Aktualitet

Rrugë të shtruara e gjelbërim në Varrezat e Sharrës. Përfundon rehabilitimi

Baltë në dimër e pluhur në verë, kaos makinash, ndërtime pa leje e ambulantë që shisnin ku të mundnin. Kjo ishte panorama që ofronin varrezat e Sharrës deri para pak muajsh, por tashmë e gjithë kjo zonë është rehabilituar.

Përveç rikonstruksionit të tre rrugëve kryesore, që i vijnë në ndihmë banorëve të zonës, Bashkia e Tiranës rehabilitoi edhe mjediset e brendshme të varrezave, si dhe ka bërë numërtimin e tyre.

Kryebashkiaku Veliaj tha se, “Kemi sistemuar parkingjet, varrezat murale dhe po mundohemi që ky mjedis të jetë sa më dinjitoz. Ndoshta, lehtësojmë pak dhimbjen e të ardhurit në një vend paqeje, prehjeje e meditimi, se sa në një vend të zaptuar e të dhunuar në çdo cep të tij. Mënyra se si do funksionojnë varrezat e Sharrës janë në formën e një Unaze: futemi nga rruga kryesore në Sharrë, pastaj dalim në rrugën “Lekë Zaharia”, që po ashtu është rehabilituar, por edhe për banorët që janë në gjithë këtë zonë, tashmë ka më shumë civilizim, më shumë urbanizim”.

Po ashtu së bashkë me projektin e rehabilitimit të varrezave është bërë edhe largimi i të gjitha ndërtimeve pa leje, që ishin bërë pengesë e vazhdueshme për kortezhet apo për lëvizjen e banorëve.

Veliaj theksoi se Bahskia do të ndërhyjë edhe në varrezat e fshatrave të Tiranës./ Copyright Tiranapost.al