Aktualitet

Ristani pranon humbjen: Misioni i PD vazhdon

Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka pranuar humbjen. Në një status në rrjetin social Facebook, ai shkruan se shpreh keqardhjen për rezultatin e zgjedhjeve. Edhe pse ai vetë deri tani nuk e ka fituar mandatin e deputetit, iu bën thirrje numëruesve që të vazhdojnë procesin dhe çdo votë të numërohet.

Statusi i Arben Ristanit

Falenderoj me mirënjohje të thellë të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike për katër vitet e një opozite të vështirë, tre muaj qëndresë në çadër dhe një muaj fushatë të përkushtuar. Po ashtu ju bëj thirrje numëruesve dhe komisionerëve të PD, që të numërojnë çdo votë te opozitës, që vullneti i Shqiptarëve të pasqyrohet drejtësisht. Me përgjegjësinë e plotë si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Shqipërisë shpreh keqardhjen për rezultatin e zgjedhjeve dhe bindjen se misioni i Partisë Demokratike vazhdon.

*Ndërkohë edhe kryetari i PDK, Nard Ndoka duket se rrezikon të mos jetë pjesë e Parlamentit të ardhshëm. Ndoka ishte renditur i pesti në listën e Partisë Demokratike për Shkodrën por si duket ky klasifikim nuk ka mjaftuar që Ndoka të dalë deputet.

Fajin për humbjen Ndoka e gjen te shitblerja e votave, ndërsa procesin e cilëson pa standard dhe demokraci.

Në këto zgjedhje, përveç shpirtit të demokrateve, çdo gjë tjetër është blerë! Turp, ky nuk është proces, as standard, as demokraci!”, shkruan Ndoka.