Aktualitet

Rrëfimet e një fotografi si Douglas Kirkland: Atë natë me Marilyn Monroe, mes çarçafëve të mëndafshit...

Rrëfimet e një fotografi si Douglas Kirkland: Atë natë me

Le Figaro/ Douglas Kirkland njihet si fotografi i yjeve që bënë historinë e modës dhe spektaklit në shekullin e XX, që nga Coco Chanel, te Marilyn Monroe apo Brigitte Bardot. Sot, 83 vjeç, nuk ka hequr ende dorë nga fotografia, megjithëse pranon se shumë gjëra kanë ndryshuar. Tregon edhe disa prapaskena të setit fotografik me Monroe, e tëra e zhveshur mes çarçafëve të mëndafshit.

Mes kaq shumë emrash të njohur, nga t’ia nisim?

Nga Mademoiselle. Në vitin 1962, kur amerikanët nisën të interesoheshin për punën e saj falë Jackie Kennedy, më thanë të takoja Coco Chanel. E takova në një korridor. Më priti me një “Salut!” dhe duke më parë të habitur, menjëherë shpjegoi në anglisht “I just said hello to you!”. Kishte parë fotografitë e mia të modës dhe më la rrugë të lirë. E ndoqa teksa punonte, me një saktësi ekstreme, në një atmosferë përqendrimi dhe qetësie. Isha me të kur shtypi njoftoi vdekjen e Marilyn Monroe. Mademoiselle u mjaftua të thoshte “Vogëlushja e gjorë...”.

E parashikuat vdekjen e saj, duke qenë se një vit më parë kishit ndenjur për më shumë se një vit bashkë duke e fotografuar?

Ishte tmerrësisht e paqëndrueshme, për këtë nuk ka pikë dyshimi dhe sigurisht që ka vuajtur për filmin që ia lanë përgjysmë, “Të martuarit”. Në takimin tonë të parë dukej si një çupëlinë. Herën e fundit që trokita në derën e saj për t’i treguar fotografitë, ma hapi por e gjithë shtëpia ishte errësirë. U zhduk menjëherë. Shkoi në një dhomë tjetër për të parë fotografitë, ishin rreth 20 të tilla. Mbante syze të errëta dhe në fund më kërkoi që t’i gjeja një lente dhe një palë gërshërë për të prishur fotot që nuk i pëlqenin.

Ato fotografi u bënë të famshme. E tregojnë Monroe në një shtrat, të mbuluar me çarçafë të bardhë. Kujt i shkoi në mendje për ato poza?

Ishte ideja e saj. Vetëm ajo, pa asnjë rrobë në trup përveç një çarçafi mëndafshi, me një gotë Dom Perignon dhe një disk të Frank Sinatras. Në takimin tonë të parë, i largoi asistentët duke i thënë “Dua të rri vetëm me këtë djalin”. Në atë çast u zhvesh plotësisht, duke u mbuluar me çarçaf. Donte të luante me mua. Isha 27 vjeç atëherë dhe nuk më kishte ndodhur kurrë t’i afrohesha trupit të një dive. Isha i eksituar, por ndjeja shumë ankth, siç edhe mund ta imagjinoni! Me atë çarçaf ajo argëtohej duke u mbuluar e duke u zbuluar. Në një moment të caktuar, më ftoi në shtrat, por unë rezistova. Doja të bëja fotografi të tjera. Nga ajo natë kam mësuar shumë gjëra, por nuk e kam gjetur kurrë më një intensitet të atillë.

A mund të jetë frustrimi një stimul artistik?

Ndoshta frustrimi jo, por joshja po. Një set fotografimi është si një seksion kërcimi. Rrotullohesh rreth modeles duke e parë tinëz. Duke e parë nga kënde të ndryshme, për të gjetur këndin perfekt, ka një pritje që është si premtim. Është diçka që e bën të ndihet e bukur dhe e dëshiruar.

Ju nuk keni qenë fotograf skene, por fotograf “special”, është e vërtetë?

Nuk isha i varur nga produksioni, por isha i dërguar special i revistës. Për shoqërinë e prodhimit ishte një formë reklame me kosto zero. Për mua ishte interesante mundësia që m’u dha për të hyrë në marrëdhënie personale me yjet e spektaklit. Kjo është gazetaria: të vëzhgosh dhe të ndërtosh marrëdhënie specifike me personat. Kam ndjekur prapaskenat e më shumë se 200 filmave. Prej aty vijnë edhe fotot e mia më të njohura.

Si ajo e Brigitte Bardot e strukur në tokë me një dorë te macja...

Ishim në Meksikë, në prapaskenat e “Viva Maria!” nga Louis Malle. Në takimin tonë të parë, duke më parë në këmbë përballë vetes, u ul paksa. Unë e imitova, ajo vazhdoi ta bënte deri sa u shtrimë të dy në tokë. I pëlqente shumë të luante, kishte nevojë të rrethohej nga miq. Nuk duronte dot të rrinte vetëm.

Çfarë ka ndryshuar në botën e imazhit për një fotograf?

Së pari, koha në dispozicion. Një herë e një kohë mund të kaloje një muaj me protagonistin e një seti fotografik. Sot, gjithçka bëhet për një orë. Por unë nuk shoh prapa dhe falënderoj Zotin që më dha një jetë kaq të bukur./Tiranapost.al