• Shqip
  • English
  • E premte, 19 Prill 2019
  • Shqip
  • English
  • Art & Kulturë Kontribues Në rresht të parë Te gjitha TIP top

    Sa shumë kam pritur për t’ju dhënë këtë lajm!


    Nga Marçela Lati/Si shumë vajza, edhe unë jam rritur duke adhuruar veshjet e mamit tim. Ajo më dukej më e bukura dhe më modernia (asokohe maksimumi i adhurimit për modën shkonte te Parashqevi Simaku, që mami im ia kalonte si për nga bukuria edhe nga shija në të veshur :)). Përpiqej të spikaste me shijen e saj dhe pse nuk ishte e lehtë të bëje modë në atë kohë. Për ta ilustruar, po ndaj me ju këtë foto nga fëmijëria ime, foto që kur vajza ime e sheh thotë ’’Aaaaaa, sa cute! Edhe në kohët e vjetra ju bënit matchy matchy?’’

    Kujtoj që duhet të kem qenë rreth moshës 6 ose 7- vjeçare kur e vëzhgoja mamin tek bëhej gati për të shkuar diku dhe në mendje më ka mbetur momenti kur vishte ato getat e xhamta në këmbët e bukura dhe menjëherë pas tyre vishte këpucët. Më pas vishte fustanin dhe pastaj, me hapa të sigurt, ecte drejt pasqyrës (me vetëdije të plotë që unë po e këqyrja gjithë ëndje), duke më thënë: ’’Marcela, një grua e vërtetë nuk duhet të shihet kurrë në pasqyrë pa veshur këpucët, gjithë eleganca e saj është aty… tek këpucët’’. Dhe kujtoj që kur luaja me “të rritura”, para se të vishja fustanet e saj, të parat vishja këpucët e më pas ecja pa siguri me këpucët që më dilnin nga këmba dhe “admiroja’’ edhe unë veten në pasqyrë, zakon të cilin e ruaj ende sot, por këpucët nuk më dalin më nga këmba :).

    E ndava këtë fragment të fëmijërisë sime me ju, për t’ju treguar se prej sa shumë vitesh unë bart këtë pasion për këpucën, të cilin nga sot nuk do ta quaja më vetëm të tillë.

    Foto: Armand Habazaj

    Çdo ditë në punën time me nuset te “Geraldina” nuk ndaloj vetëm në zgjedhjen e fustanit. Gjithmonë i orientoj nuset për bizhutë, grimin… pra për total look-un e asaj dite. Por sa herë ka ardhur momenti i orientimit për të gjetur këpucën e duhur për nuse në Tiranë, vajzat me një fytyrë të mërzitur ankohen se tregu në Shqipëri lë për të dëshiruar dhe e vetmja zgjidhje mbetej blerja online e tyre. Pikërisht kështu lindi, shumë nga kërkesa e tregut dhe pak nga pasioni im për këpucët, “Marcela Lati Wedding Shoes”.

    Foto: Armand Habazaj

    Projekti që më mbajti të lidhur për më shumë se një vit mes kërkimesh e takimesh me fabrikantë të ndryshëm të këpucëve të nuses, stacionoi në Bologna dhe mori formë fillimvjeshtën që lamë pas.

    Për nusen e Geraldinës, dhe jo vetëm, jam e lumtur të ndaj me ju koleksionin e parë të personalizuar, i cili përmban 11 modele të mrekullueshme dhe elegante këpucësh.

    Foto: Armand Habazaj

    Nuk hezitova aspak t’i vija emrin tim, pasi çdo modelim i bërë nga Susanna dhe Paolo (modelistë bolonjezë të afirmuar, me të cilët pata fatin të bashkëpunoj në këtë nismë), më përfaqëson totalisht. Secilin nga ato modele do ta zgjidhja për ta pasur në dollapin tim të këpucëve.

    Foto: Armand Habazaj

    Të gjitha dëshirat dhe preferencat e mia se si duhet të jetë për mua një këpucë nuseje morën formë në këtë projekt. Mezi pres të kem përshtypjet tuaja në lidhje me modelet, të cilat nuk i ndaj dot, për mua janë të gjitha dashuri.

    “Marçela Lati wedding shoes” do të mund t’i gjeni te Geraldina, sigurisht, por edhe në www.marcelalati.com, ku përveçse mund të blini këpucët tuaja, mund të lexoni shkrimet dhe këshillat e mia mbi ditën tuaj të shumëpritur.

    Këpuca “Marçela Lati Wedding Shoes” lind si një këpucë/sandale për ditën e dasmës, por sigurisht që mund të përdoret në raste të veçanta edhe më pas, mjafton të kombinohet me shije. Jam e bindur që do dashuroheni me këto këpucë njësoj si unë dhe mbani mend vajza, mos u shihni kurrë në pasqyrë pa veshur më parë këpucët, edhe kur ato nuk janë “Marcela Lati Wedding Shoes” :).

    Foto: Armand Habazaj

    Lexohemi së shpejti për t’u njohur më shumë me modelet e këtyre këpucëve dhe filozofinë që ato mbartin.