Ekonomia

Sa i kushton shtetit mbyllja e basteve?

Sa i kushton shtetit mbyllja e basteve?

Megjithëse është një vendim që ka miratimin e shumicës absolute të shqiptare, mbyllja e basteve ka edhe një faturë financiare, që mund të jetë e kripur. Në një intervistë për “Monitor”, Kryetari i Shoqatës së Basteve Artan Shyti ka thënë se kompanitë do të kërkojnë 30-45 milionë euro dëmshpërblim nga shteti për mbylljen e beftë që po i bëhet bizneseve.

“Vlera e llogaritur e dëmshpërblimit që do të kërkojmë nga qeveria shqiptare është 30-32 deri në 40-45 milionë euro. Kemi disa elemente që janë shumë komplekse, si qiratë e dhëna apo ato të parapaguara, pretendime nga qiradhëniet që duan të marrin në varësi të kontratës. Punonjësit mund të kenë pretendimet e tyre dhe nëse zbatojmë pikë më pikë Kodin e Punës për çdo punonjës, vetëm kostoja e pagave na shkon 10 milionë euro. Ata nuk mund t’ia kërkojnë shtetit. Do të na i kërkojnë ne. Ne pastaj do t’ia kërkojmë shtetit se ndërhyri në ligj, pa menduar për pasojat tona. Tek e fundit, ne kemi një licencë që është pronë që na i ka dhënë po shteti dhe na mbaron në 2026”, është shprehur Shyti.

Nëse gjykata vendos në favor të kompanive të basteve, ky do të jetë vetëm një prej dëmeve që u shkaktohet financave të shtetit. Një tjetër “gropë” e madhe do të jetë ajo e të ardhurave nga kompanitë e basteve, xhiroja e të cilave të paktën formalisht kap 700 milionë euro në vit. Gjithsesi ministri Ahmetaj ka thënë se qeveria e ka marrë parasysh këtë fakt dhe mungesa të ardhurave nga taksat do të jetë një sfidë për buxhetin e shtetit./Tiranapost.al, lajmi i referohet artikullit të Monitor.al