• Shqip
  • English
  • E shtunë, 7 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Art & Kulturë Lifestyle Të gjitha

    Sadije Agolli: Dritëroi nuk e dinte që Kadareja do arratisej por sërish e mbrojti


    Historitë e të shkuarës së afërt, asaj të diktaturës, tërheqin gjithmonë vëmendje. Sidomos kur bëhet fjale për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kësaj radhe bëhej fjalë për një letër të së ndjerës Sadije Agolli, shkruar në 1997-n dhe botuar sot në gazetën Panorama, ku ajo flet ndër të tjera dhe për marrëdhëniet mes të shoqit, Dritëro Agolli, ish kryetar i Lidhjes dhe Ismail Kadaresë në një moment shumë delikat: arratisjen e shkrimtarit në Francë.

    “Ismail Kadareja kishte ikur para një viti, në muajin tetor të vitit 1990. Dritëroi nuk e besonte se ai po arratisej, pasi Ismaili disa herë ngjitej lart dhe bisedonim për probleme të ndryshme e të mprehta politike. Bile, edhe kur u organizua mitingu i madh në sheshin “Skënderbej”, pas ikjes së atyre që kishin hyrë në forma të ndryshme në ambasada, ata nuk morën pjesë në miting, megjithëse binin telefonat që i kërkonin dhe përgjigjesha unë se “Dritëroi nuk është në shtëpi” dhe kur më pyesnin për Ismailin si komshi që ishim, i thosha se as atë nuk e kam parë.

    Dritëroi, pa pyetur as në aparatin e KQ të Partisë, i kishte dalë në mbrojtje Ismailit, duke deklaruar para gazetarëve të huaj, të cilët vrapuan në Lidhje pas lajmit të bujshëm të arratisjes së tij, se Kadaresë nuk do t’i ndaloheshin veprat e tij, pasi është shkrimtar i madh dhe krenaria e vendit tonë, se ai u largua nga që u ngadalësuan proceset demokratike. Pra, këtë deklaratë Dritëroi e dha që në tetor të vitit 1990. Ai kishte diskutuar në qershor të vitit 1991 në Kongresin e 10 të PPSH, kur u krijua PS dhe shumë shkrimtarë e artistë kishin hedhur teserat e partisë dhe nuk pranonin të ishin as anëtarë të PS-së, meqenëse kjo parti kishte hijen e rëndë të PPSH-së. Ndërsa Dritëroi mbeti anëtar i PS dhe u zgjodh në kryesinë e kësaj partie”./ Referuar Gazeta Panorama/ Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post