• Shqip
  • English
  • E hënë, 24 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Opinion Sa nje kafe nga Iva Të gjitha

    Sa t’i gjejmë ne emrin, bullizmi ka vrarë dhe ca të tjerë


    Nga Iva Tiço/ Dje në mbrëmje, miku im Olti Curri më nisi në Whatsapp rezultatin e një sondazhi që kompania telefonike “Telekom Albania” kishte zhvilluar si pjesë e një fushate kombëtare me të rinjtë dhe në mesazhin zanor që e shoqëronte më thoshte: “Tmerr i madh! Më shumë se 60 për qind janë të prirur t’u bëjnë keq të tjerëve”. E gjendur në një darkë ditëlindjeje, nuk arrita ta hap mesazhin zanor dhe as të përqendrohesha tek teksti, duke i thënë Oltit se isha e zënë dhe se do e bëja të nesërmen… Për një rastësi të çuditshme, po festonim një 15-vjetor dhe në tryezën e festës ku kishte dhe adoleshentë, ne të rriturve na qëlloi të flisnim gjatë pikërisht edhe për këtë fjalën e re “bullizëm”.

    Sot, 24 orë më pas, shifrën e frikshme që më dha Olti e nxori nga ftohtësia e sondazheve dhe e bëri tejet të prekshme lajmi se një adoleshente u përcoll për në banesën e fundit, pasi ishte vetëhelmuar, sepse një djalë e kërcënonte se do t’i publikonte një video. Ndoshta djali që sot ka shkaktuar një viktimë nuk ka qenë pjesë e atyre 2500 të rinjve të anketuar nga “Telekom Albania”, por ai është një nga adoleshentët e këtj brezi ku 62.3% e atyre që kanë marrë pjesë në këtë sondazh rezultojnë bullues ose të prirur ndaj bullizmit dhe 37.7% dalin të bulluar ose të rrezikuar nga bullizmi. Dhe më shqetësuese akoma është shifra e tre bulluesve për çdo të bulluar. Thënë thjesht (mbrëmë në tryezë dhe sot në rrjet kam parë shumë rezerva për fjalën e re “bullizëm” dhe foljet dhe fjalët e formuara me këtë rrënjë): për çdo adoleshent që tallet, ngacmohet, sulmohet, ofendohet, përjashtohet, sulmohet, shantazhohet, etj., etj., gjasat janë që tre adoleshentë të tjerë të shndërrohen në agresorë të tij. Të thuash e frikshme është pak dhe ky është një nga ato raste ku nuk di se cila është e keqja më e vogël për fëmijën tënd, në cilën anë të sondazhit ka më shumë mundësi të përfshihet ai, tek viktimat e mundshme apo tek agresorët e mundshëm. Asnjë prind nuk do donte të gjendej në një situatë të tillë.

    Çuditërisht, të mbledhur për ditëlindje, e diskutuam këtë shumë gjatë një natë më parë. Sepse, përtej emërtimit të fenomenit, me fjalën e huaj apo me ndonjë emër që nuk përshtatet tamam në shqip, bullizmi gjithmonë ka ekzistuar. Treguam mbrëme shumë episode nga adoleshenca jonë: ishte koha kur nuk kishte sondazhe, kur nuk flitej hapur, kur gjithçka mbytej në heshtje dhe linte gjurmë shumë gjatë e kur megjithatë adoleshentët, ashtu si sot, dinin të ishin të pamëshirshëm me njëri-tjetrin. Vërtet nuk ekzistonte teknologjia e tanishme, vërtet nuk kishte internet, që të bën gjëmën dhe të shpërndan me shpejtësinë e dritës foto dhe video intime, peshën e të cilave nuk e ka duruar dot as Kim Kardashian e jo më një vogëlushe në Berat, por edhe në atë kohë shantazhet ekzistonin, siç ekzistonin thashethemet, shpifjet që shkonin gojë më gojë, zhgarravinat në muret e banjës apo të shkollës, fëmijët e tjerë që ta bënin me gisht, mësuesit që të nxirrnin e të turpëronin përpara klasës, përpara shkollës, turpi se mos e merrte vesh prindi, frika se do turpëroje familjen… Të gjithë dimë shumë histori të tilla, mund ta gdhijmë duke i treguar. Edhe atëherë i kemi ditur, pak i kemi folur, kush njeh edhe viktima të ndryshme, por pak kemi bërë.

    Një natë pas festës nuk kam guxim t’i shkruaj asnjërës prej mamave që ishin mbrëmë në tavolinë. Duhet të jenë shumë të tronditura nga lajmi i kësaj vetëvrasjeje dhe u dridhet zemra teksa shohin fëmijët e tyre në atë moshë… Sado të mendosh se po e bën mirë punën tënde si prind, sado të jesh i bindur se fëmija jot nuk do jetë kurrë në asnjë nga dy kutitë e sondazhit, në asnjë nga anët e “barrikadës” së bullizmit, prapë alarmi është i madh. Siç edhe duhet të jetë. Sepse bullizmi nuk është nga ato gjëra që duhen lënë në heshtje, siç është bërë jetë e mot, duke bërë sikur nuk ekziston, aq sa të mos ketë nevojë edhe për një emërtim në shqip. Përkundrazi, luftohet vetëm duke folur, duke folur sa më shumë. Dhe duke çmuar mbi të gjitha jetën, mirëqenien e adoleshentëve. E ç‘është turpi në fund të fundit? Asgjë nuk është! As seksi, as dashuria dhe vuajtjet për të, as bukuria fizike apo mungesa e saj, as morali, as përgojimet, as sharjet, ofendimet, përjashtimet… Pesë me hiç janë të gjitha përpara jetës së një fëmije.

    Dhe ndoshta kur të mund të çlirohemi, si fillim ne dhe pastaj dhe vetë adoleshentët nga të gjitha këto, atëherë bullizmi nuk do të ketë nevojë për një emër në shqip.

    http://www.tiranapost.al/kercenohej-me-nje-video-16-vjecarja-i-jep-fund-jetes-duke-u-vetehelmuar/