erdhën nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë për t’i vënë kyçin asaj radioje që po u prishte punë. Sigurisht nuk ia arritën as ata, as kërcënimet, as letrat anonime, as telefonatat e as ofertat e nëndheshme politike. I kam refuzuar të gjitha. Jehona Shqipes ishte e fuqishme, dëgjohej e komentohej gjithandej dhe unë e doja të pavarur”. E donte dhe pikë. Pavarësisht se kësisoj do duhej të mendonte vetë për gjithçka. Por nuk i rëndej. Që të dielën e parë këtu e 32 vjet të shkuara dhe deri të dielën që sapo shkoi, radio është financuar veç prej tij, pa mbëshjetjen e askujt. Në familjen Skepi kanë qenë përherë ata dhe radioja, e cila ka kërkuar gjithmonë pjesën e saj të rrogës së Sakipit dhe ditën e tij të pushimit, që ai ia ka taksur me gjithë shpirt. Sepse gjithçka e ka bërë për Shqipërinë e tij. Për atë Shqipëri, që e la kur ishte veç një çunak 5 vjeç, të cilit babai i bleu një top llastiku e i tha se do shkonin në një festë. Ta dinte ai se ç’ishte ajo “festë”. Ishte një nga arratisjet më të mëdha të kohës së komunizmit. “Po pse po ikim natën në festë?, e kishte pyetur krejt naivisht të atin, që i qe përgjigjur “Është larg”. Nuk e pat gënjyer aspak. Ishte vërtet larg rruga që nisi nga Bjeshkët e Dibrës e përfundoi në ish-Jugosllavi. “Ishim 40 vetë. 7 familje. U nisëm më 11 maj, kur në bjeshkë kishte ende borë e ushtarët nuk ngjiteshin deri lart. Babai e njihte mirë terrenin. Ishin bjeshkët tona. Veç kur arritëm në qafë, rojet e kufirit  na pikasën. Filloi breshëria e mitralozëve. Plumbat ranë mbi borë e fatmirësisht nuk kapën asnjë. Ishte shumë ftohtë. Humbën rrugën dhe u ndalëm. Nga frika se mos hynim sërish në kufirin shqiptar nëpër errësirë, pritëm derisa u zbardh e u dorëzuam pastaj tek autoritetet jugosllave, që pasi na mbajtën 8 javë nënjë kamp, na njohën statusin e refugjatit dhe ne kemi jetuar 9 vjet në ish-Jugosllavi e më pas erdhëm në Belgjikë. Përherë me kokën pas, sepse në Shqipëri mbetën dy motrat e mia të martuara.Nuk dinim ç’bëhej me to. Nga Shqipëria mund të vinte një letër në 4-5 vjet, për raste shumë të rralla. Prindërit e kanë vuajtur shumë mungesën e tyre. Nëna mbylli sytë pa i parë më kurrë”.

    Sakipi, me nenen dhe babain

    Sakipi nuk e ka të lehtë t’u kthehet atyre viteve. Nëna dhe babai i dhanë një të ardhme tjetër, një jetë të lirë. Por Shqipëria mbeti pengu i tij, që s’e la të qetë derisa më në fund e pa të lirë në ’91. “Nuk doja kurrsesi që të kthehesha në Shqipëri si turist. Në 12 maj 1958 ne jemi dorëzuar në ish-Jugosllavi, në 12 maj 1991 unë kam shkelur në Shqipëri si një nga misionarët e “Mjekëve pa kufij”.

    Por ç’Shqipëri gjeti? Atë që e dimë të gjithë, si mos më keq. Sakipin do ta tronditnin radhët e gjata për qumësht në tre të mëngjesit, po aq sa do ta tmerronin pamjet e spitalit distrofik të fëmijëve, prej nga filloi misioni shëndetësor. Tani, pas shumë vitesh, Shqipëria është sërish shtëpia e tij, ku shkel sa herë e merr malli. Për t’u kthyer pastaj sërish tek mkrofoni i Jehonës së Shqipes, ku do kalonin me zë të fortë ngjarjet më të bujshme që do njihte Shqipëria: Ndryshimet e mëdha, zgjedhjet e ’92, zhvillimet e rëndësishme politike e sociale. Të gjithë figurat e rëndësishme shqiptare kanë folur tek Jehona Shqipes, veç njërit: Ramiz Alisë. Ndërkohë që ka pasur përherë mbështetjen e pakursyer të Ismail Kadaresë. Nga ajo radio u nisën manifestime e organizime, ndryshime e protesta, erdhën ekipe xhirimi nga kanale televizive franceze, bëri bujë e bashkoi njerëz, zgjoi ndërgjegje e krijoi identitet.

    Me Kimete Bashën, me të cilën drejtoi emisionin e parë, dhe Safet Kryemadhin
    Të ftuarit e të dielave në Jehona Shqipes
    Të ftuarit e të dielave në Jehona Shqipes
    Sakip Skepi dhe gazetarja Ledja Canaj

    Vazhdon ta bëjë sot e kësaj dite. Në Jehona Shqipes vazhdojnë të hyjnë e dalin çdo të diel gazetarë, shkrimtarë, politikanë, ambasadorë, artistë, biznesmenë… Bashkë me Sakip Skepin, gurin e themelit, radios i është shtuar pasardhësja e tij, gazetarja shqiptare Ledja Canaj. Sepse radioja vazhdon. Tanimë me mision kulturor, pa shkëputur kurrë fijet nga aktualiteti shqiptar, që çdo të diel flet shqip në Jehona Shqipes, e cila mbetet ajo që ka qenë këtu e 32 vjet të shkuara, pavarësisht se në Bruksel gjërat ndryshojnë ditë për ditë. E diela jo!

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post