• Shqip
  • English
  • E shtunë, 25 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Gatimet e Kelit Rozmarina Të gjitha

    Sa për kunj ndaj Fevziut kontrafileto dhe makarona për çerek ore


    Enkel Demi/ Më ftoi Blendi në studio për Krishtlindje dhe nuk e besonte se mund ta përgatisësh një drekë të plotë për gjysëm ore. Ma bëri fiksim, se një e dy e thoshte: “Po, jo o Kel, si bëhen kaq shumë gjëra për gjysëm ore?”, “Lëre tani, mos ia fut kot!”.

    E ç’më gjeti me këtë njeri që është skeptik, jo vetëm për politikën, por edhe për kusitë.

    Ndaj sot i frymëzuar si militant tiganesh vendosa të bëj të parë dhe të dytë, jo për gjysëm ore, por për çerek ore dhe Blendi le të më vijë anash, pasi të gjithë lexuesit e Rozmarinës mund ta zbatojnë me kohëmatës në shtëpi, përfshirë dhe Fevziun dora vetë.

    Përbërësit:

    Kontrafileto derri ose viçi (1 kilogram)

    Hudhër (5-6 thelpinj)

    Lulelakër (1 kokërr e vogël)

    Makarona të shkurtra (400 gramë)

    Domate qershi (300 gramë)

    Spec djegës (2 copë)

    Ullinj (100 gramë)

    Selino (tre fije)

    Vaj ulliri

    Kripë

    Piper i zi

    Piper i kuq kokërr

    Rigon

    Përgatitja:

    Në ujin që po zien, të cilin e ke kriposur hedhim makaronat. Në një tigan shtijmë vaj ulliri dhe dy thelpinj hudhër, së bashku me specin djegës. Puno me zjarr mesatar. Sapo ngrohet vaji dhe të lëshojë aromën e hudhrës së kavardisur, shtojmë lulelakrën të prerë me kubikë. Mos harro kripën.

    Kontrafiletos i heqim pjesën e dhjamit që ka sipër dhe në një tigan guri ia shkrijmë me zjarr mesatar. Në një plan të sheshtë ose dërrasë kuzhine hedhim me dorë kripën, piperin e zi, rigonin dhe piperin e kuq kokërr dhe e rrotullojmë në të kontrafileton.

    E heqim nga tigani dhjamin e mbetur dhe vendosim kontrafileton tek yndura e lëshuar në të. Nëse e duam me gjak e lëmë të skuqet dy minuta për secilin krah. Nëse e dëshirojmë pak më të bërë nga katër minuta për secilën faqe.

    Ndërkohë që makaronat janë zier i hedhim në tigan dhe i përziejmë me zjarr të ndezur.

    Pjatën e parë e shërbejmë duke i hedhur pak vaj ulliri sipër.

    Ndërkohë e heqim kontrafileton dhe e lëmë në planin, ku e kishim marinuar. Tre thelpinj hidhër i presim hollë dhe i shtijmë në të njëjtin tigan, ku kemi bërë kontrafileton. Me yndyrën e lëshuar i lëmë të skuqen mirë. Domatet qershi i presim përgjysëm dhe i hedhim në tigan, së bashku me selinonë e prerë në copa dhe ullinjtë, të cilëve ua kemi hequr bërthamat. I kavardisim për jo më shumë se pesë minuta. Kontrafileton e presim me feta të holla me një thikë mishi të madhe. I vendosim në një pjatancë, ku drejt e nga tigani derdhim domatet, megjithë lëngun e lëshuar. Kalojmë pak vaj ulliri përsipër dhe ia ku u përgatit dhe pjata e dytë.

    Për të tretë hani agrume, se keni nevojë për vitaminë C.