Aktualitet

Imuniteti i Tahirit/ Prokuroria: Kemi prova të reja, që janë kryesisht përgjime

Prokuroria për Krime të Rënda pretendon se ka tashmë prova të tjera, të ardhura nga drejtësia italiane në të cilat implikohet ish-Ministri Saimir Tahiri. Provat e Prokurorisë janë kryesisht përgjime për ish-ministrin.

Deklarata është bërë nga Prokurori Besim Hajdarmataj në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, aty ku për dy ditë tashmë Kuvendi po diskuton lidhur me kërkesën e organit të Akuzës për arrestimin e Tahirit.

Debati:

Prok. Hajdarmataj: Ka ardhur një letër porosi nga Italia. Ne një pjesë të dosjes së ardhur nga drejtësia italiane e kemi edhe të përkthyer sot. Normalisht që edhe ato fakte përbëjnë sekret hetimor, i bëjmë thirrje këtij komisioni që t’i administrojë.

Av.Hajdari: Në kuptimin procedural ne kemi të drejtë të dëgjojmë për kërkesën, për të cilën na u dha kohë. Dhe e dyta, duhet të na shpjegojë prokurori se çfarë përbën kjo letër porosi.

Alibeaj: Prokuroria ka pasuruar materialin  e saj me akte të reja. Është një kërkesë që përmbush të gjitha normat teknike. Në mbështetje të anës së majtë të këtij komisioni që kërkon edhe prova, sot besoj se është në dobi të procedurës, që po të operojmë edhe në marrjen e këtyre provave. E vetmja gjë që duhet të saktësojmë është modaliteti. Nëse po le të vazhdojmë me administrimin e këtyre provave.

Manja: Mbledhja e Këshillit duhet të vazhdojë atje ku u ndalua dje, me parashtrimin e avokatit dhe zotit Tahiri. Dhe pasi të mbarojë parashtrimi, të dëgjojmë edhe Prokurorinë.

Menjëherë pas kësaj kërkese, mbledhja vijoi me dyer të mbyllura dhe përfaqësuesit e mazhorancës kërkuan që të vazhdohet me palën mbrojtëse.

Kujtojmë se një ditë më parë, mbledhja e Këshillit u shty me 24 orë, për shkak të mungesës së provave nga Prokuroria për Krime të Rënda. E.C/ Copyright TiranaPost.al