• Shqip
  • English
  • E shtunë, 24 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Të gjitha

    Ritet që duhet të bësh më 15 gusht për të gjetur fatin dhe dashurinë


    Është një nga festat më të vjetra, që kremton përfundimin e punës në fusha dhe fillimin e pushimeve pas sezonit të mbjelljeve dhe më pas të korrjeve. Në epokën romake festohej për perëndinë e tokës dhe të pjellorisë. Ishte perandori Otaviano Augusto që në shekullin e 18-të para Krishtit themeloi “feriae augusti”, festime gjatë të cilave organizoheshin lojëra dhe gara me kuaj. Madje edhe kafshët festonim fundin e sezonit të punës: qetë, gomerët dhe mushkat zbukuroheshin me lule e shirita dhe shijonin “il dolce far niente”.

    Atëherë Krishterimi e bëri të vetin këtë festë dhe në gjysmën e dytë të viteve 800 Papa Nikolla vendosi që më 15 gusht të festohej ngjitja e Shën Mërisë në parajsë. Kështu njihet edhe për ortodoksët e Shqipërisë kjo festë. Sipas riteve, duhet të futesh në det dhe të të shpëlajë dallga tre herë për të larë mëkatet dhe të nisësh vjeshtën me më shumë fat.Në bregun përballë, në Itali, vazhdon sot e kësaj dite të quhet Ferragosto, festohet me organizime kudo, gjatë të cilave ka rituale që shpesh shoqërohen me dritën dhe errësirën, vdekjen dhe rilindjen. Janë disa rite që bëhen në këtë ditë për më shumë fat. Nëse ke dëshirë, i ke më poshtë:

    1.Ndiz një zjarr për të filluar një jetë të re

    Riti pastrues par excellence, simbol i rilindjes, që festohet si një ogur i mirë në të gjitha momentet e ndërrimit të stinëve, siç janë solstici i verës dhe ai i dimrit. Zjarri ndizet për të larguar të keqen dhe, në këtë rast, me shpresën për të vonuar të ftohtin e dimrit. Kjo është origjina e traditës së zjarreve të mesit të gushtit. Nuk ndez dot një zjarr? Të paktën një qiri. Për të kremtuar jetën e re.

    2.Zhytu në ujë (kudo që të jesh)

    Në det, në liqen, kudo që të jesh, më 15 gusht në mëngjes bëj një zhytje në ujë.
    Uji është një element tjetër që përdoret përveçse për t’u pastruar, për t’iu kërkuar perëndive që të sjellin shi pas thatësirës së verës. Në Irlandë, në veçanti, pavarësisht se uji i detit është shumë i ftohtë, me rastin e festës së Shën Mërisë të gjithë zhyten sepse sipas besimit, zhytja në këtë ditë ndihmon për të pasur më pak probleme shëndetësore.

    3.Puth një gjarpër

    Është zakon në Marcopoulos, në ishullin Kefalonia të Greqisë, ku për 15 gusht dhjetëra gjarpërinj (të padëmshëm) dalin nga strofullat e tyre për të hyrë në kishën Madonna e gjarpërinjve dhe mijëra pelegrinë i përkëdhelin sepse thuhet se sjell fat të mirë. Një zakon shekullor që kujton atë ditë para gjashtë shekujsh, kur murgeshat për të shpëtuar nga turqit kërkuan që Madona të shndërrohej në një gjarpër.

    4.Lutu drejt Vega dhe Altair që të gjesh dashurinë

    Sipas traditës kineze, 15 gushti është dita më e mirë për të gjetur shpirtin binjak. Në fakt, në ditët rreth mesit të muajit, organizohet festivali Quixi, një nga festivalet më të bukura në Lindje, i lidhur me një mit që daton 2600 vjet më parë dhe tregon për dashurinë e kundërshtuar midis dy të rinjve: endëses Zhinü (e simbolizuar nga ylli Vega) dhe lopçarit Niulang (i simbolizuar nga ylli Altair). Ata u mbajtën të ndarë nga Lumi Argjend (që simbolizon Rrugën e Qumështit) dhe u bashkuan vetëm në ditën e 7-të të muajit të 7-të hënor, kur një tufë magjish formuan një urë midis të dyve. Si të lutemi? Ngri sytë drejt qiellit drejt Vega dhe Altair dhe drejtoju dy të dashuruarve, shkruaj dëshirën tënde në një copë letër dhe digje.

    5.Jepu bakshish punëtorëve

    Në kohërat romake pronarët e tokave në ditën e Ferragostos u jepnin një bakshish fshatarëve si një shenjë e ogurit të mirë. Në Rilindje, ky zakon u bë i detyrueshëm nga Shtetet Papale dhe mbeti i përhapur në Lombardi deri në fillim të shekullit të 20-të./ Burimi Vanity Fair/ Tiranapost.al

    *Nuk lejohet publikimi në portale të tjerë. Përkthimi në shqip është punë me mund e gazetarëve tanë. Editori