• Shqip
  • English
  • E shtunë, 25 Janar 2020
  • Shqip
  • English
  • Blogu i një vajze single, ose aty rrotull Të gjitha

    Rrofshin mamat! Sidomos kur nuk kanë Facebook


    Fotografia me mamin e një mikeshe në Facebook, më kujton se dje ishte dita e ndërkombëtare e nënës. Si shumë festa të jashtme, që nga Shën Valentini tek Halloween-i, mesa duket, edhe kjo e djeshmja na paska nisur të festohet. Sigurisht, bashkë me atë të 8 Marsit, që prej vitesh shoqërohet me kronika televizive “festë apo protestë?” dhe do vijojë të jetë kështu, për sa kohë televizorët dhe gazetarët të vazhdojnë të ekzistojnë, edhe kjo e 8 Majit është dita ndërkombëtare e nënës. Dita kur të gjithë postojnë në Facebook fotografi të buzëqeshura nëpër kafet e drekat festive me mamin apo fotografi bardh e zi nga fëmijëria.
    Mami im nuk nuk ka Facebook, kështu që besoj se dje nuk i mbeti hatri se përse unë nuk e urova për festën, që ajo (shpresoj) nuk e di që ekziston dhe vëllait nuk iu desh të shkonte tek luleshitësi për të porositur buqetën e radhës, në emër të të dyve, gjysmat e lekëve të së cilës nuk i merr kurrë. Dhe meqenëse nuk ka Facebook, as nuk arriti të mërzitej që sërish nuk pati fatin e shoqeve të saj, fëmijët e të cilave i shoqërojnë postimet me “jeta ime”, “dashuria ime më e madhe” apo “arsyeja e jetës sime”. Besoj se do donte të ishte si gjithë të tjerat në këtë pikë, sidomos sepse është e bindur që fëmijët që bëjnë të tilla postime me dashuri e drithërima, janë nga ata që nuk i kthejnë kurrë fjalën mamit, që flasin gjithmonë me zë të ulët dhe të buzëqeshur dhe nuk bëjnë as edhe një gjë që ta mërzisin atë. Do ishte e kotë t’i shpjegoje që ai çuni që poston foton e buzëqeshur me “dritën e jetës së tij”, kur kthehet në mbrëmje në shtëpi e pyet “plake, ça na ke bërë sot për të ngrënë?”, apo kërkesës së saj për të dalë e për të blerë bukë fiks sapo ai është kthyer, i përgjigjet “na çave trapin, si nuk më the më pare?”.

    Mami im nuk ka si ta dijë që në rrjetet sociale njerëzit shfaqen në 50 hijet e rozës, duke fshehur çdo hije gri. Ajo s’di asgjë, për të mirën tonë, që poshtë ndonjë fotografie mes shoqesh nuk shohim një koment të tipit “je më e mira nga të gjitha”, apo disi më politikisht korrekt “vajza shkëlqeni të gjitha”. Apo më keq akoma, nga ato zemrat që shpërthejnë dhe lloj lloj figurash, që mamatë e shoqeve të mia i derdhin pa kursim nëpër komente. Jam me fat që ajo nuk ka Facebook, kështu që nuk do lexoj ndonjë koment “Iva, vër pak buzëkuq, se dukesh shumë e zbehtë”, pikërisht ajo që vite të shkuara bënte sherr e shamatë se përse duhej të llangosesha me tualet, ndërkohë që tani që unë rri gjithë kohës ujë e sapun na u dashka të lyhem… Por ngaqë nuk ka Facebook shpëton dhe vetë ajo nga marrja e informacioneve për jetën time, gjëra që nuk ka pse t’i dijë, sepse në shumicën e rasteve do t’i ngrinin tensionin… Jo vetëm për të dalat dhe lokalet e sekretet që nuk i kemi ndarë kurrë, por edhe për gjërat e vogla. Imagjinoj, për shembull, që unë postoj një fotografi nga një festë Krishtlindjesh, ku kam veshur një palë sandale. (Durohet çdo i ftohtë, që të dukesh bukur). Ja, në një foto të tillë mami do thoshte “Iva, pse nuk ke veshur çorape?! Do të të zërë kolla”. Apo në një status ku unë mund të qaj hallin se për herën e njëqindtë më ka zënë gripi, në vend të një komenti “më raftë pika mamit”, që mua do më bënte shumë mirë, ajo është e zonja të thotë “kështu është kur del pa kanatiere, ta kam thënë njëqind herë”… Ah kjo kanatierja! Unë nuk kam një të tillë që nga viti 1998, kur kam ikur nga shtëpia e saj, që të jetoj më vete. Por, kjo nuk e pengon atë, që sa herë i dal përpara, dimër e behar, të më ngrejë bluzën dhe të konstatojë e habitur “prapë nuk ke veshur kanatiere?!”.

    “Kanatierja më duket se është fiksim i çdo mamaje”, më thotë shoqja ime që jeton ende me prindërit në shtëpi. “Ti e dëgjon një herë në kaq kohë këtë muhabet, unë e kam të përditshëm. Dhe ta mendosh që mami kurrë nuk është shqetësuar nëse unë kam lidhje, kam të dashur, ndahem apo bashkohem… Unë mbyllem të qaj në banjo kur më thyhet zemra, ajo thjesht shqetësohet nëse kam veshur apo jo kanatiere”. Edhe këtë e kanë të përbashkët nënat tona: nuk duan të na njohin dhe pikë. Kanë një ide se si jemi, domethënë se si duhej të ishte fëmija i tyre dhe sillen sikur ne jemi vërtetë kështu. Për shembull mamin tim e mbaj mend gjatë gjithë fëmijërisë të ketë thënë që unë nuk kam qenë kurrë xheloze për vëllanë e vogël: “Iva e do shumë dhe nuk është fare xheloze. Vetëm se pse nuk ha fare, është bërë shumë tekanjoze…”.

    Edhe nëse ia them tani që e ka pasur gabim, se si çdo fëmijë dhe unë jam ndjerë keq kur një bebe tjetër zuri krevatim tim të vogël, më thotë qetësisht se nuk e mbaj mend fare dhe se unë nuk kam qenë kurrë xheloze. Tërhiqem, sigurisht, nga një diskutim i tillë, sepse nuk kam dëshirë të dëgjoj fjalimin që kam qenë fëmijë i vështirë dhe nuk haja, ndërkohë që vëllai paska qenë shumë i urtë… Ose jam ende xheloze dhe nuk e njoh veten ose mami nuk do më njohë kurrë.

    Njëlloj si mamaja e shoqes sime të ngushtë, që i kaloi dhjetë vjet duke injoruar çdo thashethem për të bijën që ishte lidhur me djalin e fqinjëve dhe vetëm kur ata vendosën të fejoheshin, ajo tha: “uuaaaa, prandaj më thoshin të gjithë?! Nuk do besoja kurrë që do lidheshe me të. Ti e dije që ne nuk donim dhëndër mysliman”.

    Apo mamaja e shoqes tjetër, që nuk e kupton se vajza e saj, që ka së paku pesëmbëdhjetë vjet punë me rrogë shumë të lartë, nuk ka përse të paguajë këstet e kredisë së shtëpisë së prindërve, të paguajë shkollat dhe pastaj jetesën e të motrave dhe të dëgjojë të ëmën që thotë “gjërat i keni bashkë, se unë ju kam njëlloj…”. Njëlloj?! Pse ç’është mami? Robin Hudi, që ua merr atyre që kanë dhe ua jep atyre që s’kanë?! “Prindi i do fëmijët njëlloj”, ma pret mami shkurt, “Nuk i ndan kurrë”. Pastaj kur më dëgjon që unë përkëdhel qenin dhe i them “Je çun i mirë, të kam shumë xhan”, thotë pa të keq: “E sheh që çuni duhet më shumë?!”….
    OK, pra, e kuptuam, unë jam xheloze dhe mamat i duan çunat më shumë dhe tani mund të ecim përpara, të gjithë të sqaruar.

    Të gjithë, veç mamit, që edhe këtë vit këmbënguli nga e para të më niste bukën e Pashkëve, edhe pse unë sërish edhe këtë vit i thashë se nuk do shkoja tek ajo për drekë, pasi nuk ha asnjë nga ushqimet e kësaj feste… Apo byreku me mish, që bën gjithmonë në vend të byrekut me spinaq “sepse Iva e ha shumë”. Apo njëqind gjërave të vogla, që nuk i ka njohur asnjeherë, sepse “unë jam e vështirë”. “Po dhe ti, pse pretendon kaq shumë nga mami? Lëre të qetë”, – më thotë mikesha ime, që ashtu si unë, ka njëzet vjet që jeton pa prindërit, por që në ndryshim nga unë, ka zgjedhur të mos merret me asgjë nga këto, të hajë ato që i hahen, të hedhë poshtë ato që nuk do e të mos hapë asnjë muhabet më të ëmën, veç atyre që kanë lidhje me shëndetin dhe mirëqenien e shtëpisë. Nis dhe e sqaroj shoqen, se do ishte bukur që mami im të më njihte; se do ishte e tmerrshme që pas shumë vitesh unë të kisha një vajzë dhe të isha njeriu që di më pak për jetën e saj; se si do ishte bukur që ajo ndonjëherë në mes të një bisede telefonike të më thoshte “jam shumë krenare për ty dhe gjërat e tua”, si ai filmi koti që kam parë një natë me parë dhe jo të më thoshte “mos i bëj buzët aq të kuqe kur del në televizor se të tregojnë më të dobët…”.

    “Prapë me filma ti?”, më thotë mikesha, “po ato janë budallalliqe amerikane, mi zemra. Mamatë tona janë ndryshe, mjafton të mos sëmuremi dhe të veshim kanatieren dhe në rregull janë ato”.
    Ndoshta ka të drejtë. Ndoshta është faji im që shoh shumë filma ose postime patetike në Facebook me mamin më të mirë në botë, dritën e syve, ajrin dhe të tjera e të tjera… Eshtë thjesht mami im dhe kjo mjafton, i thotë të gjitha, i ka të gjitha brenda.
    Edhe pse dje nuk ka festuar.

    P.S. Mami nuk lexon as blogun, kështu që nuk ka nga e merr vesh që unë nuk vesh çorape as në dimër!

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post

    8 Komente

    1. Hahahahhahah vdiqaaaa
      Nuk i heq asnje presje pershkrimit. As mami im nuk ka facebook dhe kur e pyesin se pse nuk ka pergjigjet: nuk dua ta bej jeten private publike 😛

    2. Aman Ivush se tenton ajo imja te me njohe dhe ngaqe kemi natyra te ndryshme e dreqos punen me shume

    3. Iva Tico faleminderit qe shkruan per brezin tone dhe mamat tona pa fcb…nuk i heq as pike as presje mamase time…

    4. Dhe thuhet se ne fund ne fund, behemi njesoj si mamat tona… :)) ose aty diku afer …

    5. Je shume e vertet dhe origjinale. Bravo . Me pelqejne te gjitha shkrimet e tua, por tek ky e gjeta veten me shume.

    6. Uaaa sa qesha ?!!
      Puna e kantjeres ka marr dhèn ne familje. Sipas prinderit femer mqs une nuk vesh kanatjere prej vitesh as burrin im prandaj nuk vesh eftohet aq shpesh . Me demek faji qenkerka i gjithi i imi ?

    7. shume e sakte. nuk do dija nga te ja nisja te flisja per mamin tim. sa mire qe e the hapur.