Aktualitet

Rregullat që duhen ndjekur nga tregtarët e cigareve, duke filluar nga 1 Janari

Nga 1 Janari i vitit që vjen çmimi i paketave të cigareve do të rritet, për shkak të rritjes së akcizës në paketën fiskale .

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka miratuar udhëzimin përkatës me ndryshimet në skemën e deklarimit dhe pagesës së TVSH-së për cigaret. Në momentin e ndryshimit të çmimit maksimal të shitjes me pakicë nga furnizuesi kryesor (importuesi ose prodhuesi), në cilësinë e personit përgjegjës për deklarimin e çmimit maksimal të shitjes me pakicë, furnizuesi kryesor, furnizuesit e ndërmjetëm dhe njësitë e shitjes me pakicë, për qëllime të llogaritjes dhe të pagesës së TVSH-së për inventarin gjendje (stoku), në momentin e rritjes së çmimit, inventar ky i cili do t’i nënshtrohet çmimit të ri, duhet të zbatojnë procedurën e mëposhtme:

- Furnizuesi kryesor njofton rritjen e çmimit në përputhje me dispozitat e këtij udhëzimi dhe inventarizon cigaret gjendje (për të cilat ka njoftuar rritjen e çmimit me pakicë), në ditën e fundit të çmimit të vjetër.

- Furnizuesi i ndërmjetëm, që është furnizuar nga furnizues kryesor me qëllim për të rishitur te furnizues të tjerë të ndërmjetëm dhe/ose te njësitë e shitjes me pakicë, inventarizon cigaret gjendje në ditën e fundit të aplikimit të çmimit të vjetër të shitjes me pakicë.

- Shitësi me shumicë, tatimpagues TVSH-je, që furnizon me shumicë te njësitë e shitjes me pakicë, të cilat janë të regjistruar ose jo në TVSH apo çdo shitës me pakicë i regjistruar si tatimpagues TVSH-je, është i detyruar të inventarizojë cigaret gjendje, në ditën e fundit të çmimit të vjetër të shitjes me pakicë. Një kopje e inventarit dërgohet në Drejtorinë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar furnizuesi i ndërmjetëm apo shitësi me pakicë tatimpagues TVSH-je, brenda 5 ditëve pune nga data e aplikimit të çmimit të ri.

- Furnizuesi kryesor (importuesi apo prodhuesi), llogarit stokun e cigareve gjendje te tatimpaguesit që i nënshtrohen regjimit për bizneset e vogla (njësitë e shitjes me pakicë pa TVSH), si më poshtë:

Për secilën markë cigaresh për të cilat është deklaruar rritje çmimi, furnizuesi kryesor merr në konsideratë sasitë e shitura prej tij gjatë 90 ditëve të fundit para aplikimit të çmimit të ri, në bazë të të cilave llogarit shitjet mesatare ditore. Për rastet kur një markë cigaresh ka më pak se 90 ditë që furnizohet në treg, atëherë për llogaritjen e shitjes mesatare ditore merren ditët faktike nga dita e parë e furnizimit të kësaj marke cigareje.