Blogu i Rërës Te gjitha

Rreziku na nxit të zgjedhim udhëheqës autoritarë


“Kushtet e pasigurisë i çojnë njerëzit të duan një njeri të fortë në pushtet që i mbron nga të huajt e rrezikshëm, por kjo tendencë ksenofobie-autoritare nuk është një trend global, por i takon shoqërive industriale të avancuara në Europë dhe Amerikën e Veriut.”

“Vlerat dhe sjellja njerëzore ndikohen nga siguria që kanë për mbijetesën e tyre.” Ky koncept darvinian (evolucioni) dhe hobsian (frika që nxit nevojën për autoritet) janë baza e librit të ri të Ronald Inglehart. Sociologu amerikan ka krijuar rrjetin botëror të World Values Survey, një institut analizash në kohë, që duke punuar në 80 vende që përbëjnë 85% të popullsisë globale, ka hartuar një teori mbi ndryshimet e vlerave morale, fetare dhe sociokulturore që derivojnë nga lidhja me politikën dhe ekonominë.

Cilat janë kriteret për të dalluar preferencat materialiste dhe postmaterialiste?
Në vëzhgimin tonë mbi Shtetet e Bashkuara të vitit 2017, u kërkuam njerëzve t’u përgjigjen gjashtë pyetjeve për objektivat më të rëndësishëm për të mirën e vendit të tyre dhe mund të përkufizojmë si “materialistë” ata që zgjedhin rritjen ekonomike, luftën ndaj kostove të larta të jetesës, rendin publik, dorën e hekurt ndaj krimit dhe postmaterialistë ata që u japin prioritet lirisë së shprehjes, pjesëmarrjes politike, më shumë autonomi punës së tyre, autoafirmimit, ambientit, lirisë së zgjedhjes seksuale. Që në vitin 2012, në presidencialet e dyta të fituara nga Obama, mes “materialistëve” kishte një simpati për republikanin Romney dhe mes “postmaterialistëve” një lloj dobësie për Obamën, por kjo diferencë është rritur në mënyrë spektakolare: mes “materialistëve” ishte katër herë më lartë mundësia për të votuar Trump, mes postmaterialistëve 14 herë më e madhe ishte mundësia për të votuar Clintonin.

Përpara kësaj gjetjeje, ju kishit nuhatur edhe një tendencë të ngjashme në të gjithë shoqëritë e zhvilluara ekonomikisht dhe keni ndërtuar një teori ku aplikoni konceptin e evolucionit. A mund ta sintetizoni?
Ndjesia sipas së cilës mbijetesa e vetjake e llojit të ngjashëm është bërë e pasigurt, çon në forcimin e solidaritetit etnocentrik kundër të huajve dhe solidaritetit të brendshëm në mbështetje të liderit autoritar. Për pjesën më të madhe të ekzistencës dhe kushteve të rrezikuara të jetesës, kanë bërë që të mbyllen kangjellat dhe të rreshtohen në luftë. Evolucioni ka zhvilluar një “refleks autoritar” për të cilin pasiguria nxit mbështetjen e udhëheqësve të fortë, refuzimin e të tjerëve, konformitetin e hekurt.

A varet forca e demokracisë nga siguria e mbijetesës dhe a është e ekspozuar ndaj rreziqeve nëse ajo siguri dobësohet?
Sot ekziston një sfidë e paprecedentë për demokracisë, që deri më tani është përhapur në një numër të madh vendesh. Kushtet e pasigurisë i çojnë njerëzit të duan një njeri të fortë në pushtet që i mbron nga të huajt e rrezikshëm, por kjo tendencë ksenofobie-autoritare nuk është një trend global, por i takon shoqërive industriale të avancuara në Europë dhe Amerikën e Veriut. Këtu është më e fortë. Nuk i takon Kinës, që nuk njeh këto probleme ksenofobie dhe as Indisë, që ka shumë probleme serioze por të ndryshme nga këto.

Por megjithatë nuk kemi një kolaps ekonomik as në Europë dhe as në Shtetet e Bashkuara, ka një pasuri më të madhe se pjesa tjetër e botës.
Është e vërtetë që nuk kemi një Depresion të Madh, por gjëja kryesore nuk është norma e rritjes por fakti se po arrihet në një pikë ku askush nuk mund ta marrë si të mirëqenë mbijetesën, ndërsa rritja e prosperitetit po ndodh në Kinë dhe në Indi. Vende si Suedia, Italia, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një zgjidhje politike për problemet e tyre, për diçka që krahasohet me kthesën e viteve ’30 kur resurset e mëdha u rialokuan për të krijuar vende pune të sigurta.

Nëse situata është kaq e qartë, nëse trendi populist varet nga kjo pasiguri, si shpjegohet që liderët demokratikë nuk kanë ditur të përgjigjen dhe se këtë arrijnë ta bëjnë vetëm liderët ekstremistë dhe populistë?
Sepse të parët ishin besimplotë se gjërat shkonin mirë. Dhe me të vërtetë që dukej se po shkonin mirë për shtresat e qëndrueshme të popullsisë, fillimisht për dy të tretat, pastaj për gjysmën, por në fund gjërat po shkonin mirë vetëm për dhjetë përqindëshin që qëndronte në majë. Liberalët, progresistët, pjesa më e arsimuar e popullsisë dhe më e sigurt në pozitat e saj e quajnë si diçka të kryer sigurinë elementare të ekzistencës personale dhe tentojnë ta heqin ksenofobinë duke e quajtur ndjenjë të pjesës më të prapambetur, injorante, idiote të popullsisë. Nuk janë të ndërgjegjshëm për korrigjimet radikale që u duhen bërë politikave standarde liberale të dy dekadave të fundit. Ama duhet ta pranojmë se duhet gjetur një rol i ri për qeverinë, të cilin deri tani liderët liberalë nuk e kanë konceptuar ende.

Si Bernie Sanders?
Edhe ai gaboi me diagnozën e situatës, por mendoj se roli shpërndarës i qeverisë arriti të kapë një pikë.

Problemi i emigrantëve duket se është një faktor përcaktues në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara.
Dallimi gjeografik është problemi më i madh në afatgjatë. Vende të varfra dhe vende të pasura tashmë me anë të mjeteve të komunikimit e kanë më të lehtë shpërnguljen. Rezultati është se kemi një emigrim të paprecedentë. Më shumë njerëz flasin spanjisht në Shtetet e Bashkuara se sa në Spanjë. Është diçka që i ndërron faqen Shteteve të Bashkuara. Asnjë shoqëri nuk është e aftë të administrojë një emigrim të palimituar. Për shembull në Suedi, që ka një traditë të gjatë dhe liberale dhe tolerante, me 18% emigrantë ka ndryshuar krejtësisht skena politike, ku një lëvizje ksenofobe është bërë faktor. Kështu edhe në Danimarkë, Norvegji dhe Holandë. Çështja është se kemi një kapacitet të limituar për të thithur emigrantë përpara se të shpërthejë ndonjë revolucion ksenofob që mund të jetë shkatërrues./ Ronald F. Inglehart është sociolog dhe ekspert i shkencave politike, aktualisht profesor Emeritus në Universitetin e Miçiganit. Kjo intervistë u përkthye nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al