• Shqip
  • English
  • E enjte, 19 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Art & Kulturë Të gjitha

    Rrëfimi i Isuf Kalos: Miqësia e Mehmet Shehut me mjekun francez, çfarë mesazhesh i çonte Perëndimit dhe lëshimi që bëri Enveri për…


    Kush ishte në të vërtetë Mehmet Shehu? Ishte njeriu më i besuar i Enver Hoxhës, vrasësi gjakftohtë, apo njeriu që do të udhëhiqte hapjen e Shqipërisë drejt Perëndimit? Në librin e tij “Blloku”, botim i “UET Press”, ish-mjeku personal i diktatorit Enver Hoxha, Isuf Kalo, tregon jo vetëm njohjen me këtë të fundit, por edhe me banorët e tjerë të lagjes më të famshme në Shqipëri. Një ndër personazhet më misterioze dhe më interesante në librin e Kalos është pikërisht Mehmet Shehu, Kryeministri më jetëgjatë i shtetit shqiptar. Mes të tjerash, Kalo tregon miqësinë që Shehu kishte me mjekun francez, Pol Miliez, me të cilin kolegët shqiptarë ishin konsultuar për shëndetin e diktatorit. Po ashtu, Kalo tregon “rivalitetin” e fshehtë të Mehmetit me Enverin, armiqësinë e hershme me Ramiz Alinë dhe librin mbi ekonominë që po shkruante përpara se të vetëvritej.

    HISTORIA E NJË SIMPATIE RECIPROKE

    Unë besoj se Mehmet Shehu e dëshironte ndryshimin e regjimit si në parime, ashtu dhe në mënyrën e qeverisjes së vendit. Atë e shqetësonte veçanërisht ekonomia, e cila ishte në keqësim e varfërim progresiv. Ndryshe nga e gjithë nomenklatura tjetër e sovjetizuar dhe e burokratizuar, Mehmeti kishte një stil racional e pragmatik mendimi, komunikimi e veprimi të tipit anglosakson. Besoj se ai kishte kohë që kërkonte hapësira dhe ura të reja për t’u lidhur me botën perëndimore. Këto ura i duhej ndoshta që t’i vendoste fshehtas, që kur Enveri të ishte ende në fuqi, për të demonstruar kështu më pas diferencën dhe pozicionimin e tij personal, origjinal, të ndryshëm nga regjimi dhe lideri i tij i mëparshëm.

    Në këtë kontekst, pas ndarjes sonë me ish-kampin socialist revizionist, atij i duheshin miq me influencë në vendet europiane perëndimore. Ai vetë, në rini pat qenë së pari për studime në Itali, pastaj si luftëtar në Spanjë dhe i burgosur a i internuar në Francë dhe i fliste rrjedhshëm gjuhët e tyre së bashku dhe me anglishten e rusishten. Hapin e parë për krijimin e një lidhjeje të tillë e hodhi në fillimin e viteve 1960 e shoqja, Fiqiretja. E ndodhur në Paris për një vizitë mjekësore, ajo i kërkoi takim konfidencial prof. Pol Miliezit, një mjek i shquar ky, i njohur për mendje të hapur, njëkohësisht konservator dhe katolik praktikant, mik personal, por dhe kritik i drejtpërdrejtë i De Golit.

    Ajo i shprehu profesorit dëshirën që ai të pranonte të konsultonte pacientë shqiptarë nga nomenklatura e lartë, të cilët tash e tutje, pas prishjes me kampin socialist revizionist, nuk kishin më mundësi të konsultoheshin nga mjekët e klinikës së Kremlinit. Prof. Miliezi e ka përshkruar këtë takim të papritur prej tij në një prej librave me kujtime, i botuar në vitin 1980, me titull “Mjekësia e lirisë” (Medicine de la liberte).

    Nuk dihet nëse Fiqiretja vajti te profesor Miliezi me iniciativën e vet apo ishte e autorizuar nga i shoqi, Kryeministër i vendit, apo nga dikush tjetër më lart? Më e mundshme ka qenë ta ketë marrë diku më lart miratimin. Miliezi ishte profesor i dëgjuar dhe mjek i madh. Ai konsultonte udhëheqës, mbretër apo presidentë të disa vendeve të botës. Pavarësisht nga kjo, si xhentil e pranoi me kënaqësi kërkesën e komunistes shqiptare dhe më pas u bë edhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Francë-Shqipëri.

    Edhe pse më vonë ai konsultoi, në raste të veçanta, dosjen shëndetësore të Enver Hoxhës dhe e takoi disa herë atë miqësisht gjatë vizitave në Shqipëri, çuditërisht u tërhoq më së tepërmi nga personaliteti dhe origjinaliteti i Mehmet Shehut dhe pati konsiderata të veçanta për të. Në vitin 1972, në kohën që Mehmeti ishte i shtruar në klinikën private Passy të Parisit për t’u operuar, u ndodha aty edhe unë, asokohe për specializim dhe herë pas here shkoja, me pëlqimin e pacientit dhe të Fiqiretes ta shihja ose të rrija me dr. Llambi Ziçishtin, Llambi Peçinin dhe Gani Kodrën që e shoqëronin. Miliezi erdhi disa herë personalisht aty për ta takuar. Bisedat e tyre ishin të gjata dhe bëheshin vetëm për vetëm, në dhomën e të sëmurit. Ka mundësi që të ishin me temë jo për sëmundjen, sepse Miliezi ishte internist, jo kirurg specialist.

    Libri-Isuf Kalo-Enveri

    Pas një vizite të tillë, një pasdite vonë Mehmeti më thirri në dhomën e tij për një porosi. Sapo hyra më ra në sy se atij i shkëlqente e gjithë fytyra nga lumturia e gëzimi dhe, si rrallëherë, ishte me humor. Efekti Miliez ishte i dukshëm. Pas daljes nga klinika, Mehmeti i bëri një takim joprotokollar me Kryeministrin e atëhershëm golist të Francës, Shaban Delmaz. Ky ishte një eveniment i jashtëzakonshëm për vendin tonë, krejtësisht të izoluar e të braktisur nga Europa. Takimi u paraqit si gjest mirësjelljeje nga ana franceze, meqë Kryeministri shqiptar gjendej privatisht në Paris, por një person i ambasadës sonë që u mor me organizimin e tij, pretendonte se pas protokollit kishte pasur mes tyre edhe një bisedë të shkurtër konfidenciale kokë më kokë. Në kthimin e tij në apartamentin e vogël, të marrë me qira nga ambasada jonë në “Aveny Suffren”, ajo që bënte përshtypje qe se edhe atë ditë, fytyra e sytë i rrezatonin dritë jo të zakontë.

    Miliezin e pata takuar dhe kisha biseduar me të disa herë për çështje pune dhe opinionesh në Paris, por edhe në Shqipëri. Në vitin 1980, ndërkohë që ndodhesha në Paris, ai më dha një kopje me autograf të librit të tij të sapobotuar me kujtime personale, “Mjekësia e lirisë”, për t’ia dorëzuar Nexhmijes si dhuratë nga ana e tij, me subjekt konsultat e tij mjekësore për udhëheqës të vendeve të ndryshme të botës.

    Një kopje të atij libri e kam edhe unë. Në të flitet edhe për vizitat e tij në Shqipëri, përgjithësisht me dashamirësi, politesë dhe diplomaci (me disa komplimente për ne, mjekët shqiptarë), por duke lënë të kuptohej mes rreshtash mosmiratimin e tij për mbylljen e vendit dhe mungesën e demokracisë. Në faqet e tij haset befas edhe një frazë që evokonte shpresën e tij për hapjen dhe demokratizimin në të ardhmen, të cilën e bazonte në kontaktet konfidenciale që kish pasur me personalitete të udhëheqjes politike këtu.

    “Megjithatë, ka në atë vend ndonjë person nga udhëheqja e lartë, që me siguri në të ardhmen jo të largët do të dinë t’i hapin atij vendi shtigje të reja drejt lirisë”, shkruante ai. Vetvetiu kuptohej që personi nuk mund të ishte Enver Hoxha, përderisa fjala qe për shtigje lirie, që do të hapeshin në të ardhmen. Atëherë fjala duhet të ish për njërin nga pasardhësit e tij. Që fjalën Miliezi e kishte konkretisht për Mehmet Shehun, u kuptua qartas më vonë.

    Fill pasi Mehmeti u eliminua dhe familja e tij u persekutua, në një libër të dytë që botoi në vitin 1983 me titull “Mirëpërdorimi i jetës dhe i vdekjes” (Du bone usage de la vie et de la mort), ndonëse ishte kryetar i Shoqatës së Miqësisë Francë-Shqipëri dhe ende zyrtarisht mik i ambasadës sonë atje, ai mbante haptas qëndrim të kundërt dhe mosmiratues me qëndrimin zyrtar të shtetit tonë ndaj “rastit tragjik Shehu”.

    Ai denonconte publikisht me shumë dhembje këtë akt tragjik “për një mik të shtrenjtë” dhe kërkonte të dinte për fatin e së shoqes dhe të fëmijëve të tij. Me çfarë vallë e kishte impresionuar Mehmet Shehu këtë konsulent liberal të madh? Me origjinalitetin, racionalitetin, energjinë, vizionin largpamës, apo me premtimet dhe planet ende të fshehta të tij për të ndryshuar, kur t’i vinte dita, fatet dhe orientimin e vendit? Miliezi nuk e fshihte se në misionet e tij mjekësore, ai kryente sipas rastit edhe misione politike dhe të mesazherit mes të sëmurëve të mëdhenj të vendeve të ndryshme, ku konsultonte dhe të qeverisë së vendit të tij.

    nata-e-fundit-e-mehmet-shehut-ndash-nata-kur-ai-e-mori-vendimin-fatal_hd-780x439-Copy

    Disa mesazhe dhe kërkesa të udhëheqjes sonë, mes tyre një e pasuksesshme për të pranuar studentë e stazhierë shqiptarë të arsimoheshin dhe të specializoheshin me trajnime afatgjata në Francë, e kundërshtuar nga qeveritarët e Francës, ai e përmend edhe në librin e tij të parë, “Mjekësi e lirisë”. Ministri i Jashtëm francez, fillimisht e miratoi në parim kërkesën e Miliezit, por pas pak ditësh u tërhoq dhe e anuloi atë, sepse e kishte kundërshtuar ministri i Brendshëm, me frikën se “studentët shqiptarë do të na indoktrinonin ideologjikisht studentët tanë!” Profesori i madh, që e kish parë e njohur thellë nga afër realitetin shqiptar të asaj kohe, shkruan në libër pas kësaj me shpoti: “E ku ta dijë ministri ynë se, nëse do të kishte studentë që do të indoktrinoheshin në Francë, është e sigurt se ata nuk do të jenë studentët tanë shqiptarë”.

    A përjashtohet që të ketë pasur mesazhe të konfidencialitetit më të lartë nga ana e Mehmetit për t’u përçuar nëpërmjet Miliezit diku tepër lart në Francë? Hipoteza që Mehmeti e miratoi “fejesën e ndaluar” si një balonë prove për t’i lajmëruar e sinjalizuar simbolikisht Perëndimit, veçanërisht Shteteve të Bashkuara ku kishte krushqit e nuses, heqjen dorë prej tij nga ortodoksia komuniste e deriatëhershme, është e vështirë që të provohet dhe po aq vështirë që të mohohet.

    Nëse një ditë kjo provohet, është e lehtë të shpjegohet pse ai nuk e pa të arsyeshme të mos e pyeste ose konsultonte atë me Enverin. Nëse do ta kishte konsultuar dhe miratuar me të, atëherë kjo hapje dhe zbutje do t’i njihej meritë Enverit, sepse ai ishte i pari absolut i vendit. Si nxënës i shkollës amerikane teknike të “Harry Fultz”-it, Mehmet Shehu ishte i vetmi nga udhëheqësit shqiptarë që fliste e lexonte, madje edhe mendonte anglisht.

    Është e vështirë për mua ta imagjinoj që ai ta ketë urryer e trajtuar sinqerisht Amerikën dhe Anglinë si armike të vendit të tij, siç ishte i detyruar të shprehej në retorikën e fjalimeve publike. Magnetizimi i tyre, i mbajtur me shumë mund nën kontroll fshehtas brenda vetes për dekada me radhë, ndoshta me apo pa vetëdije, bëri që ai t’i thoshte atë ‘po’-në e gabuar, aq fatale, të birit për fejesën.

    Enver Hoxha dhe Hysni Kapo

    ENIGMA E NJË LIBRI DHE E SJELLJES SË VRAZHDË

    Pavarësisht nga këto, unë, dhe besoj të gjithë të tjerët që kanë jetuar në atë epokë, nuk kanë pasur dyshim se Enver Hoxha e kish paracaktuar pa mëdyshje Mehmetin si pasardhës së tij. Enveri nuk kish as arsye, as kohë, që të ndërronte mendim për ta zëvendësuar atë me dikë tjetër. Qeverisja, Ekonomia, Ushtria, Sigurimi, si dhe Bujqësia ishin fusha të kompetencës absolute të Mehmetit. Ato ishin të njohura vetëm përciptas, ose në mënyrë fragmentare e propagandistike nga Enveri. Madje, për ta njohur dhe për ta mësuar dhe siguruar paraprakisht popullatën me imazhin dhe meritat e pasardhësit të tij, Enveri bëri një lëshim substancial: fotografia e Mehmet Shehut u lejua të afishohej në mënyrë të detyrueshme në muret e institucioneve, krahas asaj të Enverit. Dukej sikur Enveri kishte miratuar dhe zyrtarizuar diçka që kishte qenë deri atëherë tabu: dualitetin e pushtetit. Veç kësaj, kur Enveri filloi të botonte njëri pas tjetrit veprat e tij, mesazhi i tyre ishte që ato do t’i shërbenin pasardhësit dhe të gjithë anëtarëve të Partisë e të qeverisë për t’i zbatuar rigorozisht dhe për të vazhduar me to “veprën e nisur nga Enveri në përjetësi”, pra edhe kur ai të mos ishte gjallë. Mirëpo, çuditërisht, pak vite më vonë, kur Enveri ende jetonte, dolën në shtyp paralelisht edhe vepra të zgjedhura të Mehmet Shehut. Duke njohur inteligjencën e tij, ky akt më pat habitur.

    Ai po hynte me një vetësiguri të tepruar në lojën e rrezikshme të barazitizmit dhe të konkurrimit ndaj Enverit, i cili ishte ende i gjallë. Redaktuesja dhe botuesja e veprave të Enverit dihej që ishte Nexhmija, në institutin e ngritur posaçërisht për këtë qëllim. Po ato të shokut Mehmet, kush do t’i redaktonte dhe botonte? A përmbanin ato ide origjinale, mësime të reja që paskëshin shpëtuar të pathëna dhe të pashkruara në “veprat gjeniale të shokut Enver”? Apo donin të bënin konkurrencë me të? Sikur të mos mjaftonin këto, në vitet 1980-1981, si ta kishte parandier fundin e vet, Mehmeti iu vu të shkruante me shumë pasion një libër apo monografi me subjekt ekonominë.

    Ky libër, me sa u kuptua më vonë, “nuk i ishte kërkuar nga Partia”, as nga Enveri, por ishte thjesht iniciativë e tij. Askush nuk e dinte pse, cili ishte qëllimi dhe subjekti dhe kush do ta përdorte atë! Më pas, kur Mehmeti po rrëzohej, Enveri ia përmendi me shpoti atë libër të mbetur përgjysmë, pa u mbaruar, sepse ai, sipas tij, “e pengoi të bënte në kohën e duhur raportin e qeverisë” në Kongresin VIII të Partisë së Punës. Nuk di nëse u botua apo jo ai libër. As nëse ekziston apo jo ndonjë ekzemplar i tij. Në atë kohë, në universitetin tonë mësohej ekonomia politike dhe ajo e socializmit.

    Në Institutin e Studimeve MarksisteLeniniste, që drejtonte Nexhmija, bëheshin studime të karakterit njohës dhe shkencor edhe për ekonominë kapitaliste të tregut, por me qëllim të vetëm që të peshkonin në to elemente e argumente për t’i kritikuar dhe kundërshtuar. Kishte edhe një institut të veçantë të studimeve ekonomike. Por, çuditërisht, Kryeministri dhe pasardhësi i deklaruar i Enverit nuk u referohej ose ndoshta nuk i besonte ato. Ai, me sa u tha, donte të përvijonte një vijë ekonomike personale, si ideologu dhe implementuesi i saj. Për fat të keq, ajo mbeti e panjohur dhe u varros bashkë me të.

    Enver-Hoxha-me-mjekun-francez-471x360-780x439

    Ajo që më çuditi aso kohe në këtë dëshirë të re pasionante të Mehmetit, ishte se pati ndodhur të dëgjoja nga goja e tij se përveç ekonomisë politike dhe asaj të socializmit “nuk kish ç’të merrej, madje as na duhej ndonjë element i ekonomisë së vendeve kapitaliste”. Kjo ndodhi në vitin 1972, në kohën që Mehmeti ishte në Paris, kur ai pati dal nga klinika Passy dhe qe strehuar në një nga apartamentet e stafit të ambasadës sonë në Aveny Suffren. Ndërkohë, siç thashë më lart, unë isha asokohe për specializim disamujorë në diabetologji, por bashkë me mua qenë edhe një grup i madh profesionistësh e profesorësh shqiptarë nga fusha të ndryshme për specializim.

    Ata kërkuan t’i bënin Kryeministrit një vizitë kortezie, siç e kemi ne shqiptarët. “Më ngarkuan mua të bisedoja paraprakisht me Fiqireten. Ajo, por dhe Mehmeti vetë, e pritën këtë propozim me bezdi “sepse apartamenti qe i vogël” dhe i sëmuri ende i lodhur (çka ishte e vërtetë). Fiqiretja më tha që grupi të mos ishte më shumë se 6-7 vetë nga rreth 15 që kishin shprehur dëshirën, por deshi të dinte se cilët do të ishin konkretisht. Ishte e vështirë të zgjidhje. Sidoqoftë, unë sugjerova profesor Pleurat Xhuvanin, Bashkim Bahollin dhe Alfred Palokën (këta dy të fundit inxhinierë), dr. Pëllumb Bitrin, dr. Muzhak Kosturin mjek kolegë të mi etj. Veç atyre, propozova edhe inxhinieren kimiste L. P., pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, e vetmja grua në atë grup “maskilist”. Ajo njihej edhe si një nga bukuroshet e rralla e të famshme të asaj kohe dhe njëkohësisht e mrekullueshme si njeri. Vajzë e përsosur, shumë korrekte në sjellje dhe e shkëlqyer në mësime. Unë me të isha bashkëmoshatar dhe e njihja si shoqe të mirë shkolle, sepse ishim bashkë në të njëjtat vite në gjimnazin “Qemal Stafa” të Tiranës.

    Ajo pa dyshim meritonte të ishte e para në listë. Mirëpo, për habi, Fiqiretja reagoi si e pickuar, sapo dëgjoi emrin e saj. “Ajo, jo”, tha në mënyrë të prerë, kategorike dhe nervoze. Nuk dha shpjegim. Unë mbeta pa fjalë. Pata pritur që ajo të gëzohej se do të takohej me një grua pedagoge dhe intelektuale. Të kishte vallë arsye xhelozie për bukurinë e asaj? As që më kishte vajtur mendja për diçka të tillë, sepse në asnjë aspekt, ato nuk mund të ishin rivale dhe Mehmeti thuajse kishte moshën e babait të saj. Apo mos vallë, Mehmeti ishte i “fiksuar pas së bukurës” dhe Fiqiretja druhej mos do të kontrastonte me të, e i shoqi do të magjepsej pas shoqes sonë? Mister. Në fakt, asnjëherë gjatë gjithë kohës që punova në Bllok nuk pata dëgjuar të përgojohej Mehmeti si i tillë. Përkundrazi, thuhej se ai nuk sillej xhentil dhe delikat me gratë.

    Fizikisht dhe në temperament, Mehmeti dukej viril, por askush nuk kishte dëgjuar në Bllok, dhe as jashtë tij, histori apo legjenda rozë apo erotike për të. Mirëpo, shumë kohë më pas, kur Mehmeti u vetëvra, Haxhi Kroi, sekretari personal i Enverit, ka shkruar në ditarin e tij të botuar në shtypin tonë diçka befasuese: se në kasafortën personale sekrete të Mehmetit, në shtëpi iu gjetën bashkë me dokumente të tjera dhe revista me gra dhe disqe të tipit pornografik, të cilat u sekuestruan për hetim.

    Më pas, asgjë nuk është folur për këtë subjekt, i lënë deri më tash i mbuluar me një tis dyshimi. Sidoqoftë, atë ditë, ne vajtëm për vizitë vetëm 7-8 vetë, pa L. Me ne ishte edhe profesor Pleurat Xhuvani, vëllai i madh i gruas së Ramiz Alisë dhe i heroit Ptoleme Xhuvani, e njëkohësisht asokohe dekan i Fakultetit Ekonomik në Tiranë. Madje, si më i moshuari ndër ne, ai hyri i pari. Kur hymë në dhomë, Mehmeti ishte dhe mbeti gjithë kohën i ngrysur. Na përshëndeti me kokë, siç ishte i ulur mbi kanape, pa luajtur nga vendi. U bë një copë herë heshtje. Të gjithë rrinim të sikletosur. Një nga personeli që i shërbente, na gostiti me bonbone për urim. Pas ca fjalë urimesh të belbëzuara me droje nga ne, Mehmeti ngriti sytë dhe iu drejtua Pleuratit, si më i moshuari dhe i ulur në krye nesh: “Ti përse ke ardhur në Francë?” “Jam në një kurs tremujor për ekonominë”, u përgjigj profesori me një zë të mbytur. (Në fakt ai kishte ardhur njëkohësisht edhe për t’u mjekuar lidhur me një problem që kishte me dëgjimin.) “Për ekonominë? Ç’thua mo? Ç’janë këto dokrra?”, shpërtheu befas nga vendi vrazhdë, Mehmeti.

    “Pse këtu nga këta kapitalistët do ta mësojmë ekonominë ne? Këta të vijnë të mësojnë te ne dhe jo ne këtu”, vazhdoi ai i nxehur. “Po pse s’na thua që zotrote paske ardhur këtu me mik sa për turizëm!”, përfundoi ai. Kuptohej e kishte fjalën për Ramiz Alinë, që ishte kunati i profesorit! Pati një çast heshtjeje. Më pas, ai vazhdoi t’i pyeste edhe të tjerët një nga një, por më qetësisht, pa agresivitet. Mua nuk më ngau, sepse e dinte… Ra përsëri heshtje. Pas pak, u ngritëm dhe ikëm si në faj. Kur dolëm jashtë, unë isha ende i habitur nga mënyra aq brutale se si Kryeministri e ofendoi profesor Xhuvanin, djalin e gjuhëtarit të shquar Aleksandër Xhuvani dhe vëlla i Semiramit, gruas së Ramiz Alisë. Armiqësia mes Mehmetit dhe Ramiz Alisë dukej se ishte e thellë dhe e hershme. Ajo mund të kishte filluar që pa ndodhur krushqia e mbesës së Ramizit, Teutës me djalin e madh të Enver Hoxhës. Në këtë kontekst, m’u kujtua edhe që L. na kishte treguar se ajo kishte miqësi të ngushtë me Semiramin, me të cilën ishin të dyja kolege, pedagoge në të njëjtën fakultet. Ajo, madje, e kishte ftuar L. në shtëpinë e saj në Bllok dhe e kishin pritur me përzemërsi familjarisht. Aty, L. kishte pasur rast të takonte edhe Ramizin.

    Madje, edhe për bursën e specializimit të saj në Francë, L. na kishte treguar se i ishte mirënjohëse ndihmës dhe ndërhyrjes së Semiramit. Mos vallë kjo miqësi e L. me familjen Alia ishte e njohur paraprakisht nga Fiqiretja (me anë të “gazetës së pashkruar” të Bllokut) dhe mund të ishte ky shkaku i vërtetë dhe jo xhelozia femërore për refuzimin dhe qëndrimin jo miqësor ndaj saj, bazuar në parimin maoist “mikja e armikes sime, është armikja ime”? Nga ana tjetër, duke kujtuar në episodin e asaj dite agresivitetin e Mehmetit ndaj profesor Xhuvanit për padobishmërinë e trajnimit dhe të njohjes së ekonomisë kapitaliste nga ekonomistët tanë, patën lindur më pas pyetjet: Përse pas kaq shumë vitesh, vetë Mehmeti nisi të shkruante me aq përkushtim, vullnetarisht dhe fshehurazi nga Enveri një libër me subjekt ekonominë? Përse duhej ky trajtim origjinal dhe personal për ekonominë tonë, kur dihej që çdo gjë për të, te ne duhej ta propozonte dhe ta vendoste vetëm Partia, sipas “ideve dhe mësimeve të fjalimeve dhe librave të shokut Enver”? Mos vallë, Mehmeti dhe Fiqiretja po nxitonin të ligjëronin me zell dhe padurim paritetin vendimmarrës me Enverin, pavarësisht se ky ishte ende i gjallë? Djalli, thonë, fshihet te detajet./PANORAMA/ Tiranapost.al.

     

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690