Shije

Rrjetet sociale janë për personat e frustruar, Vittorino Andreoli: Askush nuk do të jetë normal, normalët janë të mërzitshëm

Rrjetet sociale janë për personat e frustruar, Vittorino Andreoli:

Është ndër psikiatrit dhe shkrimtarët më të njohur italianë, drejtor i Departamentit të Psikiatrisë në Verona dhe anëtar i New York Academy of Sciencesha: Vittorino Andreoli nëpërmjet romanit të tij të fundit distopik, flet për vetminë e nevojshme për njeriun, për rrjetet sociale që shërbejnë si ngushëllim për njerëzit e frustruar dhe normalitetin në shoqërinë tonë, që nuk shihet edhe me aq sy të mirë.

“Jemi të intoksikuar nga zhurmat, fjalët, mesazhet dhe gjithçka tjetër që zë mendjen tonë në fazën perceptive. Vetmia është një gjendje e nevojshme për të menduar. Sot kanë vdekur ideologjitë, ka vdekur fantazia. Jemi thjesht receptorë. E kam projektuar librin tim në vitin 2028 si një lojë për të ekzagjeruar disa gjëra. Unë mendoj se gjendja e sotme vetëm do të përshkallëzohet, do të vazhdojmë t’i bëjmë gjërat menjëherë, pa menduar fort për to. Facebook-u duhet të mbyllet. Aty kemi humbur individualitetin, besojmë se kemi një fuqi që është e rreme. Forcën e individit nuk e gjejmë në gjërat që tregon, por në ato që nuk thotë. Por këto rrjetet sociale po na shtyjnë të themi gjithçka, na kthejnë në qenie banale. Rrjetet sociale janë kthyer në një kusht të nevojshëm për ekzistencën tonë sepse kemi vdekur. Janë ngushëllim për njerëzit e frustruar. Është e rrezikshme kur nuk arrijmë të dallojmë më virtualen nga realja. Mësimi virtual po i hedh tentakulat në shtëpinë e çdokujt, në jetët tona personale. Por mbi të gjitha rrjetet sociale janë një rrezik potencial për të rinjtë, të ashtuquajturit “millennielas”. Unë jam shumë i shqetësuar, sepse nuk jemi më në gjendje t’i ndihmojnë. Mungon shembulli i baballarëve, të cilët nga ana e tyre kanë nevojë të mos ndihen të frustruar. E keqja nuk shfaqet kurrë e vetme. Ka diçka që nuk shkon në nivel social. Çfarë është normale dhe çfarë është e çmendur? Jemi të gjithë të çmendur dhe të gjithë normalë. Për shembull vrasjet më të neveritshme përputhen me normalitetin. Kur dikush më shqetëson, i them: “A e dini që jeni normal?” Dhe ai fillon të justifikohet... Pse? Sepse askush nuk do të jetë normal. Normalët janë të mërzitshëm. Normal do të thotë ekuilibër, koherencë, ndershmëri, rregulla. Pikërisht këta elementë shihen keq sot.”/Tiranapost.al