• Shqip
  • English
  • E diel, 18 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Të gjitha

    Rrëfimi i Anita Haradinaj një javë më parë në Londër: Djali i vogël më pyeste ku është babi, unë e gënjeja por një ditë dolën lajmet


    Esencë editori/ Para se të lexonte fjalimin e mëposhtëm në samitin “Global Women” në Londër, Anita Haradinaj tregoi një copëz histori nga koha kur bashkëshorti i saj Ramush Haradinaj ishte në burgun e Hagës.

    Ajo rrëfeu copëza të ditëve kur rriste fëmijët, e vetme, dhe mbi të gjitha si i përgjigjej djalit të saj të vogël kur pyeste përse njerëzit kërkonin lirimin e Ramushit.

    Përgjigjia e Anitës ishte se babai i tyre kishte kopjuar në klasë. Për ironi të fatit sot bashkëshorti i gazetares së njohur në Kosovë ka dhënë dorëheqjen për shkak se sërish duhet të përballet me historinë e tij, këtë herë në një marrje pyetje në gjykatën speciale. Sot, fëmijët janë më të rritur dhe nuk bëjnë pyetje të tilla edhe pse pyetje të rija ngrihen prej të rriturve.

    Javën e shkuar Anita Haradinaj u nderua me çmimin Phenomenal Global Women, të cilin ajo ia dedikoi mijëra grave dhe vajzave të Kosovës. Gjatë fjalimit të saj, Haradinaj rrëfeu dy histori kurajoje dhe shprese nga Vasfije Krasniqi–Goodman dhe Majlinda Kelmendi. Historia e parë hodhi dritë mbi një nga aspektet më të dhimbshme por edhe delikate të luftës në Kosovë, atë të përdhunimeve. Ndërsa ajo e Kelmendit nënvizoi faktin se gruaja ia del jo vetëm që të sjellë ndryshim por e nis atë nga vetja.

    Në fund të fjalimit, Haradinaj solli në kujtesë momentin e martesës me dashurinë e saj dhe zbuloi edhe vuajtjet, sfidat dhe rëndësinë e ekuilibrit.

    “Kur u martova me dashurinë time të jetës – meqë ra fjala,bashkëshorti im i dashur është aktualisht kryeministër i Kosovës- nuk e imagjinoja sa vërtetësi kishte në fjalët: që nga sot e tutje, në të mirë e në të keq.” Ne kemi përjetuar momente të mrekullueshme, por mes syresh ka patur edhe të vështira. Presionin më të madh e kam vuajtur gjatë viteve kur ai ishte në Hagë- për rikujtesë, ai u çlirua nga akuzat dy herë nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Përpos ankthit, vetmisë dhe shumë netëve pa gjumë, shqetësimi im më i madh ishte se a do ia dilja të isha e fortë para fëmijëve. Historitë tona familjare të heroizmit dhe kurajos gjatë luftës nuk mund të përputheshin kurrësesi me imazhin e një gruaje dhe nëne të brishtë. Si rrjedhojë, nuk kisha alternativë tjetër.

    Mu desh të bëhesha e fortë para tyre, publikut dhe vetes. Të qenit gruaja e një politikani vendim-marrës nuk është aspak e lehtë, më besoni. Stresi është shumë i madh dhe jeta e komplikuar e përditshme ka pasoja direkte tek familja. Fakti që jam nënë e tre fëmijëve dhe prezantuese e edicionit kryesor të lajmeve në Televizionin Publik të Kosovës, është lehtësisht i akumulueshëm në përgjegjësitë e mia. Kjo është arsyeja përse për mua ka qenë shumë e rëndësishme gjetja e një mënyre të përshtatshme bashkë dhe ndërveprimi të jetës sime me jetët e të tjerëve. Fjala ime magjike është Ekuilibri. Ekuilibër mes vetes, familjes, karrierës, bashkëshortit dhe punës së tij. Ekuilibër mes privates dhe publikut. Të dish çfarë është e rëndësishme më shumë se gjithçka tjetër. Një qasje e tillë ishte shpëtimi im. Nëse ka një këshillë që mund të jap këtu në bazë të përvojës time është që të bëni çdo përpjekje në gjetjen e ekuilibrit mes gjërave më të rëndësishme në jetë”, përfundoi ajo. /Tiranapost.al/