Aktualitet

Rikthehen negociatat Prishtinë-Beograd/ Koçijançiç: Diskutimet u zhvilluan në një mënyrë konstruktive

Në datë 26 dhe 27 Shkurt është rikthyer delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë në Bruksel, për të vijuar negociatat që u pezulluar përkohësisht pas vrasjes së Oliver Ivanoviç në Mitrovicën e Veriut, që ndodhi pikërisht në momentet kur në Bruksel negociohej.

Duke raportuar për vijmësinë e dialogur zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Koçijançiç është shprehur se mes palëve u zhvillua një dialog tejet konstruktiv, ku u identifikuan problematikat e përbashkëta, por edhe u rikonfirmua zotimi i dy palëve për të vazhduar në rrugën e integrimit europian.

“Negociatorët kryesorë nga Beogradi dhe Prishtina, z. Marko Djurić dhe z. Avni Arifi, së bashku me ekipet e tyre përkatëse u takuan në Bruksel më 26 dhe 27 shkurt për diskutime mbi zbatimin e marrëveshjeve të ndryshme të arritura ndërmjet dy palëve në dialogun e lehtësuar të BE-së. Më së shumti marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes, Drejtësinë, Shoqatën / Komunitetin e komunave me shumicë serbe, Urën në Mitrovicë dhe Energjinë” ka thënë Kocijançiç përmes një përgjigje elektronike. Më tej, ajo është shprehur se bashkë me negociatorët kanë rënë dakord që në muajin e ardhshëm të rifillojnë diskutimi mbi zbatimin e marrëveshjeve si projekti për Urën e Mitrovicës e projekte të tjera.

“Diskutimet u zhvilluan në një frymë konstruktive dhe rezultuan në një identifikim të përbashkët të disa çështjeve dhe hapave që duhen trajtuar për të ecur përpara në punën e zbatimit, duke normalizuar më tej marrëdhëniet e tyre. Ata ranë dakord të rifillojnë diskutimet mbi zbatimin e marrëveshjeve për Lirinë e Lëvizjes”- u shpreh zëdhënësja e BE, në një prej daljeve të saj periodike përpara gazetarëve në Bruksel. K.H/ tiranapost.al